Dje te Shqiptarja.com, Dhurata Hamzai tërhiqte vëmendjen që, në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, mungon krejt përcaktimi i shqipes standard, si gjuhë zyrtare e Republikës.
Me shumë të drejtë. Mjafton t’i hedhësh një vështrim të shpejtë asaj faqeje, për të kuptuar se edhe një mësues fshati, me institut pedagogjik dyvjeçar, do ta kish shkruar më mirë (shumë më mirë).
Informacioni është i krimbur në pasaktësi dhe infeksion folklorik.
Që në paragrafin e dytë lexojmë:
Gjeografi grek, Ptholemeous, ka dëshmuar ekzistencën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe që në shekullin e dytë të erës sonë.
Kuptohet se është fjala për Ptolemeun e Aleksandrisë, i cili, në shekullin II e.s., përmend fisin Albanoi, dhe kryeqendrën e tyre Albanopolis.
Por Ptolemeu nuk ka folur gjëkundi as për shqiptarë, as për gjuhën shqipe. Sikurse dihet (sikurse e di edhe bufi), shqiptarët përmenden për herë të parë në shek. XI, ndërsa gjuha shqipe edhe më vonë (në fund të shekullit XIII). Po flasim për dokumentim dhe përmendje – që nuk duhen ngatërruar me deduktimin, sa kohë që nuk ka pikë dyshimi se shqipja ka qenë aty, edhe shqiptarët kanë qenë aty; nuk u krijuan nga dokumentet.
Kjo do të thotë që paragrafi i cituar përcjell, me vetëdije, informacion të rremë.
Thuhet më tej në faqe:
Dokumenti i parë i shkruar i gjuhës bashkëkohore shqipe i përket vitit 1462.
Në fakt, ky dokument (Formula e Pagëzimit, së cilës ia kanë kontestuar tani vonë autenticitetin me argumente gjuhësore) është dokumenti i parë i shkruar i shqipes – jo thjesht bashkëkohore, por mbarëkohore.
Futja vjedhurazi e cilësorit ‘bashkëkohore’ lë të kuptohet sikur shqipja ‘e vjetër’ qenka shkruar dikur: një tjetër rrenë, sa kohë që dokumentet për këtë mungojnë.
Më pas, lexuesit i thuhet se gegërisht do të thotë “gjuha e folur në Veri të Shqipërisë“, ndërsa toskërisht “gjuha e folur në Jug të Shqipërisë.” Edhe kjo është në thelb gabim, sa kohë që nuk bëhet fjalë për gjuhë të ndryshme, po për dialekte të së njëjtës gjuhë (ndoshta do duhej thënë: “shqipja e folur…”, jo “gjuha”); dhe këto dialekte janë vërtet gjeografike, por përcaktohen me kritere gjuhësore, jo gjeografike; dhe gegërishtja flitet edhe në Shqipërinë qendrore, e cila nuk është aspak në “Veri të Shqipërisë”, ndërsa toskërishtja flitet edhe në ngulimet shqiptare në Itali, të cilat nuk janë gjë “në Jug të Shqipërisë”.
Se si mund të bëhen kaq shumë gabime në dy rreshta, këtë vetëm autorët e tekstit mund ta dinë.
Vëreni, megjithatë, djallëzinë e të quajturit të dialekteve “gjuhë”, në një faqe zyrtare.
Thuhet pastaj:
Alfabeti i gjuhës letrare shqipe ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin, i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit, më 1908.
Përsëri gabim: Kongresi i Manastirit miratoi dy alfabete: atë të Stambollit dhe atë të Bashkimit. Konsolidimi në përdorim i alfabetit të sotëm erdhi nëpërmjet praktikës (informacioni që jep Wikipedia është gjithashtu i rrejshëm; vetëm disa katolikocentrikë mbrojnë tezën, lehtësisht të përgënjeshtrueshme, se Kongresi i Manastirit e shfuqizoi Alfabetin e Stambollit.)
Lexojmë në vijim:
Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret gjithashtu dhe në disa pjesë të populluara nga shqiptarë, si Kosovë, Mali i Zi, Serbi dhe Maqedoni.
Një tjetër pasaktësi – gjuha shqipe, e folur dhe e shkruar, përdoret gjerësisht edhe, të paktën, nga arbëreshët në Itali; të cilët vërtet e quajnë atë arbërishte, por që, megjithatë, trajtohet universalisht si dialekt i shqipes, jo si gjuhë më vete.
Në fund të këtij teksti të hatashëm, të shkëputur nga enciklopedia e plehut kulturor shqiptar të pas 1990-ës, lexojmë edhe një larje duarsh:
Marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Me një fjalë, Këshilli i Ministrave, kur ka nevojë për informacion elementar rreth gjuhës shqipe, ia merrka atë Ministrisë së Jashtme… Pa çka se në Tiranë ekziston një Qendër e Studimeve Albanologjike: institucion buxhetor, me specialistë në gjendje që të ofrojnë informacion shumë më dinjitoz se paçavurja për të cilën po flasim.
Pa dyshim, asnjë njeri me mend në kokë nuk shkon të lexojë për gjuhën shqipe në faqen e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë; dhe aq më pak, në faqen e këtij Këshilli Ministrash.
Prandaj, informacioni sa më sipër, duhet kuptuar si tërësia e dijes që ka, ky institucion, për gjuhën shqipe; dhe nëse është kështu, atëherë njëfarësoj u duhet bërë e ditur, këtyre zotërinjve, që nuk e kalojnë dot klasën.
Të dhënat për gjuhën shqipe gjenden me lehtësi: mjaft të shfletosh një libër të Çabejt ose të Demirajt. Nuk ka asnjë arsye dhe asnjë shfajësim, për gjepurat që shkruhen në faqen e Këshillit të Ministrave; të cilat veç tradhtojnë mungesë profesionalizmi dhe serioziteti, ndërmjetësuar nga arroganca.
Gjë që konfirmohet, përndryshe, edhe nga mungesat të cilat i vë në dukje Hamzai në artikullin e vet; dhe që janë të tilla, që ta shndërrojnë padijen e asaj faqeje në faj ndaj qytetarit, teksa i shërbejnë objektivisht një programi kulturor i cili synon ta zëvendësojë dijen me folklor.
*Marrë nga blogu i autorit Peizazhe të Fjalës
(Gre.M/Shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com