Mitrovica, Vetëvendosje
protestë në Kuvend

Mitrovica, Vetëvendosje <br />protestë në Kuvend
KOSOVË- Për dy orë me një pankartë në dorë, ku shkruheshin emrat e dy shqiptarëve të vrarë nga serbët në Mitrovicë, Selver Haradinaj dhe policit Enver Zymberi para foltores së Kuvendit. Këtë mënyrë kanë zgjedhur deputetët e Vetëvendosjes për të protestuar kundër dhunës në veri të Kosovës, por edhe kundër faktit se u shpërfill kërkesa e tyre për seancë të jashtëzakonshme.
Deputetët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca e Visar Ymeri, vazhduan të qëndronin para foltores se Kuvendit me pankartën ku shkruheshin emrat e dy viktimave të terrorit serb në veri të Mitrovicës, Selver Haradinaj dhe Enver Zymber. 
Pavarësisht protestës së Vetëvendosjes, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pasi lexoi rendin e ditës ftoi punonjësit e sigurisë që t’i largonin me forcë dy deputetët e Vetëvendosjes, pasi sipas tij ata po e pengonin punën e Kuvendit. 
Por ndërhyrja e punonjësve të sigurisë nuk ka ndodhur dhe Krasniqi vijoi më tej me vazhdimin e senacës ku do të diskutohej sipas rendit të ditës projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare. 

Vetëvendosja kërkoi sërish mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit për situatën në veri të Kosovës, por kërkesa e tyre ishte refuzuar nga të gjitha grupet e tjera parlamentare, me arsyetimin se në një mbledhje të tillë duhet të jetë i pranishëm edhe kryeministri, i cili aktualisht ndodhet në vizitë zyrtare në SHBA.

AAK përmes deputetit Ardian Gjini kundërshtoi protestën e Vetëvendosjes duke thënë se nuk i bëjnë nderë vendit skenat që shihen këtu. “S’kemi nevojë ta shndërrojmë Kuvendin në teatër”.

Përderisa, deputetët e Vetëvendosjes ndërprenë protestën dhe braktisën sallën, më pas kur filloi procedimi i Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, mbledhjen e braktisën edhe deputetët e LDK-së dhe të AAK-së.

Kuvendi u desh të priste disa minuta që në sallë të vinte edhe një deputet, për t’u bërë numri 61 sish, që të mund të votonte miratimin e ligjit.

Meqë as pas pauzës së thirrur nga Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deputetët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri kanë vazhduar të qëndrojnë me pëlhurën me mbishkrimin ku figurojnë emrat e Selver Haradinjat dhe Enver Zymberit, kryetari i Kuvendit kërkoi për herë të dytë intervenimin e forcave të sigurisë së Kuvendit, duke thënë se këtë masë e aplikon në bazë të rregullores, kur dikush prish rendin në Kuvend.

Mirëpo, përkundër kërkesës së tij në sallë nuk janë futur punëtorët e sigurimit.

Derisa dy deputetët e Vetëvendosje vazhduan të qëndrojnë me pano në duar, kryeparlamentari kërkuar vazhdimin e seancës dhe procedimin me rendin e ditës.

Deputeti i Vetëvendosje, Liburn Aliu, e cilësoi të pakuptimtë që të bisedohet për çështje të tjera, në qoftë se Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme nuk diskuton për gjendjen e jahtëzakonshme në veri, ku ka ndodhur një akt terrorist.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se LDK është për seancë të jashtëzakonshme, por pasi që kryeministri të kthehet në vend. Ndërsa, shtoi se nuk do të pranojnë që në seancën e sotme të futet në rend dite Ligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare.

Ndërsa, shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, ka kërkuar që sot të votohet ky ligj sepse në të kundërtën do të humben 160 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke iu përgjigjur kërkesës së deputetit të Vetëvendosjes, tha se `ne jemi duke ndërtuar shtet e jo anarki dhe rrugaqëri në Kuvend`.

Kryeparlamentari Krasniqi, veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje e cilësoi terrorizëm politik, dhe kjo sipas tij, shkon në favor të qarqeve që vërtet nuk ia duan të mirë këtij vendi dhe krijojnë anarki dhe pasiguri. 

Ligjvënësit e Kosovës miratuan sot Ligjin për bankat pa votat e opozitës, të cilët braktisën sallën kur filloi procedimi i kësaj pike të vetme të rendit të ditës dhe pas ndërprerjes disa herë të punës për shkak të protestës së Vetëvendosjes.
 Ligji për bankat dhe për institucionet mikrofinanciare u votua sot pa praninë e deputetëve të opozitës, dhe, çka është më e rëndësishme, pa numrin e domosdoshëm të deputetëve për ta arritur kuorumin për të mbajtur seancë.
 "Në seancën e sotme kanë votuar 54 deputetë për ligjin, 4 kanë abstenuar, dhe një tjetër u lajmërua që në mungesë të kartelës votoi me dorë. Pra 55 për, 4 abstenim, gjithsej 59 deputetë. Ky votim pa kuorum është në kundërshtim me rregulloren dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet që e rregullojnë këtë çështje. Pra ky votim i këtij ligji është bërë pa e siguruar kuorumin e nevojshëm", thanë Albin Kurti dhe Visar Ymeri në konferencën për shtyp.

Në konferencën për media Vetëvendosje ka bërë të ditur se deri tani ka arritur të sigurojë 20 nënshkrime të deputetëve, nga 40 sa i nevojiten për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për veriun.
Në mesin e të nënshkruarve përpos deputetëve të Vetëvendosjes, gjenden edhe 9 deputetë të subjekteve tjera politike, 5 nga koalicioni qeverisës, Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, Nait Hasani, Hydajet Hyseni dhe Suzan Noberdali.


/rg/shqiptarja/com/

 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi

Lushnje/ Merr flakë furgoni i mallrave, shpëton mrekullisht shoferi