POLICAN - Një mjek i qendrës shëndetësore në Poliçan ka denoncuar në polici kryetarin e bashkisë Adriatik Zotkaj se e ka dhunuar për shkak të bindjes së tij politike dhe për t’i ushtruar presion në prag të zgjedhjeve vendore që mbahen në qershor. Mjeku Dritan Hoxha ka telefonuar redaksinë e televizioni A1 Report për të rrëfyer këtë ngjarje, e cila sipas tij ndodhi këtë mëngjes në sy të pacientëve ndërsa Hoxha ishte në orarin e punës. Përmes A1 Report, ai i bëri apel kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm që të mbajnë qëndrim ndaj Zotkaj, i zgjedhur vendor prej 3 vitesh në Bashkinë e Poliçanit nën siglën e Partisë Socialiste.
 
mjeku polican
(Në foto: Mjeku i dhunuar Dritan Hoxha)

Po përmes ekranit të A1 Report, është bërë i njohur edhe qëndrimi i vetë kryetarit të Bashkisë së Poliçanit përballë këtyre akuzave. Zotkaj tha se mjeku gënjen pasi sipas kryebashkiakut , Hoxha nuk është përfshirë fare në konflikt.  Për të vërtetuar qëndrimin e tij Adriatik Zotkaj tha se do t’i vë në dispozicion policisë pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të qytetit, ndërsa shtoi se do të kallëzojë për denoncim të rremë mjekun Dritan Hoxha. Zotkaj premtoi se do t’i bënte publike pamjet përmes A1Report, por ka ndryshuar mëndje më tej duke deklaruar se do ia dorëzojë prokurorisë.

Ai thotë se konflikti ka ndodhur mes tij dhe disa personave të tjerë të cilët sipas tij janë me precedentë penalë dhe e kanë penguar të ushtrojë detyrën. Sipas kryebashkiakut këto sulme janë bërë edhe më parë ndaj tij në prag të fushtatës elektorale, duke akuzuar se janë me sfond politik.
 
qendra shendetesore polican
(Në foto: Qendra shëndetësore në Poliçan)

Hoxha: Kryetari i bashkime po dhunonte nje qytetar, pasta me sulmoi mua ne sy te pacienteve
Sipas dëshmisë së mjekut, kryetari i bashkisë bashkë me 4-5 persona të tjerë kanë qenë duke dhunuar një qytetar para ambienteve të qendrës shëndetësore dhe se Hoxha ka tentuar të ndërhyjë për t’i dhënë ndihmë të dhunuarit. Duke parë agravimin e situatës, mjeku thotë se është distancuar dhe ka pritur në ambientet e spitalit në përfundimin e konfliktit që më tej t’i jepte ndihmën personit të dëmtuar, që sipas tij quhet Enver Daja.
 
Më tej, sipas Hoxhaj, kryetari i bashkisë është futur në ambientet e qendrës spitalore dhe e ka dhunuar, ndërsa në korridorin e spitalit ndodheshin edhe persona të tjerë.
 
Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike në A1 Report, Hoxhaj tha se nuk i di motivet pse kryebashkiaku po dhunonte qytetarin, por shprehu dyshimet se sulmi ndaj tij është me sfond politik.  


“Unë pash që po keqtrajtohej një qytetar, si mjek qe jam e kam për detyrë t’i vij në ndihmë.  nuk ndërhyra se e pash që situata ishte shumë e ndërlikuar, prita në qendër që ta mjekoja më vonë. Në këtë moment kryetari i bashkisë më sulet me vrap në sy të pacientëve më godet me grushte disa herë duke më dëmtuar në syrin e majtë. Unë bëra denoncimin në komisariatin e policisë dhe do ndjek rrugën ligjore. 
 
Kryetari i bashkisë me njeh se ne 3 mjekë jemi të gjithë dhe Poliçani është i vogël, por nuk kam pasur asnjë konflikt dhe më habit ky veprim. Por në natyrën e tij kryetari i Bashkisë njihet për veprime të tilla, nuk është hera e parë që ndodh. Vetëm fjalë fyese dolën nga goja e tij, nga goja ime nuk doli asnjë fjalë. Arsyet e këtij veprimi të dhunshëm ndaj meje i di vetëm ai.
 
Ai po dhunonte një qytetar, Enver Daja e ka sepse e njoh edhe ata, ishin 4-5 persona që po e dhunonin, unë dallova kryetarin e Bashkisë. Ndoshta zgjedhjet që po afrojnë bëjnë që kryetari i Bashkisë të irritohet. Ka sfond politik për shkak të zgjedhjeve, ky është një presion që ndodh ndaj meje. Doja t’i bëja thirrje kryeministrit dhe ministrit të mbajnë qëndrim ndaj këtij personi”,
tha për A1 Report mjeku Hoxha.

Flet kryetari i Bashkisë për A1 Report: Mjeku gënjen, nuk ishte në konflikt
 Në një lidhje telefonike për televizionin A1 Report kryetari i Bashkisë së Poliçanit i mohoi të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, duke thënë se mjeku Hoxha gënjen, pasi sipas tij ai nuk ishte fare pjesë e konfliktit dhe nuk është goditur prej tij. Për të vërtetuar qëndrimin e tij Adriatik Zotkaj do t’i vë në dispozicion policisë pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të qytetit, ndërsa shtoi se do të kallëzojë për denoncim të rremë mjekun Dritan Hoxha.
 
Ai thotë se konflikti ka ndodhur mes tij dhe disa personave të tjerë të cilët sipas tij janë me precedentë penalë dhe e kanë penguar të ushtrojë detyrën ndërsa ishte duke shkuar në një kontroll rutinë në shkollat e qytetit. Sipas kryebashkiakut këto sulme janë bërë edhe më parë ndaj tij në prag të fushtatës elektorale, duke akuzuar duke akuzuar se janë me sfond politik
 
“Duke ushtruar detyrën time si kryetar i bashkisë jam penguar dhe provokuar nga një grup njerëzish me qëllim të caktuar që ndodh shpeshherë gjatë fushatave elektorale, çdo prag fushate pengohem nga persona me precedentë të mëparshëm penalë. Zoti Dritan Hoxha nuk kishte lidhje me konfliktit dhe nuk ishte pranë ambienteve të spitali po ishte jashtë ku një grup njerëzish prej 10 vetash më kanë penguar të ushtroj detyrën. Ne kemi kamerat e qytetit që do ja vë në dispozicion policisë, do bëj kallëzim për denoncim të rremë. Nuk jam futur në ambientet e spitalit.  Ai është një mjek si gjithë të tjerët dhe nuk ka lidhje me politikën.  Kamerat do tregojnë komplet konfliktin dhe pozicionin e mjekut se ku ka qenë. Nuk e kam qëlluar Dritan Hoxhën dhe kjo është e filmuar nëpërmjet kamerës. Nuk ka vend për komente kur gjithçka është e filmuar”.