'Në dhjetor ’44 çoi një tortë në misionin amerikan dhe i jepet si dhuratë një peshqesh 1.000 franga…', akt-akuza që çoi në plumb poliglotin Dino Shani

'Në dhjetor ’44 çoi një tortë në misionin amerikan dhe i jepet si dhuratë një peshqesh 1.000 franga…', akt-akuza që çoi në plumb poliglotin Dino Shani

Rrallë mund të ndodhë që një njeri, të flasë përveç gjuhës amtare edhe pesë gjuhë të tjera, si: anglisht, greqisht, armenisht, turqisht dhe italisht. Përveç shkollimit të lartë ushtarak, ai njihej për simpati të thellë ndaj vendit kampion të demokracisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky ishte Dino (Kostandin) Shani. Largimi i misionit amerikan nga Tirana në nëntor 1946, solli një valë të rëndë arrestimesh e goditjesh për personat që kishin pasur lidhje me këtë mision. Vizitorët e tij, ata shqiptarë që nuk kishin asnjë qëllim tjetër, veç simpatisë për Amerikën, ranë pre e një barbarie të pazakontë të xhelatëve të Sigurimit.

Regjimi komunist, tregoi burracakëri të ulët me ta, teksa i masakroi, i mbajti në hetuesi, i ekzekutoi apo i burgosi gjatë. Nuk mjaftonte kjo, por bashkë me të, për të krijuar idenë e një grupi, hynë edhe persona me të cilët, ai bënte vetëm pazaret, blinte mishin, qepët, apo rrushin për konsum.

Dënimi me vdekje i Dino Shanit
Më 8.10.1946, Dino Shani merret në pyetje në Drejtorinë e Burgut Ushtarak në Tiranë. Ai prezantohej se kishte lindur në Stamboll, ishte 36 vjeç, i martuar, me arsim të plotësuar. Kishte nisur të studionte në shkollën fillore amerikane (mbaruar më 1929), Tekniken në Tiranë dhe arsimin e lartë, ushtaraken në Itali. Në kohën e Zogut, Dino Shani, kishte qenë toger në ushtri, në vitin 1937, ishte arratisur për çështje personale. Pas një qëndrimi 13 muaj në Itali, e 8 muaj në Greqi, vjen në Shqipëri më 15.3.1939, duke u përfshirë sërish në radhët e ushtrisë shqiptare. Kishte ndikuar në këtë mes fakti se babai i Dinos, Mihali, ishte rrobaqepës personal i Mbretit Zog.

Me ardhjen e regjimit fashist, Dino kishte qëndruar oficer deri më 15.9.1939, kohë kur u nxor në lirim “për arsye shëndetësore”. Në dhjetor 1940, deri në mars 1944, punoi nëpunës në Bankën Kombëtare. Deri këtu jeta e Dino Shanit, shkon normalisht. Si pro-amerikan, ai ishte thjesht një vizitor i misionit amerikan në Shqipëri. Pjesët e tjera të hetuesisë, nuk janë të botueshme, pasi Dino i ka hedhur poshtë gjatë gjykimit, si të pavërteta. Më 31.10.1946, është marrja e tij e fundit në pyetje. Më pas do vijojë një heshtje e gjatë, një izolim i papërfytyrueshëm.
Proces-verbal për Dino Shanin
Akuza e gjykimi
Vetëm më 31.3.1948, Prokuroria Ushtarake e Tiranës do të dërgonte në Gjykatën Ushtarake të Garnizonit, akt-akuzat për të pandehurit, shokë të Dino Shanit.

Gjykata Ushtarake e Tiranës, në drejtimin e kapiten I-rë Abdyl Hakiu (kryetar), kapiten II-të, Shaban Rezha dhe aspirant Thanas Hima, duke pasur pranë prokurorin, kapiten Petrit Hakanin, filloi gjykimin kundër një grupi, që ishin mbajtur gati 2 vjet në hetuesi:
1. Dino (Kostandin) Shani, biri i Mihalit dhe Andromaqit, lindur në Stamboll dhe banues në Tiranë, mbaruar shkollën teknike në Tiranë, si dhe Akademinë Ushtarake në Modena, arrestuar më 27.9.1946. Në fillim të procesit tha: Për sa akuzohem, nuk janë të vërteta dhe nuk i pranoj. Proces-verbalin nuk e pranoj, se nuk e kam bërë vetë, po me zor e kam firmosur”.

Dino i ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë që e akuzonte “agjent amerikan”, “drejtues spiunësh”, etj. “Unë i kam simpatizuar anglo-amerikanët, por jo që të bëhesha spiun i tyre” – pohonte Shani. Ai në fund të nëntorit 1944, ka shkuar në misionin ushtarak amerikan.

Më 15 dhjetor 1944, në mision kishte njohur edhe kapiten Tomas Stefanin, të cilit me rastin e krishtlindjeve, i ka dërguar një tortë. “Unë e simpatizoja demokracinë amerikane, pasi jam rritur me atë frymë” – deklaronte Shani. Çështje të tilla, si reforma agrare, tatimet, etj., ai nuk i kishte pritur mirë.

2. Fori Vardhami, i biri i Golit dhe Poliksenit, 30 vjeç, lindur në Tërbuq të Tepelenës, banues në Tiranë, marangoz, arrestuar më 29.10.1946. Mohonte çdo akuzë, duke thënë që “nuk dinte fare nga këto”, që dëgjonte.
3. Xhafer Lika, i biri i Muharremit dhe Mihanes, vjeç 34, lindur në Tapizë, pemëshitës, arrestuar më 29.10.1946, deklaronte se; kishte nënshkruar procesverbale të hetuesisë, por as që dinte çfarë ishte shkruar aty.

4. Shyqyri Kodra, i biri i Aliut dhe Emines, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, tregtar bulmeti, arrestuar më 29.10.1946, deklaronte se; nuk i pranonte akuzat dhe nuk e njihte proces-verbalin, pasi nuk ishte bërë prej tij. Deklaronte se nuk njihte as Fultz-in e, as gjërat e tjera që shkruheshin për të.

5. Telemak Dilo, i biri i Vasilit dhe Fotinës, 25 vjeç, lindur në Labovë të Tepelenës, me 6 klasë lice, arrestuar më 29.10.1946. Akuzohej se; kishte dekonspiruar edhe punën e ngarkuar nga Mbrojtja e Popullit.

6. Stefan Cara, i biri i Llukanit dhe Mides, 32 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Zherë, i arsimuar për shkenca ekonomike. Babanë ia kishin vrarë gjermanët, arrestuar më 28.10.1946. Deklaroi se; nuk e pranonte akuzën. Edhe ky nxirrte hetuesinë jashtë loje, pasi nuk i pranonte të tijat deklarimet e paraqitura.

7.Misto Vardhami, i biri i Golit dhe 32 vjeç, lindur në Tërbuq të Tepelenës, banues në Tiranë, marangoz, arrestuar më 29.10.1946.

Pretenca e prokurorit
“Është e nevojshme që t’ju vë në dukje jetën personale të të akuzuarit Dino Shani” niste akt-akuzën e tij, prokurori i çështjes. E kaluara normale e Dino Shanit merret në analizë sikur brenda saj, janë veprimtari shumta agjenturore. Kjo nga vitet e karrierës së tij ushtarake, në të cilat ishin përzierë edhe çështje personale e, deri te nëntori i vitit 1941, koha kur misioni ushtarak amerikan, u vendos në Tiranë, ku ishte takuar me Nick Cooky dhe Njohne Okof.

“Më dhjetor 1944, Dino Shani, shpie peshqeshin e parë në mision, një tortë me rastin e pashkëve dhe për këtë i jepet si kundra-dhuratë, një peshqesh 1.000 franga dhe një pako me cigare” – akuzonte për spiunazh prokurori. Dino, kishte shërbyer si “informator i paorganizuar” – thoshte prokurori. Pjesën më të madhe në aktakuzë, e zë Dino Shani, ndërsa tjerët akuzohen se ishin paguar prej tij për të dhënë informata.

Dënimi i shkallës së parë
Me vendimin nr. 221, datë 7.4.1948, gjykata dha dënimet si më poshtë:
1. Dino Shani, me vdekje, pushkatim.
2. Misto Vardhami e Telemak Dilo, me 10 vjet burg.
3. Shyqyri Kodra, me 7 vjet burg.
4. Xhafer Lika, me 5 vjet burg.
5. Fori Vardhami dhe Stefan Cara, me 3 vjet burg.
Me përjashtim të këtyre dy të fundit, të gjithëve iu konfiskohej pasuria, si dhe humbnin të drejtat politike në kohën e dënimit.
Dino (Kostandin) Shani
Letra e fundit
Mban datën 10.4.1948.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni për organizatën e Sami Qeribashit” – shkruante Dino, në letrën drejtuar Gjykatës së Lartë Ushtarake, në të cilën vijonte të mohonte, se kishte shërbyer si informator i amerikanëve. “Nuk kam asnjë pasuri, jam martuar dhe kam jetuar duke punuar” – pohonte Dino.

Gjykata e Lartë
Me vendimin nr.181, datë 21.4.1948, Gjykata e Lartë, e përbërë prej major Niko Cetës, kapiten I-rë Nexhat Hysenit dhe kapiten II-të, Mustafa Iljazit, duke pasur pranë prokurorin kapiten I-rë Nevzat Hazdenari, ndryshoi vendimet për Telemak Dilon, duke e dënuar me 7 vjet burg dhe për Shyqyri Kodrën e Misto Vardhamin, në 5 vjet kohë. Vendimet e tjera, i la në fuqi duke marrë formë të prerë.

Ekzekutimi i Dino Shanit
Më 27.4.1948, është kryer ekzekutimi i Dino Shanit. Në prani të komandantit të burgut, nëntoger Adem Skëndajt, të deleguarit të Sigurimit, toger Maqo Pecani dhe prokurorit ushtarak kapiten Petrit Hakanit.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton