Mjekët e urgjencës do të trajtohen njësoj si ata specialistë sa i përket nivelit të pagës duke filluar nga qershori. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit në Spitalin e ri Rajonal në Lezhë.
“Ka filluar të konstatohet që nuk ka shumë kërkesa për mjekë të urgjencës krahasimisht me të tjerët. Nëse tjetri do të shkojë në atë front dhe do të trajtohet si mjek i përgjithshëm pa specialitet, do të zgjidhet në qershor me ndryshimet që bëhen çdo mes viti të buxhetit dhe do t’i përfshijmë në kategorinë e mjekëve specialistë si mjekë të urgjencës që të kenë një pagë dinjitoze”, tha Rama.
Duke i kushtuar vëmendje menaxhimit, ku eksperienca e Shqipërisë është e munguar në krahasim me vendet e tjera, kryeministri tha se po shqyrtohet edhe një model për ndërtimin e një spitali privat brenda atij publik. Gjithashtu, shprehu nevojën e vendosjes së tarifave për turistët.
“Duke diskutuar me nja dy grupe shumë të mëdha për të hyrë në marrëdhënie menaxhimi, Polonia ka bërë një super transformim. Të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, se e kemi diskutuar për ‘Nënë Terezën’, thonë që është kyç që të ndërtohet brenda spitalit një spital privat për mjekët e spitalit dhe të jetë pjesë e sistemit të punës së mjekëve të spitalit në mënyrë që t’iu japim mundësinë që ta kemi spitalin si vendin ku janë bashkëpronarë dhe të kenë një kapacitet të ardhurash sipas performancës. Së dyti, ne duhet të vendosim tarifat për turistët”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi edhe trajtimin ambulator të shërbimit onkologjik që do të lehtësojë pacientët.
“Decentralizimi i shërbimit onkologjik dhe krijimi i bërthamave të shërbimit, edhe të kimioterapisë është diçka fantastike sepse do ta afrojë shumë më tepër me njerëzit shërbimin dhe do të lehtësojë shumë pritjen, kushtet”, tha Rama.
Lidhur me shërbimin në këtë spital, kryeministri shprehu vlerësim që nuk ka marrë ankesa deri më tani, pavarësisht kushteve, ndërsa shihet edhe si një opsion për të rinjtë që duan të fillojnë punë në shërbimin spitalor.
Komente












Do ishte shume ideale qe edhe ne Astirin perendimor te ndertohej nje spital i ri per zonen , deri me 200 Shtreter kjo i jep zhvillim dhe normalitet astirit
Përgjigju