Mjekët vrapojnë shumë larg, përtej distancave të maratonave përgjatë relieveve më  të thepisura…

Mjekët vrapojnë shumë larg, përtej distancave të maratonave përgjatë relieveve më  të thepisura…

Foto ilustruese

Mjeku është një maratonomak që mban në dorë pishtarin e flakës së jetës kundër vdekjes dhe jo rrallë, si në këtë pandemi vdes si maratonomak. Gjatë gjithë jetës së tij mjeku është lajmsi i jetës dhe fitores mbi të pamundurën.

Mjeku gjatë karrierës së tij përjeton të gjitha të papriturat dhe format e relievit të jetës. Të përpjetat, tatëpjetat, kthesa të forta, zhytjet, hedhjet, rrëzimet , gëzimet e jetëve të shpëtuara, vuajtjet e kujdesit për ata që vuajnë.

Dikush mund të thotë që gjithkush përballet me të tillë reliev gjatë rrugëtimit pa fund drejt mbretërisë së Hadit. Në vend të debatit do të vazhdoja të këmbëngulja pa kokëfortësi se relievi i jetës nëpër të cilin shkel çdo minutë mjeku, është relievi më i thyer dhe më i thepisur me të cilin jeta e përball. Sepse gjatë gjithë rrugëtimit të tij si askush tjetër ai përjeton çdo ditë mendje dhe shpirtra të cilëve sëmundja ia u ka prishur ekuilibrin ose rënduar çekuilibrin e përjetuar më parë. Dhe si i tillë shëruesi përballet çdo ditë me natyrën njerëzore e mbartur nga shpirtra sa të butë aq edhe të egër, sa të thellë aq edhe të cekët ,sa të ndjeshëm aq edhe të akullt. Ata përpiqen çdo ditë të mirëkuptojnë mendjet e çekuilibruara  edhe nga sëmundja, sa të sinqerta aq edhe të djallëzuara , sa egoiste aq edhe bujare. Të gjitha mjeku përpiqet t’i përjetojë me dhembshuri sa modeste aq edhe të dobishme .

Ai përballet pa pushim me vetmohimin e vazhdueshëm të jetës së tij sepse ndjen që gjithkush dhe mbarë shoqëria i ka besuar gjënë më të shtrenjtë jetën e tyre ndonëse në jo pak raste do të meritonin më shumë mirënjohje dhe vëmendje.

Në misionin e tij mjeku,  çdo përballje të vështirë jo vetëm profesional, por edhe sociale e konsideron në çdo moment vetëm proces të të nxënit.

Aq i rëndësishëm është misioni dhe sakrifica e shëruesve sa lutjet drejtuar Zotit për jetë të shpëtuara kalojnë vetëm nëpërmjet  mjekëve.

Gjatë këtij procesi të të nxënurit, mjekët kanë përjetuar që e vërteta për të cilën ato luftojnë në jo pak raste nuk mund t’i mbroj. Ata kanë provuar se të luftosh për të mbrojtur të drejtën mund edhe të përpiqen të të shtrembërojnë dhe të përkulin.

Mjekët, ndonëse të  kërrusur nën peshën e viteve që kalojnë, përpiqen të përballojnë me durim unikal  mundin e studentit gjatë gjithë  jetës së tyre- studim i përditshëm, i vazhdueshëm për të ndjekur sa më nga afër ritmin e “çmendur“ të arritjeve bashkohore të shkencave mjekësore . Ky përjetim është një nga sakrificat më të mëdha të mjekut , të qenit student i përjetshëm. Përballje që nuk  mund të arrihet pa sakrifikuar kohën e çmuar dhe të dobishme që gjithkush përpiqet t’ia kushtojë familjes, por edhe miqve.

Misioni i tyre, jetë sa më shumë të shpëtuara, shpresa sa më shumë të “ injektuara” buzëqeshje sa më shpesh të rikthyera është pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e ëndrrave të tyre.

Dhe si e tillë rrugëtimi  në relievin e thyer e të thepisur të jetës së mjekëve është i frymëzuar nga ëndrra- mision dhe nuk mund të ndalet nga vështirësitë dhe pengesat e shumta me të cilat përballen çdo ditë.

Profesioni i mjekut i  plotëson shëruesit më shumë se çdo profesion tjetër sepse përballja me dinjitet i ngjarjeve më të mëdha, jetës dhe vdekjes, është edhe sfida më e rëndësishme dhe më e vështirë në jetë.

Kjo është aq e vërtetë sa 50-60 vjet mbas Krishtit Seneka ka thënë:

      “Njerëzit paguajnë mjekun për  

        sëmundjen e tyre ;  për mirësinë që

        mjeku tregon ndaj tyre . Por

        megjithatë ata mbeten ende në

        borxh ndaj tij."

 ― Seneka (4 p.e.s. - 65 pas Krishtit)

Çdo shërues në çdo moment është shumë i ndërgjegjshëm që të jesh mjek është privilegj dhe ndjehet shumë i nderuar. Mjekët vrapojnë shumë larg, përtej distancave të maratonave në relieve më  të thepisura, të ndërgjegjshëm se për ata nuk do të  ketë kur  finish.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë