Nutricionisti Altin Joka, i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv, ka ndarë me publikun disa këshilla për shumë prej pikëpyetjeve që kemi lidhur me konsumimin e produkteve apo edhe vakteve. Ai ka shpjeguar edhe disa informacione të cilat shpeshherë keqinterpretohen, duke dhënë informacione të gabuara.
Kafeja, a është e dobishme për shëndetin?
Studimet tregojnë se personat që konsumojnë kafe kanë jetëgjatësi më të madhe dhe përfitojnë efekte të ndryshme shëndetësore. Analizat kanë treguar se ata që pinë kafe kanë tendencë të jetojnë më gjatë, ndërsa personat që nuk konsumojnë kafe kanë më shumë gjasa të preken nga sëmundje kardiovaskulare, si ataket kardiake, apo edhe nga sëmundje të tjera, përfshirë tumoret. Këto përfitime janë vërejtur edhe në lidhje me diabetin. Vetëm për sëmundjen e Parkinsonit janë realizuar 11 studime.
“Kafeja është e ndërtuar nga acidi kuinik, i cili është pjesë e vaksinave për sistemin imunitar. Ajo ka mangan, antioksidantë, vitamina B2, B5, B9 dhe 16 mijë fitonutrientë. Pirja e kafesë esëll nuk ndikon, nuk është e dëmshme dhe nuk lidhet me kortizolin. Nuk ka prova që dëmton kur pihet esëll. Mund të pihen 3-4 filxhanë, por qëndroni më mirë te mesatarja, pra 2 kafe në ditë. Në darkë nuk duhet të përdoret, pasi dobëson gjumin dhe mund të krijojë probleme”, thekson Joka.
Ata që vuajnë nga tensioni duhet të jenë të kujdesshëm, por mund ta konsumojnë. Nuk ka asnjë provë pse nuk duhet konsumuar kafeja me qumësht.
Mëngjesi, a është vakti më i rëndësishëm i ditës?
A duhet ngrënë gjithmonë mëngjes? Jo domosdoshmërisht. Merreni përgjigjen nga sinjalet e trupit tuaj.
Ka studime, ndërsa revista amerikane e nutricionit e sheh mëngjesin si të dobishëm, por nga ana tjetër ka edhe studime që tregojnë se agjërimi në mëngjes mund të rregullojë dhe qetësojë trupin, duke bërë një detoksifikim. Ai që ka nivel të lartë aktiviteti mund të ketë nevojë për kalori.
“Dëgjoni trupin tuaj, kjo është e rëndësishme”, këshillon Joka.
Darka, a duhet ngrënë?
Ka njerëz që çohen herët në mëngjes dhe nuk konsumojnë shumë drekë. Patjetër që mund të hanë darkën. Ne varemi nga hormonet tona, të cilat funksionojnë nga ritmi cirkadian. Zgjimet, aktiviteti i ditës etj., ndikojnë. Mjafton që të mos konsumojmë rëndë dhe të hamë dy orë para gjumit. T’i mohosh vetes darkën nuk më duket logjike. Trupi ynë është ndërtuar në mënyrë perfekte. Duhet të kuptosh nëse ke uri të vërtetë apo ndikohesh nga stresi.
A është buka armike e shëndetit tonë?
Nëse ka një nga ushqimet më të transformuara, është buka. Mielli është varfëruar dhe rafinuar shumë. Miellit i hiqen krundet, fibrat dhe mineralet dhe mbetet gluten dhe niseshte. Më pas pasurohet me suplemente dhe minerale shtesë. Sot, më shumë se 40 për qind e glutenit është më i përqendruar. Bujqësia po përdor substanca problematike. Fermentimi ndodh brenda një ore dhe kjo sjell probleme në organizëm. Niveli i acidit propionik është i shtuar që buka të rrijë gjatë dhe të mos krijojë myk. Fryrësit ndikojnë shumë. Disa elemente zbardhin dhe plakin miellin.
Prodhimi i aloksanit ndikon në pankreas. Zgjidheni bukën vetë, me drithëra të plota. Atëherë konsumojeni. Është e rëndë në dorë, por e lehtë për stomakun.
Mishi, a rekomandohet të konsumohet çdo ditë?
Menuja me proteina duhet të ketë ekuilibër dhe balancë. Mishi nuk mund të jetë primar. Mishi i pulës është gjashtëfishuar në konsum, ndërsa mishi i viçit është dyfishuar. Kafshët dhe ushqimi në ferma sjellin probleme. Ndaj, dieta më e mirë është 80 për qind bimë dhe 20 për qind mish. Veganët e kanë hequr mishin, grupi i dytë thotë se duhet konsumuar 200 gramë në ditë, ndërsa grupi i tretë thotë se dy ose tre herë në javë është i mjaftueshëm.
Qumështi, sa i dobishëm është?
Të gjitha shkollat e mendimit na kanë mashtruar në lidhje me qumështin çdo mëngjes për kockat. Një fushatë e mbështetur, në Harvard u bënë shumë studime dhe dolën në rekomandime që qumështi që konsumohet çdo ditë nuk ka të tilla rezultate. Qumështi i kutive ka sjellë probleme me laktozën. Qumështi i papërpunuar ka shumë acide yndyrore, ndryshe nga ai i kutive.
Dilemat për konsumimin e vajit të kokosit
Vaji i kokosit a është i shëndetshëm? Disa thonë po, disa thonë jo!
“Ka studime që thonë se është ndër vajrat më të shëndetshëm. Konsiderohet si “pema e jetës”. Ndikon te metabolizmi, përmban elemente që përmirësojnë zemrën dhe nivelin e kolesterolit, është antiinflamator, ruan shëndetin e zemrës dhe ka vitaminë E, kalcium, magnez etj,”, thotë Joka.
Ketonet furnizojnë trurin pa pasur nevojë për insulinë. Është i mirë edhe për pastrimin e mëlçisë dhe për trajtimin e disa kancereve.
Konsumimi i sheqerit
Sheqeri, niveli i obezitetit dhe sëmundjet kardiovaskulare vijnë nga sheqeri. Veç kësaj, sjell probleme me hiperaktivitetin, astmën, lëkurën, shkakton probleme me hemorroidet dhe ekzemat, dëmton strukturën e ADN-së tonë, dëmton pankreasin dhe sjell çekuilibër hormonal. Të gjitha këto sjellin edhe rreziqe për kancer në laring apo zorrë. Duhet të jemi shumë të ekuilibruar.











Komente
Komento