Mjekja Mira Xhixha: Alergjitë
e stinës ja si t’i trajtojmë

Mjekja Mira Xhixha: Alergjitë<br />e stinës ja si t’i trajtojmë
TIRANE - Stina e pranverës është një stinë që shumica prej nesh e pret me padurim. Por për personat që janë alergjikë kjo stinë është një nga stinët ndoshta më pak të pëlqyera, pasi me mbërritjen e kësaj stine ata fillojnë të kenë probleme me shëndetin. Rritja e temperaturave dhe rrezatimi diellor shoqërohen me shfaqjen e sëmundjeve alergjike, karakteristike për stinën e pranverës.

Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e alergjive janë të shumta, që nga ndotja e ajrit dhe deri te mënyra e jetesës dhe e ushqyerjes. Për problemet që vijnë nga alergjitë dhe mënyrat se si duhet të trajtohen këto probleme flet mjekia alergologia Mira Xhixha, mjeke në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, në Tiranë.

Doktoreshë Mira nga se shkaktohen alergjitë?
Janë disa bimë barishtore si: grami ose loliumi (bimë të egra dhe të kultivuara). Në familjen e gramit bëjnë pjesë mijëra lloje bimësh, të cilat nxjerrin polenin në muajt e pranverës në hapësirë. Kjo fazë vjen pas fazës së lulëzimit dhe zgjat disa javë. Gjatë kësaj kohe shkaktohen alergji tek persona të veçantë.

A preken të gjithë njerëzit nga alergjitë?
Jo të gjithë njerëzit preken nga alergjitë. Një alergji prek një person alergjik. Janë persona të veçantë të cilët kanë aftësi për ta kundërshtuar një substancë që është në ambientin e jashtëm, një substancë me natyrë proteinike.

Këta janë persona të ndjeshëm të cilët kundërshtojnë dhe i përgjigjen poleneve apo dhe substancave të tjera që ndodhen në mjedis në një mënyrë të ndryshme krahasuar me personat e tjerë “normale” të cilët nuk reagojnë. Kjo bën që në trupin e tyre të zhvillohen reaksione apo sëmundje alergjike të ndryshme.

Si arrijnë në organizëm këto substanca?
Këto shkaktarë kontaktojnë me organizmin tonë nëpërmjet lëkurës dhe nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Polenet futen në mushkëri me anë të ajrit dhe bien në kontakt me mukozën e hundës, grykës dhe bronkeve, dhe pezmatimi alergjik zhvillohet në një apo në të gjitha nivelet e rrugëve të frymëmarrjes.

Cilat janë shenjat e alergjisë?
Një person alergjik teshtin shumë, shpesh, teshtima të njëpasnjëshme, kullim të ujshëm të hundëve, bllokim të hundëve dhe më pas frymëmarrja merret nëpërmjet gojës, skuqje të syve, kruarje të lëkurës rreth hundës dhe kollë të thatë. Këto janë simptomat, por një person mund të ketë edhe vetëm njërën prej këtyre shenjave, pra mund të mos i ketë të gjitha shenjat karakteristike.

Cilat simptoma hasen më dendur?
Më shpesh hasen persona që shfaqin shqetësime të rrufës. Por alergjia mund të shfaqet edhe vetëm me kollë të thatë, me marrje fryme, apo me ndjenjë shtrëngimi në gjoks, pra me shenja të Astmës Bronkiale,e cila mund dhe të na prezantojë e vetme një alergji nga polenet .

Si duhet të veprojë ai person që ka këto shenja? A mund të bëhet diçka për ta parandaluar?
Pacientët duhen drejtuar menjëherë tek mjeku. Nuk mund të parandalohet sepse bëhet fjalë për kontaktin me ajrin. Polenet janë në ajër dhe një person sapo del nga shtëpia ka thithur ajër të pasur dhe me grimca polenesh të ndryshme.

Simptomat fillimisht konsiderohen si një grip apo si një virozë, por nëse shqetësimet vazhdojnë me shume se 2 javë, duhet t’i shkojë në mendje se kjo është një alergji dhe të kontaktojë me mjekun.

A ka komplikacione alergjia?
Sëmundja fillon në formë të lehtë, por nëse nuk shkon te mjeku ajo mund të rëndohet. Shqetësimet rëndohen dhe ndërhyjnë në aktivitetin e përditshëm jetësor të personit. Mund të kalojë në bronke shqetësimi e më pas në mushkëri duke shfaqur astmën. Shqetësimet rëndohen dhe komplikohen.

A ka faktorë të tjerë që precipitojnë alergjitë?
Faktorë të tjerë që ndihmojnë në shfaqjen e sëmundjeve ka shumë. Mund të përmendim ndotjen e ajrit. Tek ne ajri është shumë i ndotur, por edhe faktorë të tjerë si mënyra se si jetojmë dhe ushqehemi. Është i rëndësishëm trajtimi dhe përcaktimi i diagnozës.

Në cilët muaj të pranverës shfaqen më tepër shenjat e alergjisë ?
Alergjitë e pranverës fillojnë në fund të marsit dhe vazhdojnë deri në qershor. Kulmi i këtyre alergjive arrin në maj, por kjo është e varur edhe nga kushtet atmosferike. Ditët me shi bëjnë që të ulet poleni në ajër, këto ditë janë ditë të mira për personat alergjikë. Ndërsa ditët me diell dhe me temperaturë të lartë janë ditët më të këqija për personat alergjikë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK