"Të gjithë mësuesit që përfundojnë ciklin e dytë të mësuesit dhe dëshirojnë të kenë profesionin e mësuesit dhe ta ushtrojnë atë do të fillojnë ushtrimin e praktikës profesionale në shkollat e të gjithë vendit. Pas përfundimit të praktikës profesionale, me ndryshimet që janë bërë në ligj, do t'i nënshtrohen një provimi të aftësimit praktik direkt në shkollë. E njëjta gjë do të jetë për mjekët që do i nënshtrohen provimit, aty ku po ushtrohen, dhe, si ta kapërcejnë këtë test të aftësimit praktik, të kualifikohen, do të marrin pjesë në provimin e shtetit.
Nëse e kalojnë me sukses edhe provimin e shtetit do të mund të marrin titullin mësues apo doktor", - ka deklaruar ministri Tafaj për ndryshimet në ligjin për profesionet e rregulluara. Ai gjithashtu ka deklaruar se nuk do të ketë praktikë profesionale më të gjatë se një vit, ndërsa gjatë praktikës profesionale ligji siguron një pagesë për kontributet shoqërore dhe shëndetsore. "Asnjë profesion nuk do të ketë stazh më të gjatë se një vit, ky afat është përcaktuar në ligjin e profesioneve të rregulluara, stazhi duhet të jetë një kohë e mjaftueshme për formimin praktik për të fituar titullin. Për provimin e shtetit, stazhi është deri në një vit", - ka shpjeguar Tafaj.
PROVIMI ON-LINE
Agjencia Kombëtare e Provimeve ka bërë gati gjithçka për të nisur provimet e shtetit, të cilit do i nënshtrohen mjekët, stomatologët, farmacistët, avokatët, inxhinierët, arkitektët, dhe mësuesit. Risia është në mënyrën e provimit, i cili do të jetë on-line, dhe në monetin që përfundojnë testin, të rinjtë do të mund ta mësojnë që në çast totalin e pikëve të grumbullura. Ata do të kenë secili nga një kompjuter dhe pyetjet që shfaqen janë rastësore.
Në monitor qëndrojnë vazhdimisht butoni për konfirmim, ai për përfundimin e provimit, koha e mbetur(për t'u përgjgjigjur). Ai mund të kontrollojë në çdo moment sa pyetjeve u është përgjigjur dhe sa kanë mbetur pezull. Sa herë është i sigurt për përgjigjen ai shyp butonin "konfirmoj".
Kandidati mund t'i rikthehet për të ndryshuar përgjigjen edhe për një pyetje të cilën ai më parë e ka konfirmuar si përgjigje të saktë. Kur përfundon provimin kandidati shtyp butonin "Përfundova provimin dua të largohem" dhe më pas butonin konfirmoj. Menjëherë pas këtij veprimi në monitor shfaqet përgjigja e dhënë nga kandidati, e cila mund të printohet menjëherë.
(shqiptarja.com)