/ATSH/.- Rreth 40 mijë është numri i pjesëmarrësve në aktivitetet e zhvilluara në vitin 2014 në Qendrën e Kulturës "Rexhep Mitrovica" në Mitrovicë, e cila ndodhet në pjesën jugore të qytetit më të madh verior të Kosovës.
Sipas njoftimit të dërguar sot, numri i programeve të ndryshme kulturore ishte 82 me 27818 shikues. Numri i takimeve të organizatave joqeveritare ishte 89 me 11929 pjesëmarrës. Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve në këto aktivitete ishte 39747.
Gjatë vitit 2014 janë zhvilluar edhe programe multietnike, numri i të cilave është 32 me 4455 pjesëmarrës.
Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica" është afër lumit Ibër, anëve të të cilit janë dy komunat e qytetit të Mitrovicës, jugore me shumicë shqiptare dhe veriore me shumicë serbe.












