Një rast i ngjashëm është historia e dy të rinjve nga Durrësi Skënder Çela dhe Mark Toçi. Personi që e tregon skenën e ngjarjes është një shef i lartë i Sigurimit të Shtetit dhe ai është njëri prej të katërve që kanë bërë ekzekutimin. Ai quhet Mit’hat Zaçe dhe bashkëpunëtorët e tij apo bashkë ekzekutorët, janë Beqir Balluku, Panajot Plaku, dhe Bajram Vula.
Ngjarja ka ndodhur një natë dhjetorit 1946, buzë liqenit të Ohrit. Katër drejtuesit e lartë të Sigurimit të Shtetit, pasi i kanë mbajtur një javë nën arrest të fshehtë, pa e ditur askush, i kanë çuar ty të arrestuarit në vendin e ekzekutimit dhe i kanë pushkatuar pa gjyq dhe në fshehtësi të plotë. Mëkati i tyre ishte se “ata ishin anti-parti” dhe kishin dezertuar nga strukturat e Sigurimit. E gjithë dëshmia ku zbulohet ky krim dhe mënyra si funksiononte skena e të gjithë krimeve të kësaj natyre gjatë regjimit komunist, është përshkruar në dokumentin që sjellim sot, nënshkruar nga Mit’hat Zaçe shefi i Sigurimit të Divizionit VIII-të.
Zaçe e tregon ngjarjen kriminale dy vjet më vonë dhe jo si një i penduar për aktin çnjerëzor, por për të dëshmuar metodat kriminale me të cilat e drejtonte Koçi Xoxe Sigurimin e shtetit, metoda që u cilësuan në kundërshtim me vijën e Partisë në kohën e dënimit të Xoxes. Ai është më i shqetësuar për emrin e mirë të Partisë dhe Enver Hoxhës, se sa për ekzekutimin pa gjyq, se fundja në atë kohë edhe ai vetë mendonte se ishte “e drejtë që të zhduken dy njerëz anti-Parti dhe që nuk mund të ndreqeshin”. Madje ai zbulon se në këtë kohë, miratimi për vrasjet sekrete vinte direkt nga Komitetit Qendror.
Ja çfarë shkruante në letrën drejtuar Komitetit Qendror “Mit’hat Zaçe.
Dokumenti i plotë
Tiranë 31/X/948
Komitetit Qëndror P.K.Shq.
Kapiten II Mit’hat Zaçe ju njoftoj sa më poshtë:
Kamë qënë Shef i Sigurimit të Divizionit VIII-të deri në Tetor 1947.
Në fund të Dhietorit 1946 kish ardhur në Korçë Koçi Xoxe, me urdhërin e këtij, që i dha shokut Beqir Ballukut dhe Panajot Plakut, kemi zhdukur Skender Çelën e Mark Toçin që të dy nga Durrësi dhe të përjashtuar si anti-Parti. Shoku Beqir Balluku dhe Panajot Plaku qysh nji javë më parë më kishin urdhëruar mua që Skënder Çelën e Mark Toçin ti arestoja dhe ti mbaja në mënyrë shumë të fshehët, me nji fjalë të mos dinte njeri se këta janë arestuar, më kanë thënë se do ti zhdukim si elementa Anti-Parti dhe që në reparte kishin filluar të bënin punë armike. Unë i themë shokut Panajot Plakut se ne s’kemi urdhër nga lartë, ai më thotë se kemi ne, kemi biseduar me shok të K.Q. atëhere unë i thash se me që ju si përgjegjës i Partis në Divizion, më urdhëroni unë po veproj. I arestova dhe mbasë nji javë, kur Koçi Xoxe erdhi në Korçë këta dy u pushkatuan prej meje, shokut Beqir Ballukut, Panajot Plakut dhe Bajramë Vulës, buzës së liqenit të Ohërit nja 5 km nga Poradeci, ndërmjet Shën-Naunit dhe Poradecit.
Mbasi u pushkatuan, i themë shokut Beqir Ballukut se mua më duhet të lajmëroj shokun Kadri Azbiun si shef i Seksionit Sigurimit të Ministris Mbrojtjes Kombëtare mbasi këta mund të më ngarkohen mua, që si nuk munda ti ruaj këta njerzë që të mos ikin; pse ne lajmëruam se këta dy kanë dezertuar. Shoku Beqir më thotë s’ka gjë se ju themë unë, pastaj kur e di Koçi s’ka nevoj ta dij Kadriu. Për këtë, se gjoja ata kanë dezertuar, nga Seksioni Sigurimit më është hequr nji vrejtje dhe u regjistrua si pa zotësija ime për ti ruajtur këta njerzë.
Ju njoftoj për këtë gjë se jamë i bindur që K.Q. dhe sekretari i Përgjithëshmë i Partis shoku Enver nuk do të dinë as gjë.
Unë qysh atëhere këtë aktë e kamë quajtur si akt kriminel dhe i papajtuarshëm me Partin, këtë ja kamë thënë dhe shokut Panajot Plakut, porse unë nuk shkarkoj nga përgjegjësija veten t’ime si bashk-puntor i nji akti të tillë, dhe kur Koçi urdhëroj vrasjen e tyre, në atë kohë e kamë quajtur të drejtë se zhduken dy njërzë anti-Parti dhe që nuk mund të ndreqeshin.
Se si e ka shtruar çeshtjen Koçi Xoxe atë natë që këta u pushkatuan e di shoku Beqir Balluku dhe Panajot Plakut, mbasi mua më lanë tek dera, duke pritur sa të dilnin shoku Beqir dhe Panajoti.
Për-veç meje, Beqir Ballukut, Panajot Plakut, Bajramë Vulës, Baki Starjes nuk di tjetër njeri për këtë çeshtje, sigurisht nuk përjashtohet Koçi.
Adresa:
Drejtorija e III-të
Ministris M. Kombëtare