TIRANE - Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për A1 Report mjeku kardiolog në spitalin Rajonal të Vlorës, Metlli Deraj, dha detaje për gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut të qytetit bregdetar Shpëtim Gjika, i cili u arrestua këtë pasdite në banesën e tij.
 
Mjeku Deraj tha se Gjika mbërriti në spital me tension të lartë dhe me dhimbje të forta në gjoks, por shtoi se nëse gjendja e tij nuk do të përkeqësohet, kryebashkiaku mund të lë spitalin gjatë së shtunës.
 
“Zoti Shpëtim Gjika ka ardhur me tension të lartë 19.5, me një dhimbje gjoksi dhe për këtë është mbajtur në reanimacion për ta ndjekur në dinamikë. Gjika ka bërë një analginë, një qetësues dhe mund të komunikojë. Do të shikojmë çfarë problemi do të ketë, nuk mund ta parashikojmë se sa do të qëndrojë. Po të jetë qetë mund të dalë edhe nesër, nëse do të agravohet gjendja do të duhet të jetë nën kujdesin mjekësor”, u shpreh për A1 Report mjeku Deraj.
 
Kardiologu Deraj tha se kryetari i Bashkisë së Vlorës ndodhet nën monitorimin e forcave blu, ndërsa i pyetur nëse Gjika mbërriti i prangosur në spital apo jo, Deraj tha se nuk ka dijeni për këtë fakt pasi e gjeti të shtruar në reanimacion.
 
“Policët janë prezentë në korridor. Unë e gjeta direkt në reanimacion, mjekun kardiolog e thërret mjeku roje për konsulencë. E gjeta të shtrirë që po e shikonte mjeku roje, doktor Pëllumbi dhe pastaj u futa në konsulencë për të parë gjendjen e tij. Nuk e di nëse erdhi i prangosur. Ka qenë shtruar para një vitit e gjysmë me të njëjtat simptoma, por këtë radhë ka edhe tension të lartë, ky është ndryshimi”, u shpreh mejku kardiolog.
 
Gjika u arrestua këtë pasdite sëbashku me drejtoreshën e Planifikimit të Territorit në Bashkinë e Vlorës, Doriana Sulaj dhe biznesmeni Artur Haxhi. Dyshohet se Gjika dhe vartësja e tij kanë dhënë leje të jashtëligjshme për ndërtimin e një pallati 11-katësh në Vlorë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)