Një pilulë e re që merret çdo ditë po ngjall shpresë për pacientët me kancer të pankreasit, një nga format më vdekjeprurëse të kancerit në botë. Sipas rezultateve të një studimi të ri, ilaçi daraxonrasib ka arritur të dyfishojë kohën e mbijetesës te pacientët me sëmundje të avancuar.
Rezultatet u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO) në Çikago, ku shumë specialistë e cilësuan zhvillimin si një moment historik në trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Studimi përfshiu 500 pacientë me kancer pankreasi të përhapur në organizëm. Sipas të dhënave, pacientët që morën daraxonrasib jetuan mesatarisht 13.2 muaj, ndërsa ata që u trajtuan me kimioterapi jetuan rreth 6.6 deri në 6.7 muaj.
“Këto rezultate ndryshojnë gjithçka. Po shohim nivele mbijetese që nuk i kemi parë më parë”, tha Dr. Rachna Shroff, drejtuese e onkologjisë në Qendrën e Kancerit të Universitetit të Arizonës.
Ajo tregoi se u emocionua kur lexoi rezultatet e studimit.
“Pas 16 vitesh duke trajtuar pacientë me kancer pankreasi, fillova të qaja. Ky është një studim me ndikim të jashtëzakonshëm për pacientët tanë”, tha mjekja.
Edhe Dr. Julie Gralow, një nga drejtueset e ASCO-s, e cilësoi ilaçin si një “ndryshim loje” në luftën kundër sëmundjes.
Kanceri i pankreasit konsiderohet një nga kanceret më agresive, pasi në shumë raste zbulohet vetëm kur është përhapur në pjesë të tjera të trupit. Më shumë se gjysma e pacientëve diagnostikohen në faza të avancuara, kur mundësitë e trajtimit janë të kufizuara.
Daraxonrasib vepron duke bllokuar proteinën Kras, e cila luan rol kyç në zhvillimin e shumicës së rasteve të kancerit të pankreasit. Sipas studiuesve, mbi 90% e pacientëve me formën më të zakonshme të kësaj sëmundjeje kanë mutacione në këtë gjen.
Ekspertët besojnë se rezultatet e këtij studimi mund të hapin rrugën për një epokë të re në trajtimin e kancerit të pankreasit, duke ofruar më shumë kohë dhe shpresë për mijëra pacientë në mbarë botën.
Komente









