Mitrovica, Kurti kërkon ndihmën
e Topit, Krasniqit e Jahjagës

Mitrovica, Kurti kërkon ndihmën <br />e Topit, Krasniqit e Jahjagës
PRISHTINE – Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes 3 letrave të ndryshme, i ka kërkuar sot autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Tiranës që të reagojnë për gjendjen në Mitrovicë.

Ai i kërkoi Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Mitrovicë. Sipas Kurtit gjendja në qytetin verior nuk mund të quhet më e zakonshme dhe i kërkoi Kreut të Shtetit që ta zyrtarizojë këtë. “Vetëm asisoj institucionet e shtetit të Kosovës do të aktivizoheshin e mobilizoheshin duke u ngritur në nivelin e detyrës që e kërkon situata e rëndë aktuale”, i shkruan Kurti Presidentes Jahjaga.

Ndërsa nga kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, ai ka kërkuar mbështetjen për zhvillimin në Kuvend të një seance të jashtëzakonshme për sulmet ndaj shqiptarëve në Mitrovicë. “Kjo seancë mund të nxjerrë vendime konkrete për institucionet politike të Kosovës të cilat duhet t’iu dalin në ndihmë dhe mbrojtje qytetarëve tonë atje”, shkruan Kurti.

Në fund, lideri i lëvizjes Vetëvendosje i është drejtuar edhe Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, nga i cili ka kërkuar ndihmë për diskutimin në NATO dhe OKB të ngjarjeve në Mitrovicë.

“Siç e dini, Republika e Kosovës nuk mundet që këtë çështje ta iniciojë për diskutim në organizata apo struktura ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Ndërsa Ju, si përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë dhe i shqiptarëve në OKB dhe NATO, mundeni që ta inicioni diskutimin mbi rrezikun e afërt të spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë. Nevojitet pra, veprim politik e diplomatik kombëtar, para se përmasat e spastrimit më të ri etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të ngjajnë me ato të viteve 1998, 1999 dhe 2000. Ndihma Juaj në këto momente është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme”, i shkruan Kurti Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës