Mitrovicë, Thaci: Të ulet tensioni
Dyshime per organizate serbe

Mitrovicë, Thaci: Të ulet tensioni<br />Dyshime per organizate serbe
KOSOVE-Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dënon incidentet në Mitrovicë dhe kërkon bashkëpunim të autoriteteve kosovare me ato ndërkombëtare për uljen e tensionit në veri të Kosovës. Gjatë fjalimit që mbajti në Shkollën Ndërkombëtare të Studimeve Ndërkombëtare “Josep Korbel” në Universitetin e Denverit, Thaci e ka konsideruar akt terrorist ,shpërthimin e eksplozivit në banesën e familjes Haradinaj në Mitrovicë.
“Fatkeqësisht gjatë qëndrimit tim këtu në SHBA, një qytetar i komunitetit shqiptar është vrarë në pjesën veriore nga një akt terrorist, pikërisht për shkak të mungesës së sundimit të ligjit në atë pjesë”.-theksoi Thaci. Kryeministri i Kosovës ka deklaruar gjatë fjalimit të tij se në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar do të punohet për të ulur tensionet në këtë pjesë të territorit të shtetit të Kosovës. Ai u ndal edhe në arrestimin nga xhandarmëria serbe të dy policëve kosovarë, ngjarje për të cilën ai u shpreh:
“Dy ditë para nisjes për Shtetet e Bashkuara, ngjarjet në vendlindjen time më kujtuan brishtësinë e paqes që po e lija pas. Në një demonstrim të inatit ballkanik, dy pjesëtarë të policisë së Kosovës u rrëmbyen nga xhandarmëria e Serbisë, ndërsa bënin patrullimin e rregullt përgjatë vijës kufitare. Fotografitë e tyre, të shtrirë përtokë u shpërndanë në gjithë rajonin, ndërsa Qeveria serbe krekosej me aftësinë e policisë së saj. Policët tani janë liruar, ndërkohë që retorika e ndërsjellë kërcënuese sot jehon përgjatë opinionit publik të rajonit”. Thaci konsideroi si sfidë të qeverisë së tij rikthimin e besimit dhe shpresës për banorët serbë në veri të Kosovës. “Jam i bindur se me nisjen e zhvillimit dhe hapjen e vendeve të punës do të marrin fund edhe strukturat paralele, të bazuara mbi refuzimin e realitetit politik, të ndërtuar mbi marrëveshje e bashkëpunime ndërkombëtare. Sa më shpejtë që banorët serbë nga veriu i shtetit tonë të bëhen pjesë e integruar e një Kosove të lirë e demokratike, aq më shpejt do të merr fund mirëmbajtja e industrisë së konfliktit politik, mos-tolerancës etnike dhe shpërfilljes kulturore”.
Populli i Kosovës theksoi Thaci është një popull i vogël—i lodhur nga konfliktet historike, por i gatshëm për ta shkruar historinë e re, një histori të paqes dhe zhvillimit, në të cilën Kosova do të imponohet si model shoqëror i shuarjes së dallimeve përmes pranimit të tyre; i tejkalimit të ndasive përmes integrimit, i shuarjes së armiqësive përmes arsyes, mirëkuptimit dhe kompromiseve.

EKSPLOZIVI, DYSHOHET ORGANIZATA TERRORISTE SERBE
Policia e Kosovës ka dyshime dhe prova të forta se pas sulmit me bombë në banesën e familjes Haradinaj, në Mitrovicë qëndron organizata “Mbrojtja civile”, e cila udhëhiqet nga serbët Jovica Lazareviq dhe Desimir Janiçijeviq, në veri të Kosovës. Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor kjo organizatë, pjesë e së cilës janë udhëheqës të strukturave të sigurisë dhe të komunave veriore, mund të jetë autore e këtij sulmi. Hetimet e para, tregojnë për një organizim të mirë terrorist ndaj kësaj organizate.

SITUATE E QETE SOT NE MITROVICE
Ndërkaq nata ka kaluar e qetë në Mitrovicë dhe as gjatë paradites së sotme nuk janë raportuar akte dhune apo tensionim I situatës. Forca të policisë së Kosovës ndodhen ne terren për të mbikqyrur situatën dhe për të shmangur incidentet e mundshme.

MBLIDHET SOT KOMITETI I SIGURISE
Komiteti për Siguri i Komunës së Mitrovicës pritet mblidhet sot ne kete qytet. Mbledhja organizohet për të diskutuar gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës, pas tensionimit të ditëve të fundit. Një ditë më parë një grup serbësh në veri të Mitrovicës nuk lejuan Policinë e Kosovës që të vendosë pikat statike në lagjen e “Tre Rrokaqiejve”, duke shkaktuar tensionim te situate.

KFOR PEZULLON MBYLLJEN E RRUGEVE ALTERNATIVE
KFOR, ka vendosur që të pezullojë përkohësisht planet për mbylljen e rrugëve alternative, pwrmes tw cilave mundësohet dalja nga Kosova në Serbi pa kaluar nëpër kontrollet kufitare. Qytetarët serbë të veriut I përdorin këto rrugë për tw shmangur ballafaqimin me policë dhe doganierët e Kosovës dhe të EULEX-it në dy pikëkalimet zyrtare 1 dhe 31. Sipas burimeve ndërkombëtare, sulmi dhe tensionet e fundit bejne te domosdoshme nevojën që strukturat paralele të sigurisë së Serbisë të shuhen në atë pjesë dhe të fillojë dialogu i paralajmëruar për veriun.

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës