Nuk është e njëjta pamje si në kohë virozash këtu në qendrën shëndetësore nr. 10 pranë zonës së Oxhakut në Tiranë. Nuk ka njerëz që ankohen apo kërkojnë ndihmë mjekësore për Covid. Ata reagojnë ndryshe nga çdo rast tjetër infektimi apo patologji. Madje edhe kur kanë shenja të ngjashme me sëmundjen që po trondit botën, qytetarët nuk vrapojnë drejt klinikave duke mos dashur të besojnë se janë infektuar por edhe për të mos u ekspozuar.

Në qendrën shëndetësore nr.10,  20 qytetarë aktiv po trajtohen nga mjekët e familjes, ku mesatarisht një i tillë ka 10-12 pacientë. Jonida Diko tregon për Report Tv se numri i të infektuarve është rritur gjatë muajit gusht dhe vazhdon të rritet.

Jonida Diko thotë se për shkak të frikës qytetarët hezitojnë të shtrohen në spitalet covid por një vendim i tillë nuk mbetet në dorë të tyre. Mjekja shpjegon se një nga shenjat kryesore të pacientëve të prekur nga covid është gjendja e rënduar psikologjike, faktor ky që ndikon tek vetë ata por dhe tek familjarët.