Pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe dëborës qyteti i Kukësit është zgjuar këtë të enjte nën 'pushtetin' e mjegullës së dendur. Për shkak të dendësisë së lartë, mjegulla ka vështirësuar lëvizjen e qytetarëve në kalimin e rrugëve, si dhe qarkullimin e automjeteve.
Mjegulla e dendur ka përfshirë gjithashtu segmentet e rrugëve nacionale dhe rurale, duke e bërë qarkullimin e mjeteve më të vështirë, veçanërisht në zonat e larta malore ku ka ende prezencë dëbore në akse rrugore.
Muaji janar në Kukës karakterizohet shpesh nga prania e fenomenit të mjegullës së dendur, ku orët e para të mëngjesit dhe ato të mbrëmjes janë periudhat me intensitet dhe dendësi më të lartë.
Ndërkohë, subjektet kontraktore vijojnë punën gjatë gjithë kohës për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, kryesisht në segmentet ku janë evidentuar problematika. Sipas informacioneve zyrtare, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme.
Vijon gjithashtu puna nga ekipet e Drejtorisë së Rrugëve Rurale të Bashkisë Kukës, të cilat kanë bërë të mundur hapjen dhe pastrimin nga bora të segmenteve më problematike në njësitë administrative Arrën, Zapod, Ujmisht, Bushtricë dhe Grykë–Çajë, për të garantuar qarkullimin normal të mjeteve dhe lëvizjen e banorëve, veçanërisht në kushtet e motit të pafavorshëm. Nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk ka raportime për problematika.
Komente







