Mjeshtri i polifonisë
vret gruan dhe veten

Mjeshtri i polifonisë<br />vret gruan dhe veten
TIRANE- Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur në qytetin e Gjirokastrës, ku mjeshtri i polifonisë, Nexhmi Mustafaraj, ish-efektiv policie, vrau gruan e tij dhe më pas qëlloi veten. Në banesë, në momentet e krimit ka qenë vajza 25-vjeçare, e cila ndodhej në dhomën tjetër.
 
Një konflikt i çastit, motivet e të cilit mbeten mister është kthyer në një tragjedi pikërisht në ditën e Bajramit në familjen e themeluesit dhe këngëtarit të grupit polifonik “Kurora Labe” në qytetin e Gjirokastrës. Rapsodi i njohur, Nexhmi Mustafaraj, 57 vjeç pas një grindjeje më bashkëshorten e tij, e ka qëlluar atë më pistoletë poshtë nofullës, duke lënë të vdekur në vend, ndërsa më pas më të njëjtën armë, të cilën e kishte pa leje, ka qëlluar në zemër edhe veten, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Skena e krimit ka ndodhur në dhomën e gjumit të familjes Mustafaraj, në lagjen “18 shtatori”, të këtij qyteti, ndërsa në ato momente në shtëpi ka qenë edhe vajza e tyre 25-vjeçare, e cila nuk ka mundur të ndërhyje. Pas të shtënave në dhomë ka hyrë e bija, e cila është përballuar me skenën e krimit dhe e alarmuar ka njoftuar menjëherë uniformat blu. Fqinjë të familjes Mustafaraj shprehen se çifti nuk është njohur për situata problematike.

Ata pohojnë se familja Mustafaraj ka qenë e qetë dhe pa probleme xhelozie apo ekonomike. Mësohet se 57-vjeçari Nexhmi Mustafaraj, ka qenë ish efektiv i policisë së Gjirokastrës, ndërsa është angazhuar edhe me grupe te ndryshme polifonike të kësaj krahine. Aktualisht, ai punonte si përgjegjës i tregut të pakicës në qytetin e gurtë, ndërsa bashkëshortja e tij ishte shtëpiake. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota të saj.
 
Policia
Sipas të dhënave zyrtare nga policia mësohet se rreth orës 15.40 në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës ka ardhur një telefonatë se në katin e tretë të një pallati në lagjen “18 Shtatori” ka ndodhur një vrasje. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Gjirokastrës, një grup i FNSH-së dhe specialistët e Sektori Kundër Krimeve të Rënda, të cilat ishin nën drejtimin e Drejtorit të Policisë së këtij qarku.

Nga veprimet e kryera ka rezultuar se në katin e tretë të pallatit, në një banesë janë gjetur të vrarë çifti Mustafaraj, konkretisht Nexhmi Mustafaraj,57 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Zenjebi Mustafaraj, 49 vjeçe. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se rreth orës 15.30, Nexhmi Mustafaraj ka debatuar për një konflikt të çastit me bashkëshorten e tij. Në banesë ndodhej edhe vajza e tyre, Suela 26-vjeçare, me profesion avokate. Në këto kushte, Nexhmi Mustafaraj i ka kërkuar bashkëshortes që të mos debatonte në sy të vajzës dhe kanë shkuar në dhomën e gjumit, ku kanë mbyllur derën me çelës.

Pas rreth 5 minutash, vajza e çiftit Mustafaraj ka dëgjuar krisma dhe ka shkuar menjëherë në dhomën e gjumit, por nuk e ka hapur dot derën, pasi ka qenë e mbyllur me çelës dhe ka njoftuar me celular sallën operative të policisë, xhaxhain e saj dhe komshinjtë përballë. Vajza, së bashku me xhaxhain, që ka mbërritur menjëherë, pasi banon në pallatin përballë tyre kanë bërë të mundur hapjen e derës, ku kanë gjetur pothuaj pa shenja jete të dy bashkëshortët. Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca, ku dhe janë transportuar për në spitalin rajonal por s’kanë mundur dot të shpëtojnë, pasi kanë humbur jetën pa mbërritur në spital. Nga veprimet paraprake rezultoi se shtetasi Nexhmi Mustafaraj ka qëlluar me pistolete të cilën e mbante pa leje poshtë nofullave bashkëshorten e tij dhe më pas ka qëlluar në kraharor në zemër veten e tij.

Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, Rama: Grupe me menaxherë të huaj do asistojnë QSUT! Autonomi spitalore, mjekët pagesë sipas performancës

Skandali te Onkologjiku, Rama: Grupe me menaxherë të huaj do asistojnë QSUT! Autonomi spitalore, mjekët pagesë sipas performancës