Tirana dhe Fushë- Kruja është shoqëruar pasditen e kësaj të diele me një mjegull shumë e dendur. 

Për pasojë, burime për Report Tv bëjnë me dije se janë shtyrë me disa orë fluturimet në aeroportin 'Nënë Tereza'. Një gjë e tillë është reflektuar edhe në faqen zyrtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) ku njoftohej se fluturimet që ishin parashikuar të kryheshin rreth orës 21:00-22:00 janë shtyrë. Gjithashtu, uljet në aeroportin e Rinasit të dy avionëve që vinin nga Brukseli dhe Londra, janë devijuar drejt Korfuzit dhe Shkupit.

Njoftimi në faqen e TIA-s

Siç shihet në këtë video që Shqiptarja.com disponon një vello mjegulle ka "pushtuar" autostradën Tiranë- Durrës, Qafë Kashar- Fushë Krujë dhe disa akse të tjera. Një pjesë e segmentit Qafë Kashar- Rinas është pa drita duke u shndërruar në një rrezik serioz për drejtuesit e makinave.

Nga ana tjetër, probleme paraqiten edhe në aksin Tiranë- Fushë Krujë për shkak të vizibilitetit të ulët pasi mungon sinjalistika rrugore.