TIRANE - Mbi 20 mjekë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë mbledhur sot përpara urgjencës, në shenjë proteste për dhunën e ushtruar ndaj bluzave të bardha. Mjeku i urgjencës Petrit Vargu tha se në vetëm 24 orët e fundit mësohet të jenë regjistruar 3 raste dhune nga të afërm të pacientëve ndaj mjekëve. 

“Mjekët konsiderohen sot si njerëzit më me personalitet. Eshtë hera e parë që ndodh në historinë mbi 20-vjeçare timen si mjek. Janë tre mjekë. Dhunë të tillë në të gjithë shtetet e botës mund të ndodhë një herë në 5-6 vjet, jo për 24 orë 3 raste dhune ndaj mjekëve,”- tha Petrit Vragu.

Presidenti i Urdhrit të Mjekut për Tiranën, Faik Toska dënoi dhunën ndaj bluzave të bardha. Ai sqaroi se problemi më i madh për mjekët më shumë se sa kujdesi për pacientët janë të afërmit e tyre.

“Ne na vjen shumë keq që ndodhin fenomene të tilla dhe kjo kërkon një analizë më të thellë për të zbuluiar shkaqet e këtij problemi. Në mjedise të tilla siç janë kryesisht urgjenca, duhet menduar një sistem kujdesi nga policia. Unë bashkohem me protestën e zhvilluar sot, pasi në plan të parë duhet të kemi jo vetëm shëndetin e të sëmurëve, por edhe njerëzve që iu shërbejnë,”- tha Faik Toska.
 
Mjekët që morën pjesë në protestën e sotme në shenjë solidariteti me kolegët e tyre të dhunuar, kishin dhe një tjetër kauzë: testimin. Mjeku Tritan Kalo, në një prononcim për mediat u shpreh kundër testimit dhe masave antikorrupsion që sipas tij janë denigruese për figurën e bluzave të bardha. Në rast se nuk merren masa për të ndalur këto fenomene, protesta si kjo e sotmja janë paralajmëruar sërish në ditët në vijim.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)