Misteri: Ku shkuan 8 tonë ar, që doli nga Thesari në vitin 1968

Misteri: Ku shkuan 8 tonë ar, që doli nga Thesari në vitin 1968

Ka hapur një polemikë jo të vogël në vitet e tranzicionit, një artikull i botuar vite më pare, në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme), nga Nuri Mehmeti, me titull “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”. Ky shkrim, është botuar në faqet 14 – 15, të numrit të gushtit 1984, në revistën në fjalë, me okelion “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh”!  Polemikat e mëvonshme në lidhje me këtë artikull lindën pasi shifra prej 43.816.682 monedhash ari që përmendej në artikull, e grabitur nga Sigurimi i Shtetit, ishte një shifër zyrtare. 

-PSE SHKOI ARI NE BASHKIMIN SOVJETIK?!

Një tjetër problem që ka të bëjë me arin shqiptar, është edhe sasia e arit që ka shkuar në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1954, në shkëmbim të një sasie gruri. Një praktikë e tillë, që mbase mund të ketë ndodhur edhe herë të tjera me Bashkimin Sovjetik, thuajse nuk ka ndodhur kurrë, për blerje mallrash ushqimorë. Kështu, sipas vendimit nr 144, datë 2 shkurt 1954, “Mbi importim mallrash për tregun special”, të Këshillit të Ministrave, në Bashkimin Sovjetik, ka shkuar një sasi prej 224,4 kg. ar. Vlen të theksohet se, e gjithë procedura e kalimit të arit në Bashkimin Sovjetik, ka qenë tejet sekrete. Pse duhej të ishte sekrete, nga kush ruheshin udhëheqësit komunistë?

Në vendimin në fjalë thuhet:

“1-Ministria e Tregtisë dhe Komunikacioneve, të importojë mallra nga BRSS-ja për tregun special, për një vleftë prej 1.000.000 (një milion rubla).

2-Ministria e Financave, ngarkohet të bëjë likuidimin e shumës së sipërme, në kundra vlerë me monedha ari.

3-Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”.

-RELACIONI SEKRET I BANKËS SE SHTETIT SHQIPTAR, ME 27 DHJETOR 1954

Në lidhje me ketë, Banka e Shtetit Shqiptar, në relacionin tepër sekret, dërguar Këshillit të Ministrave thotë:

“Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 144, datë 2 shkurt 1954, është vendosur që të importohen nga BRSS-ja, mallna për tregun special, për një shumë rreth 1.000.000 rubla. Vlefta e mallnave, do të likuidohet me monedha ari. Sipas të dhënave kontabël, vlefta e mallnave të mbërritura, kapin shumën prej 945.615,58. Nga ana jonë, para se të bëhej likuidimi i vleftës së mallnave të mbërritura, për tregun special, i kemi kërkuar Bankës së BRSS-së, çmimin e blerjes së arit, e cila njofton me letrën e saj, datë 10 prill 1954, nr. 75001, se 1 gram ar, 1000/000, është 4.45 rubla.

Në bazë të çmimit të ofruar nga Banka e BRSS-së, është llogaritur vlefta e 1.000.000 rublave. Për likuidimin me çmimin 4.45 rubla, 1 gram ar fino, nevojiteshin 38.701.75 napolona ari, me peshë nominale bruto, 6.4516 gr., baraz me gram ar, 1000/000; 5.80645.

Në bazë të urdhrit tuaj, është përgatitur një fuçi e cila përmbante 39 qese, prej të cilave, 38 qese përmbanin 1000 copë napolona dhe qesja nr 39, përmbante napolona, copë 701.75, me një peshë kompesive bruto, 250.679 gr. dhe me peshë neto nominale, 249.691, fuçia ka qenë e vulosur në rregull.

Sipas marrëveshjes që kemi patur me përfaqësinë tregtare të BRSS-së, ja dorëzuam personalisht kapitenit të vaporit “Chiaturi”, i cili na dorëzoi konoshamenton, të firmosur rregullisht për marrjen në dorëzim. Banka e BRSS-së, na konfirmon marrjen në rregull të fuçisë, me telegramin e saj, datë 6 tetor 1954.

Banka e BRSS-së, me letrën e saj, datë 3 dhjetor 1954, na njofton marrjen e fuçisë, si dhe gjetjen në rregull të sasisë së arit, të dërguar me këto diferenca.

a- Përsa i përket qeseve ishin në rregull me përmbajtjen e tyre, si copë, d.m.th., se ka marrë në dorëzim, copë napolona 38.700, 75, me të vetmin ndryshim, se nuk ka marrë për bazë peshën nominale, por peshën efektive, kështu që ka rezultuar një diferencë, ma pak gram ar bruto, 850.907 (me përmbajtje 900/1000), baras me ar 1000/1000 gram, 765.81. Nënkuptohet se, prej përdorimit, napolonat kanë një konsumim, rregullisht duhet të merret pesha e tyre efektive dhe jo një nominale, kështu që çdo napolon ar, ka një konsum peshe, prej 0.022 me përmbajtje 900/100.

b- Kalkulimi i arit të marrë në dorëzim nga Banka e BRSS-së nuk e ka llogaritur me çmimin që na ka ofruar, në bazë letrës së saj, datë 10 prill, d.m.th., i gram ar, 1000/1000 rubla 4.45, por 4.50.

Banka e BRSS-së, për 38.701,75 napolona ar, duke u bazuar në peshën efektive, nxjerr si përfundim 223.956 gram ar, 1000/1000 me çmimin rubla 4.50 grami, baras rubla 1.007.803,98.

Vlefta e mallnave të importuara është 945.615,98

Kemi për të marrë rubla…………………..    62.188,40

Por si përfundim i këtij veprimi, kemi këto rezultate:

Napolona 38.701,75 x 326 lek = 12.616.770,50 lekë.

Konvertimi në rubla 1.007.803,98 = 12.597.500.

Diferenca në disfavor tonë 19.220,50 lekë

Sigurimi i arit $ 282 x 50…..lekë 14.100.

Diferenca dhe shpenzime totale lekë…..33.320,50

Si konkluzion, i zbatimit të marrëveshjes dhe të likuidimit kemi këto rezultate:

a- Sasia e arit, u përllogarit me çmim 4.50 grami dhe jo 4.45.

b- U likuidua detyrimi kundrejt BRSS-së dhe mbetet në favorin tone, një sasi rublash prej 62.188,40 për të cilën ju lutemi na njoftoni, që t`i mbajmë në rubla të lira, apo t`i kërkojmë Moskës, konvertim në dollarë.

c- Midis çmimit tonë të blerjes së napolonave ari dhe çmimit të shitjes, kemi një humbje prej lek 19.220,50, në gjithë sasinë e shitur.

ç- Për likuidimin e detyrimit, jemi ngarkuar edhe me shpenzime sigurimi të arit, deri në destinacion, mbasi shitja ishte dorëzim Moskë.

d- Llogaria e Ministrisë së Financave, paraqitet me një tepricë kreditore rubla, prej 62.188,40. Në rast përdorimi do të kreditohet me kundërvlerën në lekë, ose në rast shitje (konvertim në dollarë ose franga zvicerane), në këtë mënyrë mbyllet llogaria në fjalë.

e- Përsa i përket shpenzimeve të sigurimit si dhe diferenca e peshës, kemi debituar llogarinë e Ministrisë së Financave (Llogari provizore në lekë).

BANKA E SHTETIT SHQIPTAR

Drejtoria e Përgjithshme

Tiranë më 27 dhjetor 1954

– A ËSHTË DEPOZITUAR NJË PJESE E ARIT NE BASHKIMIN SOVJETIK

Ish z/drejtori i Bankës së Shtetit, në vitet 1947–1950, Pjetër Deda, në vitin 1991, ka botuar disa artikuj, në gazetën “Republika”. Në njërin nga këto artikuj, atë të datës 12 maj 1991, ai hedh dyshime rreth sasisë së arit të ndodhur në Thesarin e Shtetit, në vitin 1949. Sipas tij, sasia që ai ka parë këtë vit, ka qenë shumë herë më e vogël, se sa mund të ishte, apo mund të mendohej. Vetë zoti Deda, shtron pyetjen se; ku ka qenë depozituar gjithë ajo sasi floriri të sekuestruar?! Sipas tij, enigma zgjidhet nga vetë Banka e Shtetit Shqiptar, po të verifikohen të gjitha hyrje – daljet e Thesarit.

Po ashtu, ai thotë se; në vitin 1948; ka pasur fjalë se thesari; ishte depozituar në Bashkimin Sovjetik; për shkak të sigurisë dhe pozicionit gjeografik të Shqipërisë. Si argument shtesë, z. Deda, pyet se; pse u tregua aq i mirë Hrushovi me Shqipërinë në vitin 1959, kur i fali të gjitha borxhet.

-A IA FALI HRUSHOVI VËRTET BORXHET SHQIPËRISË?!

Më 25 maj – 4 qershor 1959, sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe kryeministër i këtij vendi, Nikita Sergejeviç Hrushov, në krye të një delegacioni partiak dhe qeveritar sovjetik, bëri një vizitë në Shqipëri. Në këtë vizitë, Hrushov u shoqërua nga Muhitdinov (anëtar i Presidiumit dhe sekretar i KQ të PKBS-së), R. Malinovski (ministër i Mbrojtjes), N. Firjubin (zv/ministër i Punëve të Jashtme), A. Bulgarov (sekretar i KQ të Bashkimeve Profesionale), F. Dumbatze (sekretare e KQ të PK të Gjeorgjisë), D. Rasulov (sekretar i KQ të Taxhikistanit), S. Vizarov (zv/kryeministër i Azerbaxhanit) dhe I. Vinogradov (zv/drejtor drejtorie në MPJ).

Para ardhjes së delegacionit të lartë sovjetik, kishte qenë në Bashkimin Sovjetik edhe një delegacion i lartë partiak dhe qeveritar nga Shqipëria. Pikërisht, me rastin e Vitit të Ri 1959, Enver Hoxha, e përmend këtë fakt, në përshëndetjen që ai i drejtoi popullit shqiptar. Në lidhje me këtë dhe me sasinë e rublave të kredituara nga Bashkimi Sovjetik, ndër të tjera, Enver Hoxha, thotë në përshëndetjen e tij:

“….Javët e fundit, një delegacion i Partisë dhe i qeverisë sonë, ishte në Moskë. Ai u prit kurdoherë me një dashuri të jashtëzakonshme nga Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe qeveria sovjetike. Më lejoni t’ju komunikoj se, u desh vetëm gjysëm ore bisedim, në mes të delegacionit tonë dhe të shokëve sovjetikë, me në krye shokun tonë të shtrenjtë, Nikita Sergejeviç Hrushovin, që të gjitha kërkesat tona shumë të mëdha, për ndihmë nga ana e Bashkimit Sovjetik, për 5-vjeçarin e tretë, të zgjidheshin plotësisht dhe në mënyrë të kënaqshme.

Bashkimi Sovjetik, përveç ndihmave kolosale që i ka dhënë vendit tonë në të kaluarën, për të cilat ju jeni plotësisht në dijeni, na dha një kredi të re, prej 300 milion rublash, për 5-vjeçarin e tretë, ai na akordoi edhe 35 milion rubla të tjera, vetëm për zhvillimin e naftës, gjatë këtyre dy vjetëve të fundit të 5-vjeçarit të dytë, si dhe një seri dhuratash, për zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës, që vlerësohen në 10 milionë rubla.

Kjo ndihmë kolosale, bujare, internacionaliste, nuk mund të jepet veçse frymëzuar nga ndjenja e lartë internacionaliste dhe nga dashuria e zjarrtë, që ushqejnë populli sovjetik dhe Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik, për popullin dhe për Partinë tonë. Kjo ndihmë, është garanci jashtëzakonisht e madhe, për zhvillimin në një shkallë të gjerë të ekonomisë dhe të kulturës së vendit tonë, ashtu siç ka thënë shoku Hrushov, një kopsht të lulëzuar.

I gjithë populli ynë, me mirënjohje të pakufishme, i drejton sot falenderimet më të zjarrta, Bashkimit të lavdishëm Sovjetik, partinë mëmë komuniste të Bashkimit Sovjetik, Komitetit Qendror të saj dhe shokut Nikita Hrushov. Ne i sigurojmë popujt vëllezër, se me ta jemi të lidhur përjetë me një miqësi dhe besnikëri, që nuk do të ketë mortje kurrë….” (marrë me shkurtime nga gazeta “Zëri i Popullit”, e datës 1 janar 1959).

Pikërisht në një atmosferë të tillë pritej të zhvillohej vizita e Hrushovit në Shqipëri. Ajo që të çudit në këtë rast, është deklarimi nga ana e Enver Hoxhës, e një shumë kreditimi prej 300 milion rublash, për 5-vjeçarin e tretë, teorikisht fillonte në vitit 1961. Përsa i takon “faljes” së borxheve Shqipërisë, nga Hrushovi, gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, duket që është fjala, për shumat e tjera që përmend Enver Hoxha.

Këtu, kemi parasysh faktin se; për 1 milion rubla, nga Thesari i Shtetit Shqiptar, dolën 224.4 kg. ar. Po të vazhdojmë me të njetën logjikë, i bie që; për 35 milion rubla, të paguhen 7.854 kg ar. Po të shtojmë këtu edhe 10 milion rublat e tjera, që thotë Enver Hoxha, atëhere i bie që, për këto dy “kredi”, Bashkimi Sovjetik, t`i ketë marrë Shqipërisë, rreth 10 ton ar. Mund të duket shumë një sasi e tillë ari, por gjithsesi, në raport me minimumi 320 ton ar, të grabitur nga komunistët pas Lufte, ajo është vërtet e vogël.

Qysh ditën kur erdhi Hrushovi në Aeroportin e Rinasit Enver Hoxha deklaroi: “Miqësinë me Bashkimin Sovjetik, populli shqiptar e çmon si thesarin më të shtrenjtë….! Miqësia jonë, është e fortë si graniti dhe e përjetshme si malet tona…..”! (gazeta “Zëri i Popullit”, 26 maj 1959).

Sikurse shihet, për Enver Hoxhën, nuk ka më rëndësi thesari i vërtetë, sepse thesar për të, na qenka “miqësia e përjetshme”, me Bashkimin Sovjetik. Dhe kjo përjetësi, u pa shpejt. Në atë kohë kur Hrushovi vizitoi Tiranën, pala shqiptare në bisedime, përbëhej nga: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Spiro Koleka, Liri Belishova, Manush Myftiu, Koço Theodhosi, Abdyl Këllezi, Adil Çarçani, Maqo Çomo, Behar Shtylla dhe nga ambasadori shqiptar në Bashkimin Sovjetik, Nesti Nase.

Pas bisedimeve dhe vizitave të ndryshme në mbarë Shqipërinë, më 30 maj 1959, Hrushovi u shpall “Qytetar Nderi” i Tiranës dhe më 3 qershor 1959, vuri gurin e parë në Pallatin e Kulturës në Tiranë, ku u vendos dhe një pllakatë me fjalët: “Këtu më 3 qershor 1959, udhëheqësi i madh i popullit sovjetik dhe miku i shtrenjtë i popullit shqiptar, shoku Nikita Sergejeviç Hrushov, vuri gurin e parë në themelet e Pallatit të Kulturës, simbol i përjetshëm, i miqësisë së pathyeshme e të përjetshme shqiptaro-sovjetike”.

Marrja e një sasie të sipërpërmendur të arit nga ana e Bashkimit Sovjetik, është edhe një tregues tjetër që tregon, nga njëra anë mungesën e solidaritetit në kampin socialist dhe nga ana tjetër, dijeninë që kanë pasur sovjetikët, për arin shqiptar. Gjithashtu, është për t’u kujtuar që; fill pas prishjes së madhe shqiptaro-sovjetike, nuk u pa ndonjë presion i madh për të kërkuar “borxhet”, nga ana e Bashkimit Sovjetik.

Ndonëse publikisht, u tha se ato u falën në vitin 1959, prap, mund të ishte ndonjë sasi tjetër e marrë pas këtij viti, duke pasur arin në mes. Duket që të dy palët, nuk kanë dashur të bëhet publike çështja e arit, pasi ishte e dëmshme për të dyja palët. Për palën shqiptare, merrej vesh dërgimi i arit në Bashkimin Sovjetik dhe për palën sovjetike, dilte në pah pazari, për të marrë arin shqiptar.

-KU SHKUAN 8 TON AR DHE ARGJEND NE VITIN 1968…?!

Në vitin 1968, ka qenë i vetmi moment, kur regjimi komunist preu monedhat përkujtimore prej ari dhe argjendi, në kuadër (siç u tha) të 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në lidhje me këtë, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nxori një dekret të posaçëm, më 16 janar 1968.

Në lidhje me këtë pike, u bë ky diskutim në Presidiumin e Kuvendit Popullor:

Haxhi Lleshi:……Mendoj që, si pikë të parë të fillojmë me shqyrtimin e projekt-dekretit, për prerjen e monedhave përkujtimore prej ari dhe argjendi, mbasi kemi edhe Aleks Verlin (në atë kohë ministër i Financave – shënim).

Tonin Jakova: Ky italiani që e merr përsipër këtë (prerjen – shënim) sa fiton? A është në marrëveshje se sa do të fitojë? Cili është çmimi i arit monedhë, në drejtim me monedhën e zakonshme? A do të bëhen edhe medaljone të tjera përkujtimore apo, vetëm në këtë rast? Pastaj, kush do t`i shesë, do t`i shesë ai nën kontrollin tonë?

Gogo Nushi: Ky propozim për shembull që bën ai, a janë të lidhura si numër e si vlerë? A është sugjerim i yni apo i atij? Ata janë ekspertë, janë specialistë për këto punëra, prandaj, një gjë duhet ta dimë, që të jemi të ndërgjegjshëm, se nuk i hyjnë kësaj pune, për të popullarizuar Skënderbeun. Për shembull, ata i lidh interesi i fitimit.

Aleks Verli: Kësaj pune i hyjmë për herë të parë. Duke parë që shpesh herë të huajt, na kanë kërkuar të tilla monedha përkujtimore, jo vetëm prej ari, por edhe prej argjendi e bakri, na nxiti që t`i hyjmë një pune të tillë. Nga propozimi i bërë nga ky, pamë mundësinë që, mund t`i hynim një pune të tillë.

Nga propozimi i bërë nga ky, pamë mundësinë që mund t`i hynim dhe çdo gjë dhe se kjo mund të jetë me leverdi për ne. Ky i merr të gjitha përsipër, ndërsa nga ne, kërkohet autorizim zyrtar. Tani e kujt është leverdia më e madhe? – Kuptohet e atij, këtë e dimë dhe jemi koshientë, sepse ai niset nga qëllimi i fitimit, pasi këto monedha, shiten dyfishin e vlerës apo më shumë.

Për shembull, 10 lekëshi, në qoftë se e ka vlerën 1 dollar, ai do ta shesë 4 dollarë. Këta, bëjnë katalogun e monedhave të ndryshme, që i shpallin me vleftën për secilën monedhë. E mbajnë vlerën e monedhës, sipas kursit zyrtar. Leku jonë, është 0.177 të mijtat e gramit ar, d.m.th., me kursin ligjor, kështu llogaritet, por që këtu, nuk e kemi shpallur, se pse monedha ari në para, nuk kemi. Po kështu, edhe vendet socialiste nuk e kanë…..!

Haxhi Lleshi: Po vendet e tjera socialiste, kanë nxjerrë të tilla?

Aleks Verli: Nuk na del që të kenë nxjerrë. Na del që, të ketë nxjerrë Mao Ce Dunin, por në medaljon, është ndryshe, nuk i japin llogari askujt. Ndërsa për të nxjerrë para, nuk mund të bëjnë shtypjen, në qoftë se nuk marrin autorizimin nga vendi përkatës. Sipas llogaritjeve, del që 30 % të fitimeve, ai na i jep neve, 20 % i ka shpenzime, pastaj bankat, ryshfetet që kanë etj. A mund të bëjmë monedha të tjera përveç këtyre? Mund të bëjmë. Tani për tani këto menduam. Në lidhje me afatin e shitjes, ai na kërkon afat 4 – 5 vjet, ndërsa ne, i thamë deri në 3 vjet. Mendojmë se brenda 3 vjetëve, mund të shiten.

Tonin Jakova: Sa është gjithsej sasia e arit?

Aleks Verli: Është rreth 80 – 82 kv. ar. Tani nga ana teknike, a i kemi mundësitë, që të mos abuzojmë? Në në marrëveshje, kemi arritur që këto monedha, të dalin nga 5 shtëpi të njohura, dy në Itali, një në Francë, një në Zvicër dhe një në Gjermaninë Perëndimore. Të drejtën e kontrollit e kemi, por ka një gjë tjetër, se këto ruhen shumë nga komprometimi.

Tonin Jakova: Në qoftë se i kemi mundësitë, a nuk mund t`i bëjmë vetë këto monedha?

Aleks Verli: Vetë nuk i kemi mundësitë. E kemi të zorshme se është hera e parë që bëhet, pastaj këto janë shoqëri që njihen, kanë degët e tyre, kanë agjentët e tyre, njihen me gjithë bankat e botës.

Haxhi Lleshi: Shpjegimet, më duket janë të qarta. Këta të financës, e kanë parë, qeveria e ka parë, interes, siç paraqitet, kemi. Prandaj mendoj që duhet ta aprovojmë dekretin…”!

Në lidhje me këtë, kemi shfletuar edhe “Gazetën Zyrtare” të vitin 1968, e cila qysh në numrin 1 të saj, në faqet 2 dhe 3 të saj, përmban dekretin nr. 4358, “Mbi prerjen e monedhave përkujtimore, prej ari dhe argjendi”. Sipas nenit 1 të këtij dekreti, autorizohej Banka e Shtetit Shqiptar, të priste një seri të jashtëzakonshme, monedhat përkujtimore prej ari dhe argjendi. Sipas nenit 2, këto monedha, kishin “kurs ligjor dhe fuqi çliruese, për rregullimin e të gjitha detyrimeve, obligacioneve dhe transaksioneve publike e private.

Në nenin 3 të dekretit, monedhat prej ari, do të priteshin me përmbajtje ari të thjeshtë, 900/1000 dhe lidhje argjendi e bakri 100/1000. Këto prerje, do të ishin 20, 50, 100, 200 dhe 500 lekë. Nga ana tjetër, monedhat prej argjendi me përmbajtje argjendi të thjeshtë, 1000/1000, ishin të prerjeve 5, 10 dhe 25 lekë.

Nga pesha bruto, në gram e monedhave, vihet re se, më tepër peshon monedha 500 lekëshe, me 98.74 gram dhe me diametër 55 milimetra. Për këto monedha, neni nr. 5 i dekretit në fjalë, parashikonte numrin progresiv, nga 1 – 12.000.

I gjithë procesi i prerjes së monedhave dhe më pas i shitjes së tyre, ka kaluar nëpërmjet një labirinthi, aspak transparent. Të bën përshtypje fakti që, për një ngjarje të tillë simbolike, nuk shpenzohet një sasi simbolike ari, por një sasi e tillë, që afërsisht, është sa e gjithë sasia e arit, që ka hyrë në thesar nga viti 1944, e deri në fund të viti 1990. Kështu, duhet të pohojmë që; shuma totale e arit të futur (zyrtarisht) në thesar; është 8.839 kg., nga e cila, më 31 dhjetor 1990, kishin ngelur 1.239 kg.

Në asnjë vend të botës, nuk është parë shpenzimi total i thesarit, për të prerë monedha, në një rast të caktuar festiv. Aq më tepër, që monedha në fjalë, i është shmangur tërësisht qarkullimit të brendshëm./ Memorie.al

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 05/05/2024 05:55

    Mua me kujtohet aty nga fundi i diktatures nxorren mallra ne shitje qe mund t'i blije me ar/valute.Me kujtohet qe vajta per kuriozitet ne nje nga kete pike shitjeje ku ishin mbledhur njerez (po shiteshin magnetofone e te ngjashem) dhe mbaj men nje djalosh te ri qe ishte ngjitur ne nje vend te larte mbi turmen dhe nuk e di ne se e kishte seriozisht, a me shaka,por me kujtohet qe therriti : /Hajde borgjeze nxirrni arin ku e keni fshehur!/ Me beri pershtypje sa ar kishte akoma ne popull.S.d.q e mendoja marrezi te bliheshin ato sende me ar,opinion qe dukej se nuk ndahej nga bleresit,gjykuar nga grrumbulli i madh qe ishte mbledhur aty.Ne ate kohe kriza ishte e rende dhe ky ishte nje akt i deshperuar,por teper i zgjuar nga ana e shtetit per te siguruar ar/valute.Vras mendjen nese keta bleres po te shikonin pas valle a jane penduar qe blene xhingla te atilla me ar?! Megjithese blerja me ar njihet si praktike nga shtetet,ne artikull do te doja qe nese autori i artikullit eshte me te vertete i pavarur dhe bazohet mbi hulumtime te verteta shkencore dhe jo //llafe pazari/ e hamendesime, te perfshinte ne shkrim dhe historine e kthimit te arit te bllokuar nga GB dhe si,sa u kthye!

    Përgjigju
    • Omer: 06/05/2024 01:59

      Dyqanet që përmende i kujtoj dhe unë, quheshin dhe dyqanet e dollarit ndryshe.Sdq çmimet ishin marramendëse për kohën .Lidhur me komentuesin më poshtë, di që ka dëshmi dhe fakte që ari i cili iu zhvat e grabit jo rrallë herë edhe bashkë me jetën tregëtarëve korçarë,elbasanllinj,etj.fill pas 44-ës e më pas edhe çamëve që Enferri "mbrojti" nga tërbimi grek, patjetër që e kalon sasinë e arit që zyrtarisht kalonte nëpër BKSH.Pak rëndësi ka sa pasuri ke kur ua "beson" atë hajdutëve dhe kriminelëve,si dje ashtu edhe sot nën udhëheqjen e pjellës enveriste.

    • Gezim: 05/05/2024 11:22

      Qe ne Shqiperi te kete patur 320 ton ar vetem idiotet mund ta besojne. I gjithe ari I bankes grabitur nga gjermanet ka qenë rreth 3.5 ton prandaj Shqiperise nga ari I gjetur ne kriporen gjermane I u njoh sasia rreth 1.7 ton. A na eshtekthyer nga anglezet mbas 1990?pyetje llogjike

  • Pena: 04/05/2024 20:14

    Po ta lexosh dhe ta kuptosh mire, marreveshja ka qene e tipit Win/Win per te palet, flas per marreveshjen e blerjes 1000000 Ru. Marreveshja e prerjes SE monedhave me vlere ari me karakter numezmatik dhe postar historike, ha diskutime!!

    Përgjigju
  • Populli: 04/05/2024 19:45

    Shikoni ato qe ju bene shqipetareve nga 90 e ketej qe ju bene te 99 tat pa asaj kohe ti vini anes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër