Heroizmi moral tradicional dhe lideri i bërë ‘pis’ për një moral më të mirë

Heroizmi moral tradicional dhe lideri i bërë ‘pis’ për një moral më të mirë

Charles Darwin, në teorinë e tij të evolucionit, shkruante midis mijëra rreshtave: në seleksionimin natyror, mbijetesa e qenieve të gjalla nuk varet nga sa të zgjuara janë ato, por nga aftësia e tyre për t’u përshtatur shpejt dhe mirë me mjedisin në të cilin jetojnë dhe ndikojnë.

Pjesë e këtij seleksionimi natyror është edhe seleksionimi social te njerëzit, të cilët, përveçse qenie biologjike, janë edhe qenie sociale. Mbijetesa e tyre, veçanërisht kur kërkojnë të kenë ndikim aktiv dhe të rëndësishëm në shoqëri, varet nga kujtesa e vazhdueshme ndaj këtij parimi të evolucionit: mbijeton jo thjesht ai që është më i zgjuar, por ai që di të përshtatet me rregullat, ligjet dhe moralin e shoqërisë ku jeton – madje, në disa raste, duke thyer kornizat e tyre.

Një protagonist që përpiqet të ndryshojë shoqërinë duke përmirësuar moralin, mbarëvajtjen dhe mirëqenien e saj mund të përballet me situata ku duhet të veprojë në mënyrë të “dyshimtë” për të ndalur të keqen që, përndryshe, do të vazhdonte të lëvizte lirshëm, pa frikë dhe me arrogancë.

Një person i tillë mund të krahasohet me një “shpëtimtar” që, duke u përpjekur të nxjerrë një shoqëri nga lluca e kënetës morale dhe e varfërisë, nuk mund të shpëtojë vetë pa u baltosur. Shpëtimtari e di dhe është i ndërgjegjshëm për pasojat që kjo sakrificë sjell për të. Megjithatë, në heshtje, ai zgjedh të veprojë, duke sakrifikuar veten për një shoqëri më të mirë.

Filozofia e “shpëtimtarit” të bërë “pis” qëndron në faktin se ai detyrohet të luaj sipas rregullave te një sistemi të korruptuar për të krijuar mundësinë e reformës.Duke u bërë pjesë e problemit “ shpëtimtari”shpreson të fitoj fuqinë që i duhet për të ndryshuar rregullat.

“Shpëtimtari “ i bërë  "pis" nuk është një kriminel që justifikon veprimet për përfitime personale, por dikush që ruan thelbin e integritetit dhe të përkushtimit ndaj një qëllimi më të lartë, edhe kur detyrohet të marrë vendime të dyshimta moralisht. Në dilemën  "kompromisi strategjik", apo  "transformimi moral" sigurisht që pa asnjë mëdyshje ka zgjedhur kompromisin strategjik. Këto vendime i kërkojnë atij të dijë të përkul deri ne dhimbje integritetin e tij duke e vënë në rezik dhe shpesh e lëndojnë emocionalisht.

Kompromisi strategjik i “shpëtimtarit” të bërë “pis” është rrjedhojë e dilemës morale në përballje me realitetin.

“Shpëtimtari” i bërë “pis” operon në një shoqëri ku e keqja është sistematike dhe e institucionalizuar. Ai përballet me një zgjedhje të pamundur:Të veprojë sipas parimeve të tij dhe të dështojë ose  të “përkulet” të bëhet “pis” duke përdorur mjete të ngjashme me ato të sistemit të kalbur për të arritur një të mirë më të madhe.

Pra dilema e “Shpëtimtarit “ të bërë “pis” eshte : të veproj sipas parimeve deontologjike ku rezultati është i pa percaktuar,i pa sigurt apo atyre utilitariste ku rezultati justifikon veprimin.

Por sakrifica sa  e madhe aq edhe rezikshme është : të pranosh të bëhesh “pis” duke i rezistuar transformimit. Ndryshe nga kriminelët,” Shpëtimtari”i  bërë"pis" nuk vepron për përfitime personale apo pushtet në vetvete , por për të shpëtuar të tjerët nga një sistem shkatërrues. Ai është i vetëdijshëm për pasojat morale të veprimeve të tij dhe shpesh përjeton ndjenja faji dhe sakrifice personale.

Megjithatë “shpëtimtari”mbetet një figurë morale sepse veprimet e tij të gabuara shërbejnë për një të mirë më të madhe. Integriteti i tij nuk thyhet, por përkulet – një akt që kërkon forcë të madhe shpirtërore dhe vetëdije për kufijtë etikë.Nëse korrupsioni, dhuna apo mashtrimi përdoren nga “Shpëtimtari”, ato janë thjesht mjete taktike për të çmontuar një sistem të kalbur. Ai nuk i braktis idealet e tij, por zgjedh të ndjekë një rrugë pragmatike për të mbijetuar në një botë të pabarabartë dhe për ta bërë këtë botë më të drejtë.

Ndjekja e parimeve utilitariste , pragmatiste për të mirën e përgjithshme përballet me dilema të rënda emocionale dhe ndjenjën e fajit për veprimet që ka ndërmarrë. Ai është i vetëdijshëm për kompromiset që ka bërë dhe shpesh  vuajtjet personale i mban të fshehura.Per “ Shpëtimtarin” perspektiva optimiste kërkon sakrificat e të sotshmes.”Shpëtimtari “ i bërë “pis” shpesh përjashtohet nga shoqëria që përpiqet të shpëtojë. Sakrifica e tij personale është një temë kryesore – ai sakrifikon dhe  humbet miq, dashuri, apo edhe jetën, për të mbrojtur të mirën e përgjithshme.

Jo pak lexues te këtij shkrimi sigurisht që bëjnë pyetjen “ ç’ne ky shkrim per “shpëtimtarin” e bërë pis dhe jo atë qelibar?

Në shoqërin tonë ku veset janë bërë norma dhe institucionet e drejtësisë kanë qënë të paralizuara, heroizmi tradicional shpesh nuk ka vend dhe do të dështoj. Në këto raste, vetëm një hero pragmatik dhe fleksibël mund të bëjë ndryshimin.

Michael Walzer, një filozof politik, sugjeron që në disa situata liderët dhe individët mund të përballen me "zgjedhje të pista" ku çdo veprim është moralisht problematik. Për të shpëtuar komunitetin, ata mund të duhet të bëjnë veprime të dënueshme, por të domosdoshme (p.sh., gënjeshtra, korupsion ose përdorimi i forcës). Në situata emergjente, e mira e përbashkët mund të kërkojë që individët të pranojnë të bëhen “pis” moralisht.

Një tjetër justifikim i “vendimarrjeve të pista” është për të shmangur shkeljen  e interesave të  shtetit ose të shoqërisë. Në raste ekstreme, interesat e përbashkëta mund të justifikojnë veprime që normalisht konsiderohen të pamoralshme.

Kur theksuam rezikun e madh qe e kërcënon “Shpëtimtarin” e bërë “pis” kishim ndërmend këputjen e  vijës së hollë, tepër të hollë, që ndan sakrifikimin e integritetit personal me  degradimin moral të pakthyeshëm.Pasi fillon të bësh kompromise ekziston rreziku i rrëshqitjes drejt shfrytëzimit të pushtetit për përfitime personale. Në këtë rast përkulja e integritetit pasohet nga thyerja e tij.Prandaj sfida më e madhe, e “ shpëtimtarëve” pasi  fillojnë të bëjnë kompromise,  është mos harojnë pse kanë nisur luftën.

“Shpëtimtarët” e bërë “ pis” mishërojnë idenë që në botën reale, shpesh është e pamundur të mbash duart e pastra ndërsa lufton për ndryshim në një shoqëri të korruptuar. Ai ruan një kod të brendshëm të moralit që e dallon nga armiqtë e tij, edhe kur përkohësisht duket se i ngjan atyre.

Në shoqëritë ku korrupsioni është institucionalizuar, ai nuk shihet më si ves, por si mekanizëm për të mbijetuar. "Virtyti" i ri nuk matet me ndershmërinë, por me aftësinë për të lundruar në këtë sistem të kalbur. Në këto raste ligji eshtë i dobët dhe shpesh shërben vetëm për t’i dhënë formë të ligjshme sistemit të korruptuar dhe individët e ndershëm përballen me një zgjedhje: të bëhen pjesë e lojës ose të jenë të pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë.

Makiveli perpiqet te shpjegojë teorine e të keqes për të mirën. Në "Princi," Makiveli argumenton se një lider i suksesshëm duhet të jetë i gatshëm të veprojë kundër moralit kur është e nevojshme për të ruajtur shtetin. Kjo pasqyron idenë që “Shpëtimtari”në një botë të korruptuar duhet të "bëhet pis" për të mbijetuar dhe për të pasur një shans për të ndryshuar sistemin.

Vendimet gjatë Luftës së Dytë Botërore që mori Winston Churchill mund të quheshin në atë kohë të pamoralshme.Përballë kërcënimit të nazizmit, Churchill mori vendime të vështira, si bombardimi i qyteteve gjermane, duke komprometuar disa parime morale për të shpëtuar Evropën nga "mbretërimi" i nazizmit. Shprehja e tij e famshme, "If Hitler invaded hell, I would make at least a favorable reference to the devil in the House of Commons," pasqyron dilemat e tij morale. Britanikët kishin dekriptuar kodin e komunikimit gjerman (Enigma) dhe shpesh e injoruan qëllimisht informacionin për sulme specifike që do të ndodhnin, për të mos zbuluar që kishin thyer kodin. Kjo nënkuptonte sakrifikimin e jetëve të civilëve dhe ushtarëve në disa raste, për një avantazh më të madh strategjik.


Gjyqtarët Falcone dhe Borsellino u përpoqën të luftonin mafian siciliane, një strukturë që kishte depërtuar në qeveri, polici dhe gjyqësor. Ata u përballën me një sistem kaq të korruptuar, sa shpesh iu desh të përdornin metoda të dyshimta, si spiunimi dhe marrëveshjet me kriminelët, për të ndërtuar çështje kundër mafias. Përpjekjet e tyre përfunduan me atentatet ndaj tyre, por edhe me një reformë që pasoi si rezultat i kontributit të tyre.

Gjatë Luftës Civile në SHBA, Lincoln pezulloi Habeas Corpus, një e drejtë ligjore që ndalon ndalimin arbitrar të njerëzve. Ky veprim i lejoi qeverisë të arrestonte dhe të burgoste njerëz pa gjyq, për të parandaluar sabotimin dhe përçarjen në kohë lufte.

Ky vendim u pa si një kompromis i integritetit moral dhe ligjor, por Lincoln besonte se ishte e nevojshme për të mbrojtur bashkimin dhe për të siguruar fundin e skllavërisë.

Schindler’s List (1993)

Filmi tregon historinë e vërtetë të Oskar Schindler, një biznesmen gjerman që fillimisht shfrytëzon punëtorët hebrenj për përfitime personale gjatë Holokaustit. Me kalimin e kohës, Schindler përdor mitmarrjen, manipulimin dhe kontaktet e tij në partinë naziste për të shpëtuar mbi 1,000 hebrenj nga kampet e përqendrimit. Ai përkulet ndaj të paligjshmes dhe korrupsionit, duke u bërë "joetik" për të ndaluar një të keqe më të madhe.

Jean Valjean në Les Misérables (Victor Hugo)

Valjean, një ish-i dënuar, arratiset dhe thyen ligjin për të shpëtuar jetën e një vajze të re, Kozeta, dhe për të ndihmuar të varfrit. Ai i shpëton përndjekjes së inspektorit Javert, i cili përfaqëson ligjin e pamëshirshëm. Edhe pse veprimet e tij shkelin ligjin, Valjean mbetet një hero i ndershëm, i udhëhequr nga një ndjenjë më e lartë drejtësie dhe mëshire.

Eliot Ness në The Untouchables

Në përpjekjen për të ndaluar Al Capone dhe korrupsionin që kishte përpirë Çikagon, Ness dhe skuadra e tij përdorin metoda të paligjshme, si shantazhi dhe dhuna. Edhe pse shkel disa parime për të luftuar mafian, Ness mbetet një figurë që lufton për drejtësi dhe për të rikthyer ligjin në një qytet të kapur nga korrupsioni.

I tregova disa nga shembujt kur “shpëtimtarët” janë bërë “pis” me shpresën që lexuesi të ketë ndryshuar sado pak optikën e tij ndaj “shpëtimtarit” të bërë “pis”. Sakrifica që një hero bën duke “u bërë pis” shpesh trondit besimin e njerëzve, veçanërisht në një shoqëri që idealizon moralin e pastër dhe kërkon drejtësi të pakompromis. Kjo krijon një kontradiktë të thellë: si të bindësh popullin se veprimet e diskutueshme të “shpëtimtarit” janë një e mirë e domosdoshme, dhe jo tradhti ndaj idealeve?

Popujt shpesh projektojnë te heroi figura që mishërojnë drejtësinë, ndershmërinë dhe vlerat më të larta. Një hero që thyen këto ideale duke përdorur metoda të diskutueshme trondit këtë imazh, duke krijuar zhgënjim dhe mosbesim. Njerëzit mund ta shohin këtë si dobësi ose hipokrizi, pa e kuptuar kontekstin dhe qëllimet afatgjata. Nëse veprimet e heroit bien në kundërshtim me ligjet ose normat morale të njohura, populli shpesh i sheh ato si të korruptuara, pavarësisht nëse këto veprime janë për një qëllim të mirë.
Në një shoqëri të polarizuar ose të korruptuar, populli mund të mos jetë në gjendje të dallojë mes "mjetit të pistë" dhe "qëllimit fisnik".

Popujt shpesh veprojnë me emocion dhe jo racionalitet. Besimi tek një lider është i brishtë dhe mund të shembet nëse lideri perceptohet si i pabesueshëm. Kur një lider bëhet pis, turma mund të ndiejë tradhti, duke harruar kontributet ose qëllimet e tij për të mirën e përgjithshme. Lideri (Shpëtimtari i bërë “pis”) jo vetëm që sakrifikon integritetin personal, por shpesh edhe reputacionin e tij te njerëzit që përpiqet të ndihmojë.

Nëse populli nuk kupton që sakrifica është për të mirën e përgjithshme, heroizmi i tij mbetet i pavlerësuar ose madje i keqinterpretuar. Historia është e mbushur me raste ku heronjtë janë tradhtuar nga njerëzit që përpiqen të shpëtojnë. Sokrati, për shembull, u ekzekutua nga qytetarët e Athinës, edhe pse ai kishte kaluar jetën duke sfiduar mendësinë për t’i ndihmuar ata të mendojnë më thellë. Giordano Bruno u dogj në turrën e druve për idetë e tij, të cilat më vonë u vlerësuan si themelore për zhvillimin shkencor.

Paradoksi i perceptimit qendron në kontradiktën mes “duarve të ndyra” dhe një qëllimi të pastër që shpesh është shumë komplekse për t'u kuptuar nga masa. “Shpëtimtari” i bërë “pis” për tu kuptuar nga masa ka dy qasje: t’i hapë sytë popullit ose ta edukojë atë. Alternativa e parë është e shpejtë dhe drejtpërdrejtë, e dyta kërkon kohë, gjatë së cilës dëmtohet qëllimi.

Neprmjet alternativës së parë lideri (Shpëtimtari I bërë “pis”) duhet te të përpiqet të shpjegojë motivet dhe qëllimet e tij për të bindur popullin se veprimet e tij janë për të mirën e përbashkët.

Një rrëfim i hapur për sakrificën personale që ai bën mund të rrisë mirëkuptimin dhe empatinë nga turma. Shpesh, vetëm kur veprimet e liderit japin rezultate konkrete, populli fillon të kuptojë sakrificën e tij.Me rikthimin e rendit dhe goditjen e  korrupsionit, heroizmi i tij mund të njihet dhe vlerësohet.Pa dyshim shëmbulli personal I liderit duke vazhduar të jetë I qëndrueshëm në qëllimet e tij dhe të mos bjerë në tundimin për të përfituar nga “pisllëku” ku është përfshirë krijon një model të fortë morali që gradualisht fiton respektin e popullit.

Në fillimet e tij, “shpëtimtari” i bërë “pis” është i pafalenderuar nga populli në momentin e sakrificës së tij. Për këtë arsye, lideri i bërë “pis” duhet të ketë durim, qëndrueshmëri dhe reflektim, por mbi të gjitha ai nuk duhet të harrojë në asnjë çast që dëmtimi i iluzionit të drejtësisë që populli kërkon është më shkatërrues sesa ndonjë e keqe tjetër që heroi përpiqet të ndalojë. Lideri shpesh përballet me detyrën për të mbrojtur iluzionin e drejtësisë dhe moralit, edhe kur kjo kërkon të fshehë të vërtetën. Populli ka nevojë për një simbol të pastërtisë dhe shpresës që të ndjekë dhe të besojë, edhe kur kjo pastërti është një gënjeshtër taktike. Populli jeton me iluzione, jo me të vërteta. Populli shpesh nuk ka kapacitet ose dëshirë për të kuptuar kompleksitetin moral të realitetit. Për ta, drejtësia nuk është një sistem i ndërlikuar, por një simbol i pastërtisë dhe fuqisë së së mirës mbi të keqen. Prandaj, nëse lideri pranon publikisht "përuljen" e tij morale, turma do ta interpretojë atë si dëshmi të dobësisë dhe korrupsionit. Kjo rrëzon imazhin e “shpëtimtarit” dhe hap rrugën që e keqja të justifikojë sundimin e saj: "Shikoni, ai nuk ishte më i mirë se ne."

Pra, në përpjekje të tij, lideri ndodhet vazhdimisht përballë paradoksit të heshtjes dhe transparencës. Lideri duhet të pranojë se do të keqkuptohet dhe do të gjykohet si "i pistë," por nuk mund të lejojë që e vërteta të trondisë besimin e popullit. “Shpëtimtari” i bërë “pis” duhet të bëjë sakrificë të dyfishtë, e cila është thelbësore. Jo vetëm që ai bën veprime të pamoralshme për të mirën e përgjithshme, por gjithashtu pranon të mbajë fajin dhe ndëshkimin pa shpjeguar arsyet e tij.

Në momente të caktuara, lideri duhet të hesht, duke “ja dhënë fjalën” rezultateve. Krijimi i një ndryshimi real dhe të qëndrueshëm pasohet nga vlerësimet e popullit, i cili nuk ka nevojë të dijë hollësitë e procesit. Kjo strategji kërkon kohë dhe durim, por shpesh është e vetmja mënyrë për të siguruar që sakrifica e heroit të mos shkojë kot. Lideri duhet të ruajë një iluzion të drejtësisë dhe pastërtisë, por mund të promovojë në mënyrë delikate idenë se drejtësia është një proces në zhvillim, jo një koncept absolut. Kjo ndihmon popullin të kuptojë se edhe veprimet e "gabuara" mund të jenë pjesë e një qëllimi më të madh. Ndoshta këtë lideri mund ta bëjë vetëm në botimin e ditarit të tij pas shumë vitesh.

Pra, në momente të caktuara, heshtja ka më shumë vlerë se sa e vërteta. Më poshtë po japim disa shembuj kur heshtja është “partitura” e duhura:

Oskar Schindler në Schindler’s List:
Schindler përdori korrupsionin, mashtrimin dhe marrëdhëniet me nazistët për të shpëtuar qindra jetë hebrenjsh gjatë Holokaustit. Nga jashtë, ai dukej si një bashkëpunëtor i nazistëve. Ai nuk u përpoq të shpjegonte veprimet e tij para turmës, duke e ditur se askush nuk do ta kuptonte ose do ta falte. Vetëm pas përfundimit të luftës, veprimet e tij dolën në dritë si një akt heroik.

Michael Collins dhe Lufta për Pavarësi në Irlandë:
Collins, lideri i revolucionit irlandez, përdori metoda të ashpra, përfshirë spiunazhin dhe ekzekutimet, për të çmontuar pushtetin britanik. Ai e dinte që shumica e popullit irlandez nuk do të miratonte këto metoda, kështu që ai ruajti një profil publik të një "patrioti të pastër," ndërsa punonte në heshtje për të siguruar pavarësinë.

Populli ka nevojë për një “shpëtimtar” të pastër për të besuar, edhe kur ky hero vepron në mënyra të papastra për të mbrojtur atë komunitet. Kjo krijon një barrë të rëndë për heroin: jo vetëm të bëhet pis për të mirën e përgjithshme, por edhe të mbrojë iluzionin e drejtësisë që e mban shoqërinë të bashkuar.

Në këtë kontekst, heroizmi i vërtetë nuk qëndron vetëm te sakrifica morale, por edhe te aftësia për të përballuar urrejtjen dhe mosmirënjohjen e njerëzve që ai përpiqet të shpëtojë. Vetëdija se mund të mbetet i pakuptuar dhe i përçmuar është pjesë e çmimit të heroizmit të “pistë.”

Heroi hesht për të ruajtur shpresën
Turma ka nevojë për një hero të pastër për të besuar, edhe kur ky hero vepron në mënyra të papastra për të mbrojtur atë turmë. Kjo krijon një barrë të rëndë për heroin: jo vetëm të bëhet pis për të mirën e përgjithshme, por edhe të mbrojë iluzionin e drejtësisë që e mban shoqërinë të bashkuar. Në këtë kontekst, heroizmi i vërtetë nuk qëndron vetëm te sakrifica morale, por edhe te aftësia për të përballuar urrejtjen dhe mosmirënjohjen e njerëzve që ai përpiqet të shpëtojë. Vetëdija se mund të mbetet i pakuptuar dhe i përçmuar është pjesë e çmimit të heroizmit të “pistë.”

Kjo është një pikë kyçe dhe ndoshta një nga kontradiktat më të mëdha të heroit të bërë "pis". Edukimi i turmës, që në thelb është mënyra për të ndërtuar një popull të ndërgjegjshëm dhe të aftë për të kuptuar sakrificën e heroit, është një proces i gjatë dhe i lodhshëm. Por heroi shpesh operon në një krizë kohe, ku vendimet dhe veprimet duhet të ndërmerren menjëherë për të shmangur katastrofa më të mëdha. Kjo e vë heroin në një pozitë edhe më të vështirë: të shpëtojë popullin dhe të sakrifikojë besimin e tyre në të, për hir të një qëllimi më të madh.

Historia tregon se popujt shpesh i përbuzin heronjtë që bëjnë "punën e pistë" për të shpëtuar shoqërinë, por këto sakrifica janë thelbësore. Problemi është se, ndërkohë që heroi sakrifikon për ta, turma shpesh është e zënë duke gjykuar ose përçmuar veprimet e tij, pa e kuptuar se ai është duke vepruar për ta. Në thelb, “shpëtimtari” i bërë “pis” është një figurë tragjike. Ai mbart kontradiktën e të qenit shpëtimtar që duhet të sakrifikojë besimin e popullit për të siguruar të mirën e tyre. Ai operon në një botë ku populli ka nevojë për të, por nuk e kupton, kur nuk ka kohë për t’u shpjeguar dhe e vërteta e tij mund të mbetet e pathënë përjetë.

Turma nuk është e gatshme të kuptojë sakrificat morale në momentin kur ndodhin. Çdo përpjekje për ta edukuar do të dukej si një justifikim i dobët ose manipulim. Historia tregon se vetëm me kalimin e kohës dhe pas rezultateve konkrete, popujt fillojnë të vlerësojnë sakrificat e heronjve të tyre.

Prandaj, “shpëtimtari” i bërë “pis” duhet të pranojë që populli nuk do ta kuptojë në moment. Në vend që të harxhojë energji duke shpjeguar, ai duhet të fokusohet në arritjen e rezultateve që do të flasin për të në të ardhmen. Ai duhet të jetë i gatshëm të lërë gjurmë të qarta të integritetit të tij në veprimet e tjera, në mënyrë që turma të ketë arsye për të besuar se edhe veprimet e tij të errëta janë për një qëllim të lartë. Qëndrimet e dyshimta të liderit duhet të pasohen nga dëshmi të pastërtisë.

A është e mjaftueshme hapja e mendjes së turmës nëpërmjet edukimit, apo nevojitet fillimisht një ndryshim material për t’u hapur “sytë”? Edukimi si proces shoqëror kërkon kohë dhe stabilitet material. Nëse një shoqëri është e zhytur në kaos, korrupsion apo pabarazi materiale, procesi i edukimit nuk ka kohë dhe as mbështetje për t’u zhvilluar. Populli nuk është i gatshëm të kuptojë sakrificat morale të liderit pa ndryshuar realitetin e tij të përditshëm. Për ta thënë ndryshe, një popull i uritur dhe i shtypur nuk ka luksin të meditojë mbi filozofinë morale të sakrificës së heroit.

Populli shpesh nuk i kupton idetë abstrakte ose argumentet filozofike. Turma është më e prirur të kuptojë realitetin e saj përmes përvojave praktike sesa teorive të ndërlikuara. Kjo është arsyeja pse heroi shpesh duhet të demonstrojë ndryshimin përmes veprimit të drejtpërdrejtë sesa përmes shpjegimit. Heroi i bërë “pis” mund të përdorë pragmatizmin si mjet për të ndërtuar besim. Ai i tregon popullit rezultatet, dhe ai gradualisht do të kuptojë që "pisllëku" ishte një sakrificë. Ndryshimet konkrete në jetën e përditshme e shtyjnë atë të shohi ndryshimin dhe të kuptojë pse heroi veproi siç veproi, duke u bërë “pis”. Pra, ndryshimet materiale i “hapën sytë”.

Sipas filozofisë marksiste, kushtet materiale (ekonomia, mënyra e prodhimit, statusi social) përcaktojnë ndërgjegjen e njerëzve. Kjo ka disa implikime për heron e bërë "pis".
Populli e shikon realitetin përmes ekonomisë. Nëse një shoqëri është e zhytur në korrupsion dhe pabarazi ekonomike, perceptimet morale të turmës priren të jenë të deformuara nga ky realitet. Në një botë të korruptuar, veset shpesh perceptohen si normale dhe virtytet si naive. Heroi i bërë “pis” duhet të transformojë realitetin material të popullit para se ai të jetë i gatshëm të kuptojë motivet e tij.
Pabarazia ekonomike i ndihmon të këqijtë. Në një krizë materiale, ku shumica e popullit është e varfër dhe e dëshpëruar, "e keqja" lulëzon sepse manipulon nevojat bazë të njerëzve (ushqim, siguri, privilegje). Heroi i bërë “pis” duhet të pranojë se ndryshimi moral dhe kulturor vjen vetëm pas një ndryshimi ekonomik dhe strukturor.
Ndryshimi material është si parakusht për ndryshimin e mendësisë së popullit. Heroi mund të ndihmojë turmën të arrijë ndërgjegjësimin moral duke transformuar kushtet e tyre materiale. Kur njerëzit fillojnë të jetojnë në një realitet më të drejtë dhe më të qëndrueshëm, ata janë më të prirur për të kuptuar arsyet dhe sakrificat e heroit të bërë “pis”.
Heroi i bërë “pis” në kushte të krizës materiale dhe kohës që i mungon mund të shndërohet në një katalizator të shpejtë për ndryshim nëpërmjet reforme ekonomike të papritur, përmbysjes së pushteteve të korruptuara dhe krijimit të një shembulli të dukshëm të drejtësisë në veprim.
Lufta e Lee Kuan Yew kundër korrupsionit në Singapor ishte e pamëshirshme dhe, për disa, dukej autoritare. Por rezultatet që solli – zhvillim ekonomik dhe mirëqenie – hapën sytë e qytetarëve dhe krijuan besim të qëndrueshëm. "Shpëtimtari i bërë "pis” nuk ka kohë të ndryshojë ndërgjegjen shoqërore përmes edukimit teorik. Ai duhet të veprojë për të ndryshuar kushtet materiale të popullit, duke i dhënë këtij të fundit një arsye praktike për të kuptuar ndryshimin. Populli i hap sytë vetëm pasi sheh efektet e veprimeve të heroit në jetën e tij të përditshme.
Koha e pamjaftueshme e “shpëtimtarit” të bërë “pis” dhe mundësia për transformimin e popullit krijojnë një kontradikte pothuajse tragjike. Heroi vepron për turmën, por nuk mund të presë që turma ta kuptojë menjëherë. Rezultatet dhe koha janë të vetmet gjykatës të sakrificës së tij. Pra, ai sakrifikon jo vetëm pastërtinë morale, por edhe lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me besimin e turmës.
Kur flasim për heronjtë e bërë “pis” në kontekstin modern dhe udhëheqës shtetesh, duhet të kemi parasysh liderë që, për të arritur një të mirë më të madhe, kanë marrë vendime të diskutueshme, ndonjëherë të pamoralshme ose të errëta. Këta liderë shpesh janë përballur me gjykimin e turmës dhe të historisë, por kanë lënë pas trashëgimi që shërben si provë e rezultateve të sakrificave të tyre.
Shembuj të shpëtimtarëve të bërë “pis” në kohët moderne:
Franklin D. Roosevelt (SHBA)

Situata: Roosevelt është një nga presidentët më të vlerësuar të SHBA-së, i njohur për udhëheqjen gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore.

Veprimi “i pistë”: Ai mbështeti krijimin e kampeve të përqendrimit për japonezo-amerikanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, një akt që sot konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, bëri aleancë me liderë si Stalini, duke i bërë lëshime për të fituar luftën.

Rezultati: Ai stabilizoi ekonominë amerikane me New Deal-in dhe ndihmoi në fitoren e aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, duke formuar një rend botëror më të sigurt.

Kontradikta: Veprimet e tij mbeten morale në një shkallë historike, por turmat e kohës e kritikuan ashpër për shumë vendime.

Winston Churchill (Britani e Madhe)

Situata: Kryeministri i Britanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i njohur për qëndrimin e tij të palëkundur kundër nazizmit.

Veprimi “i pistë”: Churchill qëllimisht la disa qytete britanike të pambrojtura nga bombardimet gjermane për të ruajtur sekretin e zbulimeve të radarëve. Gjithashtu, urdhëroi shpërndarjen e grurit nga India gjatë urisë së Bengalit në 1943, duke shkaktuar miliona viktima.

Rezultati: Ai siguroi që Britania dhe aleatët fituan Luftën e Dytë Botërore.

Kontradikta: Edhe pse shpëtoi botën nga nazizmi, disa nga veprimet e tij u konsideruan si të pamëshirshme dhe të padrejta.

Lee Kuan Yew (Singapor)

Situata: Kryeministri i parë i Singaporit, që e transformoi vendin nga një shtet i prapambetur në një superfuqi ekonomike dhe model të stabilitetit.

Veprimi “i pistë”: Lee përdori masa autoritare për të eliminuar korrupsionin dhe për të imponuar rendin. Kundërshtarët politikë burgoseshin pa gjyq dhe liria e shprehjes kufizohej ashpër.

Rezultati: Politikat e tij të forta çuan në zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe ngritën cilësinë e jetesës së qytetarëve në nivelet më të larta globale.

Kontradikta: Ai është vlerësuar si shpëtimtari i Singaporit, por metodat e tij shpesh përshkruhen si autoritare dhe të pandershme.

Charles de Gaulle (Francë)

Situata: Udhëheqës i Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë President i Francës.

Veprimi “i pistë”: De Gaulle shpesh bëri marrëveshje pragmatike me regjimet koloniale për të mbajtur paqen në Francë, përfshirë vendime të dhimbshme si largimi nga

Algjeria, pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm brenda vendit.

Rezultati: Ai i siguroi stabilitet Francës dhe luajti një rol kyç në ruajtjen e identitetit të saj si një fuqi e madhe botërore.

Kontradikta: Përpjekjet e tij për të balancuar interesat koloniale dhe kombëtare u panë si tradhti nga disa, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një gjeni politik.

Anwar Sadat (Egjipt)

Situata: President i Egjiptit që nënshkroi traktatin e paqes me Izraelin në 1979.

Veprimi “i pistë”: Sadat hyri në bisedime me Izraelin, një hap që shumë arabë e konsideruan tradhti ndaj kauzës palestineze dhe botës arabe. Ky veprim shkaktoi zemërim të gjerë në rajon.

Rezultati: Traktati i paqes me Izraelin i dha fund një periudhe të gjatë konflikti dhe stabilizoi Egjiptin ekonomikisht dhe politikisht.

Kontradikta: Pavarësisht arritjeve të tij, ai u vra nga ekstremistët egjiptianë që e panë atë si një "hero të pistë."

Deng Xiaoping (Kinë)

Situata: Lider që transformoi ekonominë kineze nga një sistem i centralizuar komunist në një nga ekonomitë më dinamike dhe të fuqishme në botë.

Veprimi “i pistë”: Deng përdori forcën për të shtypur protestat e studentëve në Sheshin Tiananmen në vitin 1989, duke shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve.

Rezultati: Ai bëri reforma që lejuan rritje ekonomike të jashtëzakonshme, duke e bërë Kinën një fuqi globale.

Kontradikta: Edhe pse arriti zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik, metoda të tilla autoritare mbeten të papranueshme nga shumë.

Abraham Lincoln (SHBA)

Situata: President i SHBA-së gjatë Luftës Civile, që shpëtoi unitetin e vendit dhe shfuqizoi skllavërinë.

Veprimi “i pistë”: Për të ruajtur unionin, Lincoln pezulloi disa të drejta kushtetuese, përfshirë habeas corpus-in, dhe mori vendime që shumë i konsideronin si abuzime me pushtetin ekzekutiv.

Rezultati: Ai ruajti SHBA-në si një komb të bashkuar dhe hapi rrugën për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.

Kontradikta: Veprimet e tij ishin të diskutueshme në atë kohë, por sot Lincoln vlerësohet si një nga liderët më të mëdhenj të historisë.

Çfarë i bashkon këta heroj?

Veprime të Diskutueshme: Secili prej tyre ka marrë vendime që në dukje shkelin parimet morale ose demokratike.

Rezultate të Pamohueshme: Në fund, këta liderë arritën të sjellin ndryshime të mëdha dhe të rëndësishme për shoqëritë e tyre.

Kritikë dhe Lavdi: Ata janë njëkohësisht të kritikuar dhe të lavdëruar, duke mbartur barrën e sakrificës për të mirën e përgjithshme.

Në këto shembuj, heronjtë e bërë “pis” nuk i shikojnë veprimet e tyre si të pabesa, por si nevojë për të arritur një qëllim më të madh. Kontradikta mes sakrificës dhe rezultateve mbetet thelbësore për të kuptuar se si ata mund të shihen si heronj nga historia.

Në përfundim, heronjtë e bërë “pis” modernë nuk janë të përsosur. Ata shpesh veprojnë në zona gri morale, por trashëgimia e tyre përcaktohet nga rezultati përfundimtar. Pyetja mbetet: A janë të gatshëm popujt të pranojnë që pastërtia morale nuk është gjithmonë e mundur në betejën për drejtësi dhe zhvillim? Përgjigjja e kësaj pyetjeje varet nga raporti midis mirëqenies materiale dhe normave morale të popullit.

Mirëqenia bashkëjeton me indiferencën morale. Kur mirëqenia është e lartë në shoqëri me standarde të larta jetese, njerëzit kanë më pak shqetësime për nevojat bazë dhe më shumë prirje për të toleruar “papastërtitë morale” të udhëheqësve, për sa kohë që këto veprime sigurojnë stabilitet, zhvillim dhe një jetë të qetë. Në vendet perëndimore me demokraci të konsoliduar, qytetarët shpesh janë indiferentë ndaj skandaleve politike për sa kohë ekonomia funksionon mirë dhe shërbimet publike janë të qëndrueshme. Rasti i liderëve si Deng Xiaoping në Kinë tregon se shumica e popullsisë toleroi shtypjen politike për shkak të përfitimeve ekonomike.

Kur mirëqenia është e ulët në shoqëri që përballen me varfëri dhe pasiguri, njerëzit janë më të ndjeshëm ndaj devijimeve morale të liderëve. Në këto raste, papastërtia morale e perceptuar shpesh shihet si tradhti, sepse mungesa e rezultateve konkrete i bën popujt më të ashpër në gjykim. Në vende në zhvillim, ku korrupsioni shihet si pengesë për përmirësimin e jetës, edhe një gabim i vogël mund të shkaktojë protesta të fuqishme.

Në shoqëri të zhvilluara, liderët mund të justifikojnë "veprimet e pista" duke u bazuar në përfitime konkrete: rritja ekonomike, mirëqenia sociale, siguria kombëtare. Populli shpesh i sheh këto veprime si të nevojshme ose të pashmangshme. Për shembull, vendet skandinave kanë nivele të larta mirëqenieje dhe shpesh i tolerojnë liderët që marrin vendime të vështira për emigracionin apo taksat.

Në shoqëri të varfra, liderët që bëjnë veprime të pista mund të perceptohen si oportunistë ose si të korruptuar, për sa kohë rezultatet pozitive mungojnë. Korrupsioni i perceptuar është më i dhimbshëm sepse dëmton të ardhurat e pakta të popullit.

Për të shpjeguar pse lideri bëhet “pis,” nevojiten rezultate konkrete, sepse populli beson atë që sheh. Nëse një lider, përmes sakrificave morale, sjell zhvillim të prekshëm ekonomik, arsimi më të mirë, apo infrastrukturë moderne, populli bëhet më i prirur për ta toleruar dhe për ta mbështetur. Ndryshimi në mirëqenie transformon ndërgjegjen. Kur njerëzit përjetojnë përmirësime të prekshme, ata janë më të gatshëm të kuptojnë kompleksitetin moral të vendimeve të liderëve.

Tony Blair në Mbretërinë e Bashkuar, pas ndërhyrjes në Irak, përjetoi një humbje të thellë të besimit, pavarësisht zhvillimit ekonomik që kishte sjellë më parë. Kjo sepse përfitimet materiale nuk ishin të drejtpërdrejta për qytetarët.
Presidenti Lula da Silva i Brazilit (i akuzuar për korrupsion në të kaluarën) fitoi përsëri mbështetjen popullore, sepse populli e lidh atë me uljen e varfërisë dhe përmirësimin e jetës.

Në shoqëri të varfra ose të pasigurta, iluzionet morale janë shpesh një mekanizëm mbrojtës. Populli kërkon liderë të pastër sepse i sheh ata si shpresën e fundit në një botë të padrejtë. Një lider që deklaron haptas “veprimet e tij të pista” shkatërron këtë iluzion, duke përhapur pesimizëm dhe destabilizim. Por, iluzioni thyhet kur rezultatet materiale ndryshojnë realitetin. Populli pranon që liderët mund të jenë të papërsosur nëse përfitojnë nga kjo papërsosmëri (p.sh., vendet autoritare si Kina apo Rusia). Në këtë rast, sakrificat morale të liderit perceptohen jo si “krime,” por si pragmatizëm për të mirën e përgjithshme.

Në fund, për të “hapur sytë” e turmës, një lider duhet të përmbushë dy kushte: Të tregojë rezultate konkrete që ndikojnë jetën materiale të popullit dhe të mos heqë dorë plotësisht nga iluzioni moral, duke ruajtur një balancë midis pragmatizmit dhe idealizmit. Korrupsioni i perceptuar është i dhimbshëm për popullin, jo vetëm sepse mund të dëmtojë të ardhurat e tij, por sepse e përkeqëson shpërndarjen e mundësive dhe burimeve. Shpërdorimi i fondeve publike, ku paratë që mund të shpenzoheshin për infrastrukturë, shëndetësi ose arsim, përfundojnë në xhepat e individëve të lidhur me politikanët dhe funksionarët. Mungesa e mundësive për zhvillim kur korrupsioni pengon investimet dhe zhvillimin, edhe ata që janë në nivele të ulëta të të ardhurave ndihen të goditur për shkak të mungesës së mundësive për përmirësim.

Perceptimi i korrupsionit mund të jetë po aq i dhimbshëm sa vetë korrupsioni. Për popujt që jetojnë në kushte të vështira, mendimi se politikanët ose udhëheqësit po e shfrytëzojnë pushtetin për përfitime personale mund të shkaktojë depresion shoqëror dhe mungesë shprese, sepse ata ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen e tyre. Ky perceptim mund të shkaktojë një mosbesim të thellë në institucione, duke i bërë njerëzit të mos besojnë se mund të ndryshojnë kushtet e vështira. Në një shoqëri ku korrupsioni është i përhapur, pabarazia sociale dhe ekonomike përkeqësohet. Ata që janë më të pasur dhe më të fuqishëm mund të arrijnë më shumë përfitime, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë mund të përjetojë një "prapambetje" të vazhdueshme, pa mundësi për t'u ngritur në nivelin ekonomik.

Në marrëdhëniet dhe feedback-in e liderit të bërë “pis” me popullin dhe perceptimin e tij, një rol të veçantë, delikat dhe të rëndësishëm luan media.
Raportet e mediave, veçanërisht kur ato janë të korruptuara ose të kontrolluara nga interesat e fuqishme politike ose ekonomike, mund të transformojnë narrativën dhe të minojnë çdo mundësi për edukimin e popullit. Kjo është një nga sfidat kryesore me të cilat përballen ata që mund të dëshirojnë të shpjegojnë moralitetin dhe nevojën për sakrificat e bëra nga heroët e bërë "pis". Ka disa mënyra se si mediat e korruptuara e shtrijnë dhe e përkeqësojnë këtë situatë:

Manipulimi i imazhit të liderit të bërë "Pis"

Mediat që janë të korruptuara mund të përdorin narrativa të shtrembëruara për të njohur, justifikuar ose denigruar veprimet e udhëheqësve të cilët janë bërë të "pis." Ato mund të përdorin stereotipe të forta për të etiketuar një lider si “hajdut,” "tradhtar" ose "kriminel," pavarësisht nga qëllimet e tij dhe arritjet që ka sjellë për popullin. Nëpërmjet fushatave të dezinformimit, mediat përpiqen të largojnë vëmendjen nga përfitimet ekonomike dhe sociale që mund të ketë sjellë ky lider, duke u fokusuar në veprimet e tij të “papastra,” të cilat mund të shfaqen si shkaktarë të problemit.

Gjithnjë e më shumë po përdoret nga mediat dhe ato sociale “kultura” e informacionit shumë të shpejtë dhe pa filtra, duke ndihmuar shpesh në shpërndarjen e një imazhi të thjeshtuar dhe deformuar të liderit të bërë “pis.”

Në epokën moderne, mediat sociale dhe lajmet e shpejta shpesh ndihmojnë në shpërndarjen e informacionit pa e analizuar plotësisht. Kjo mund të shpërndajë imazhin e heroit të bërë “pis,” duke e paraqitur atë si një person që ka bërë vetëm keq, pa pasur mundësi të shpjegojë motivet dhe arsyet e veprimeve të tij. Në këtë mënyrë, narrativa përfundon e formuar shumë shpejt dhe çdo mundësi për edukimin e turmës në lidhje me moralin dhe nevojën për sakrificën e udhëheqësve bëhet shumë e vështirë. Kjo shpejtësi e informacionit dhe përmbajtja sensacionale shpesh është e pamjaftueshme për të hapur një dialog të thellë dhe të matur mbi moralin dhe sakrificat që bëhen për të mirën e shoqërisë.

Ky efekt negativ i “kulturës” së informacionit të shpejtë dhe pa filtra shumëfishohet kur media kontrollohet nga elita dhe interesat ekonomike. Kur media është e korruptuar, ajo mund të kontribuojë në humbjen e besimit të përgjithshëm të popullit ndaj informacionit. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta për edukimin e masës. Kur populli është i mësuar me manipulim dhe lajme të deformuara, ata bëhen më të vështirë për t'u edukuar dhe kuptuar situatat komplekse si ajo e një udhëheqësi që ka bërë "pis" për të shpëtuar shoqërinë. Toleranca për korrupsionin dhe papastërtitë rritet nëse media vazhdon të krijojë narrativa që i shohin këto veprime si të nevojshme ose të justifikuara, duke zbehur çdo mundësi për një edukim të mirëfilltë moral. Këto qasje janë aq delikate sa prishja e ekuilibrit midis këtyre alternativave të mediave mund të pasohet nga ngjarje të mëdha destabilizuese të shoqërisë.

Në këtë kontekst, faktori i edukimit është i brishtë dhe shumë i ndjeshëm. Pavarësisht se udhëheqësit mund të kenë një mision të mirë për të shpëtuar popullin nga kriza, edukimi i masave për të kuptuar nevojën për të bërë "pis" është një mision që mund të dështojë në një atmosferë të kontrolluar nga media të korruptuar. Kur media i shërben interesave të ngushta dhe manipuluese, masa mund të shohë vetëm anën negative të situatës, duke krijuar një spiralë negativiteti dhe mosbesimi. Në një shoqëri ku media është e kontrolluar nga interesat e ngushta, edukimi i turmës dhe shpjegimi i sakrificës së heroit të bërë "pis" bëhet një mision shumë i vështirë. Narrativat e deformuara dhe manipulimi i informacionit mund të thellojnë pabarazinë dhe mungesën e besimit në udhëheqës. Për të edukuar popullin dhe për të arritur kuptimin e vërtetë të situatës, kërkohet një ndryshim i thellë në mënyrën se si media operon dhe një përpjekje për të krijuar më shumë transparencë dhe informim të saktë dhe të besueshëm.

• Mediat mund të paraqesin heronjtë e bërë "pis" si të nevojshëm për stabilitetin politik dhe ekonomik, duke përdorur mekanizma të shfrytëzimit të frikës dhe pasigurisë për të minimizuar kritikën e veprimeve të tyre.

• Në këtë rast, turmat nuk kanë mundësi të shohin dhe kuptojnë kontekstin e veprimeve të liderëve, sepse media është e kontrolluar dhe manipuluar për të shërbyer interesat e grupeve që janë në pushtet.

Shkelja më e rëndë e etikës gazetareske është edhe manipulimi i informacionit pa frikë dhe pa skrupuj, i cili krijon një situatë të padrejtë dhe të rrezikshme për shoqërinë. Kur media bën të bardhën të zezë, shpif dhe shkel çdo normë, ajo minon besimin e publikut dhe bën më të vështirë mbrojtjen e të drejtave të individëve dhe interesit publik.
Një taktikë tjetër e zakonshme që përdoret nga mediat e korruptuara është akuzimi i çdo tentative për të përballuar përgjegjësinë si censurë ose dhunë ndaj fjalës së lirë. Kjo është një strategji për shpërqendrimin e vëmendjes nga abuzimi me informacionin. Kur dikush përpiqet të përballet me pasojat e shpifjes, media manipulon opinionin publik duke e paraqitur si një akt të censurës ndaj lirisë së fjalës. Akuza e medias për censurë dhe dhunë ndaj fjalës së lirë bëhet me qëllimin djallzor edhe për të forcuar pozicionin e saj, duke bërë që njerëzit të ndihen të pafuqishëm dhe të pavendosur për të reaguar ndaj pasojave të shpifjes dhe keqpërdorimit të informacionit. Me këtë “akuzë” media mundohet të minojë çdo mundësi për përgjegjësi dhe transparencë, duke shfaqur si viktima ata që manipulojnë dhe shpifin.
Për të luftuar këtë fenomen dhe për të përballuar mediat që shpifin dhe manipulojnë, janë të nevojshme ligje më të forta për mbrojtjen e të drejtës për informacion dhe për ndëshkimin e shpifjes, forcimi i shtetit të së drejtës dhe institucioneve të pavarura, të cilat mund të veprojnë si mbrojtës të integritetit të informacionit dhe lirisë së fjalës pa e lejuar shpifjen dhe manipulimin, duke forcuar edukimin e popullatës për të dalluar dezinformimin dhe manipulimin e mediave, duke e bërë më të vështirë për mediat e korruptuara të përhapin narrativa të gabuara.

Krijimi i mediave të pavarura dhe transparente, të cilat mund të ofrojnë një alternativë për informacion të saktë dhe të besueshëm është një alternativë e cila do të funksiononte vetëm në vendet skandinave.

Në fund të fundit, justifikimi i shpifjes dhe manipulimit të informacionit nga mediat, përmes përdorimit të akuzave për "dhunë ndaj lirisë së fjalës," është një formë e fuqishme e kontrollit dhe manipulimit. Kjo krijon një atmosferë ku njerëzit e pafajshëm dhe heronjtë mund të diskreditohen, dhe individët që abuzojnë me pushtetin mund të mbrohen. Kjo kërkon një angazhim të fortë për të mbrojtur të drejtën e informacionit dhe për të siguruar që media të jetë përgjegjëse dhe e drejtë, duke e bërë të mundur që të shprehen dhe të shpërndahen të vërtetat që janë thelbësore për shoqërinë.
Jam i sigurtë që qasjet e mësipërme për liderin e bërë “pis” do të kenë kundërshti nga lexuesit e ndryshëm, por kam edhe shpresën që do të gjejnë ose kujtojnë disa të vërteta.

Charles Sidney Burwell, duke zbatuar teorinë e relativitetit të Einstein, thoshte studentëve të tij:
“Half of what we are going to teach you is wrong, and half of it is right. Our problem is that we don't know which half is which.” (Gjysma e asaj që do t'ju mësojmë është e gabuar dhe gjysma tjetër është e saktë. Problemi është se nuk e dimë cila gjysëm është e saktë dhe cila e gabuar.")
Duke gjetur gjysmën e saktë, e cila pas disa viteve jam I sigurt qe s’ do te jetë më gjysëm por më shumë do të jemi në gjendje të kuptojmë thonjëzat tek lideri i bërë “pis.”

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 11:38

    Buxheti 2025, a duhet pranuar amendamenti i PD-së për minimumin jetik?



×

Lajmi i fundit

Vrojtimi i BSH/ Ndërtimi optimist, rritet kërkesa për prona! Turizmi ‘pesimist’, ndikoi rënia e ‘bumit’ të sezonit veror! Besimi në ekonomi u ul me 0,4% në Nëntor

Vrojtimi i BSH/ Ndërtimi optimist, rritet kërkesa për prona! Turizmi ‘pesimist’, ndikoi rënia e ‘bumit’ të sezonit veror! Besimi në ekonomi u ul me 0,4% në Nëntor