TIRANE - “Pas humbjes të komplet 20 pikëve, çdo drejtues i automjeteve do të njoftohet dhe do t’i nënshtrohet një testimi teorik për kategorinë e lejedrejtimit që ai zotëron”. Kështu është shprehur Drejtori i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Mitat Tola. I pyetur për gazetën “Shqiptarja.com”, Tola shpjegon më tej se pas marrjes së provimit, çdo drejtues do të rifitojë të 20 pikët në total. Gjithashtu, Drejtori i Policisë Rrugore, bën me dije se largimi nga vendi i kryerjes së aksidentit është shkelja më e rëndë që ndëshkohet me heqjen e menjëhershme të 15 pikëve.
 
Zoti Tola,një javë më parë kanë hyrë rregullat e reja të patentës me pikë. Prej 7 ditësh policia në rrugët e Tiranës po aplikon këtë formë të re. Në këndvështrimin tuaj kjo formë ka disiplinuar disi trafikun dhe mënyrën e drejtimit të automjeteve?
Është ende herët të thuhet kjo gjë, një normë e re që implementohet do një farë kohe për njohjen dhe aplikimin e saj nga shërbimet e policisë rrugore. Gjithashtu, duhet koha e nevojshme për të bërë të mundur njohjen e saj nga të gjithë drejtuesit e mjeteve që drejtojnë automjetet e tyre.