Kur Elida Cangonji, mjekja e njohur psikiatre për fëmijë dhe drejtuese prej vitesh e qëndrës për fëmijët me probleme, trokiti në redaksinë tonë, patëm të njëjtin hezitim: Ka të drejtë Elida (shumë e njohin dhe në interpretimin e disa filmave të Kinostudios Shqipëria e Re)apo Bashkim Ulaj, një nga biznesmenët më të fuqishëm dhe më të pasur të kësaj periudhe tranzicioni në Shqipëri, me të cilin ajo ka konfliktin e radhës? Përplasja këtë herë është mes tyre dhe nis që në vitin 2005 pas marrjes së lejes për ndërtimin e një pallati shumëkatësh nga ana e kompanisë së z.Ulaj mbi tokën e trashëguar nga familja e Elida Cangonjit nga patrioti i shquar Kolë Kuqali.
Ky pallat është në një nga rrugët më të rëndësishme të Tiranës, në atë “Ismail Qemali”, pranë Liceut Artistik e RTSH-së. Elida, me prokurë të djalit të saj, Ilir Foti (i cili është trashëgimtari i pronës së Kolë Kuqalit), dhe bashkëpronarë të tjerë të tokës, lidhën më 25.10.2002 një kontratë që firma ndërtuese A.B.A.U. e përfaqësuar nga vëllai i Bashkimit, z. Ahmet Ulaj, të ndërtonte një pallat aty dhe pronarët e tokës të merrnin shpërblimet përkatëse në apartamente. Ilir Foti, djali i Elidës, sipas kontratës duhet të merrte 30 përqind të ndërtimit mbi pjesën e tij të tokës prej 430 metra katrorë (dokumenti 1 / Kontrata e 2002). Ilir Foti, djali i Elida Cangonjit, do të përfitonte sipas asaj kontrate 2 apartamente, 2 vende parkimi në garazh dhe një lokal 194.5 m2.
Punët shkuan mbarë e mirë deri kur Elida Cangonji në rolin e përfaqësueses me prokurë të të birit Ilir, që jetonte në Itali, zbulon kontratën që kompania kishte dorëzuar në Bashkinë e Tiranës për ndërtimin 3 vite më pas, atëherë kur u mor dhe licensa në vitin 2005, e ku, sipas kontratës, do të vendoseshin dhe hapësirat e ndërtuara që do t’i takonin Ilir Fotit dhe familjes së Elida Cangonjit.
“Ishte një kontratë totalisht false, që as unë dhe as pronarët e tjerë të ligjshëm nuk e kishim parë me sy e jo më ta kishim firmosur, - tregon Cangonji për Shqiptarja.com, - nuk po i besoja dot syve: Nuk ishte kontrata e lidhur prej nesh në 2002, por një tjetër, që sipas tyre ishte lidhur në prezencën e noteres Xhevahire Brahaj më 26.01.2005. (Dokumenti 2 – Kontrata false e vitit 2005). Sipërfaqja e ndërtimit ishte rritur nga 430 m2 në 572 metra katrorë dhe të gjitha firmat tona ishin false komplet. Firma ime ishte falsifikuar në kohën që unë isha nisur në Indonezi që prej 20 janarit 2005, deri më 10 shkurt 2005 për të ndihmuar fëmijët nga pasojat e Cunamit”.
Për të treguar këtë Elida ka marrë dëshminë nga sistemi Tims dhe data e largimit të saj nga Shqipëria përkon me datën e lidhjes së kontratës false për ndërtim nga ana e Ulajt dhe dorëzimin e kësaj kontrate ne Bashkinë e Tiranës (Dokumenti 3/ Vertetim nga sistemi Tims me datën e daljes nga Shqipëria më 20.01.2005 dhe hyrja e Elida Cangonjit në Tiranë më 10.02.2005) “Në kontratën që i ishte dorëzuar Bashkisë – tregon Cangonji – kishte dhe shtesa të tjera. Ishte shtuar një deklaratë noteriale përsëri e falsifikuar, ku përjashtohej firma ABAU dhe z. Ahmet Ulaj dhe në vend të tyre ndërtimin do e bënte Gener 2 në emër të Bashkim Ulajt.
Në këtë kontratë është false firma ime, firma e babait tim Musa Cangonji dhe firma e z. Ilir Selenica si përfaqësues i pronarit Parid Zhegu”. Për të gjitha këto z. Cangonji ka dokumentet e ekspertit të prokurorisë dhe deklaratën e z. Ilir Selenica.
Këtu nis përplasja e fortë e Elida Cangonjit me ndërtuesin Bashkim Ulaj.
“Në gjithë këto vite nis lufta ime e vetme, si grua, nënë, me këtë njeri që me anë të ndihmës së shtetit tentoi deri të na shpronësojë, duke shpikur sikur toka ku qe ndërtuar vila e patriotit Kolë Kuqali, me të cilin ne jetuam një jetë të tërë, na paskësh qenë e shtetëzuar në vitin 1964”, tregon Cangonji. “Me këtë dokument të turpshëm dhe prapë fals , Bashkim Ulaj kërkoi të na i merrte të gjitha, madje dhe ta paguanim ne për ta dëmshpërblyer atë. Ai kërkoi të nëpërkëmbte jo vetëm kujtimin e një qytetari e nënpunësi të ambasadës amerikane që nuk jetonte më, por të na hiqte në mënyrë kriminale, i ndihmuar nga shteti, pronën tonë”.
Elida, në gjithë këtë histori, nuk ka qenë pronarja e drejtpërdrejtë e pronës, por ka pasur prokurën e djalit të saj Ilir Foti, pasi ai ka qenë trashëgimtari direkt i shtëpisë së Kolë Kuqalit. Nën insitimin e Elidës dhe kërcënimin për të dërguar nga ana e saj të çështjes në gjyq dhe për ta bërë publike, Bashkim Ulaj është tërhequr të paktën nga lufta e tregimit se ishte “pronë e shtetit”. Hidhërimi i Elida Cangonjit është pikërisht i këtyre ditëve kur ajo mëson se djali i saj Iliri dhe Bashkim Ulaj kanë bërë një marrëveshje dhe bien dakord që të rivendosin marrëdhëniet si në kontratën e parë të bërë në 2002, për ndërtimin në 430 metra katrorë duke hequr dorë nga marrja e kuotave të shtesave të bëra nga Ulaj gjatë ndërtimit.
Dhe njëkohësisht duke përjashtuar “nënën rebele” nga përfaqësimi. Por ajo nuk dorëzohet nga përgjegjësia që ndjen për të treguar të vërtetën.
“E kam bërë publike dhe më parë këtë histori dhe dua të vazhdoj të bëj të ditur se si të pasurit e sotëm, si Bashkim Ulaj janë bërë të pasur: Ata kanë shkelur njerëzit me këmbët e veta, por dhe të ndihmuar nga struktura shtëtërore si policia, prokuroria, hipotekat, administrata”, thotë Elida me hidhërim. “E kuptoj fare mirë, pse im bir Iliri u tërhoq. Ai nuk ka besim te kjo Drejtësi dhe mendoi ta mbyllte çështjen me atë pak përfitim, pa llogaritur ato që realisht na takojnë nga shtesat e bëra nga Ulaj dhe nga sipërfaqja e zmadhuar e ndërtimit.
Por sidomos duke mbuluar përgjithmonë ato turp te falsifikimi të firmës time, babait tim e të tjerëve”.
Elida tregon se në luftën e saj me mullinjtë e erës ka takuar dhe njerëz që e kanë inkurajuar dhe që kanë qenë të drejtë. “Edi Rama më tha që të mos i dahem rrugës ligjore. Sali Berisha më dha një sekretar të tijin të merrej me konfiktin tim, por në rrugë e sipër u dorëzua: “do t’i them shefit – më tha – se nuk mund ta vazhdoj më këtë histori”. Nishani, gjithashtu, nuk më zgjidhi asnjë punë. Gjithashtu dhe Kreshnik Spahiu, atëherë nënkryetar i KLD-së, pasi më tha se gjykatësja duhej përjashtuar, nuk bëri asgjë. Deri te një nëpunëse e Ambasadës Amerikane, e cila, pasi e takova e i tregova historinë m’u shpreh: “Po ti kërkon të ndeshesh me një elefant”. Kam një respekt të veçantë për Ina Ramën, e cila bëri që prokuroria të niste hetimet, të merrte ekspertët dhe të zbulonte se firmat tona nuk ishin tonat, por të falsifikuara”, tregon Cangonji. Por verdikiti i eskpertit erdhi vonë, se ndërkohë vepra penale për falsifikim ishte parashkruar, dhe prokuroria ka mbyllur çështjen”.
“Meqë sot flitet për Drejtësi dhe Reforma të saj - perfundon psikiatrja Elida Cangonji - unë si qytetare, si një njeri që jam betuar të thotë të vërtetën, e ndjej veten të detyruar të tregoj dhe të dëshmoj për këtë intrigë biznes-shtet-politikë që mbi kurriz e kam vuajtur që nga viti 2007 e deri më sot. I bëj apel Prokurorisë dhe Drejtësisë, nëse e tillë do të jetë, të hetojë edhe ndërtimin tjetër të z. Ulaj, në rrugën Mustafa Matohiti, ku jeton ish-kryeministri Sali Berisha. Ai pallat, gjithashtu, është bërë mbi vërtetime pronësie të falsifikuar”, akuzon Elida Cangonji, duke deklaruar për Shqiptarja.com se është e hapur të flasë e të dëshmojë para Drejtësisë dhe para kujtdo media.
Shënim i redaksisë: Pasi mësoi për intervistën e z. Elida Cangonji, djali i saj Ilir Foti, përmes një e-maili na bëri të ditur se mes tij dhe Gener2 nuk ka asnjë mosmarrëveshje dhe se mamaja e tij Elida Cangonji nuk e përfaqëson në këtë çështje.
Redaksia online
A.N shqiptarja.com