Dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, veriut me shumicë serbe, Goran Rakiç dhe jugut me shumicë shqipatare, Agim Bahtiri, janë pritur nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Kosovës, Dardan Gashi, i cili ka shprehur mirënjohje për respektimin e moratoriumit për ndalimin e ndërtimeve si në jug ashtu dhe në veri.

"Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mjedisit është e përkushtuar të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve për dy komunat në Mitrovicë, gjithmonë në pajtueshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës", ka thënë Gashi, i cituar në njoftimin zyrtar nga takimi i djeshëm.

Bëhet e ditur se, në prezencë të zyrtarëve të lartë nga ambasada e SHBA-së dhe ata nga Komisioni Evropian, në këtë takim të radhës është diskutuar për Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet dy komunave me Ministrinë, e cila pritet të nënshkruhet në fillim të shtatorit.

Plani zhvillimor urban dhe trajtimi i ndërtimeve pa leje ishin dy temat e diskutuara në takim, ndërkohë që u dakordua që procesi i legalizimit të nisë me Mitrovicën për t'u marrë pastaj si pilot-projekt edhe për komunat e tjera.

Ndërkohë, po sipas njoftimit të Ministrisë kosovare, komentet e zyrtarëve të huaj ishin pozitive duke u shprehur se procesi i normalizimit të marrëdhënieve këndej dhe matanë urës së Ibrit është në binarë të duhur dhe të sigurtë./ATSH/