Kjo nismë e ministrisë nxit riciklimin e mbetjeve të ndryshme, duke detyruar importuesit të paguajnë më shumë për kalimin e mbetjeve në doganë.
“ Ministria e Mjedisit ka si qëllim primar punën për parandalimin e ndotjes dhe dëmtimit të mjedisit. Ne po punojmë më shumë në drejtimin e parandalimit të dëmtimit të mjedisit ku ne jetojmë.”- tha Koka.
Një tjetër nisme për të ndalur shkatërrimin e pyjeve dhe prerjet e paligjshme është dhe heqja e TVSH për drurin e importit, pasi në këtë mënyrë barazohet çmimi i importit me atë te tregut të zi.
“Ne kemi ndaluar plotësisht eksportin e qymyrit të drurit dhe paralelisht kemi punuar për heqjen e taksës së drurit që vjen nga vendet fqinje”- u shpreh Koka.
Më tej Ministri Koka bëri një përmbledhje të arritjeve të punës së Ministrisë së Mjedisit gjatë këtij viti qeverisjeje. Gjatë prezantimit të arritjeve kryesore Ministri solli si të tillë ndarjen e Inspektoratit të Mjedisit nga institucionet monitoruese dhe liçensuese siç është Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Kjo ishte një lëvizje shumë e nevojshme që ka filluar të japë rezultate pozitive jo vetëm në numrin e inspektimeve, gjobitjeve dhe ndjekjeve penale.
Mbetjet ishte një nga temat, e cila ju prezantua ekspertëve mjedisorë. Në këtë fushë duke marrë ekspertizën e vendeve të tjera dhe duke përfituar dhe nga problemet që kanë këto vende Ministri Koka theksoi se “Ministria ka ideuar përdorimin e taksës inteligjente, taksë e cila krijon të ardhura, siç do jenë taksat që do aplikohen mbi zhvilluesit e aktiviteteve që krijojnë mbetje”.
Më pas fjalën e mori ambjentalisti Sazan Guri i cili në fjalën e tij falenderoi Ministrin e Mjedisit për takimin dhe komunikimin me ekspertë mjedisorë. “Mendojmë që kjo frymë bashkëpunimi do të mundësojë një faqe të re të bashkëpunimit me ekspertët mjedisorë”- theksoi Sazan Guri.
Gjatë takimit ekspertët kërkuan nga Ministri i Mjedisit të merrte në konsideratë disa çështje mes të cilave: krijimin e një Kodi Mjedisor, i cili do të shmangte mbivendosjen e çështjeve të mjedisit ndërmjet Ministrive dhe institucioneve të ndryshme si dhe rishikimin e rolit të ekspertëve në procesin e lejeve mjedisore.
Nga Ministri i Mjedisit u theksua se ky bashkëpunim do të vazhdojë me hapa konkretë, duke hartuar plane veprimi mes stafit të tij dhe ekspertëve mjedisorë.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)