Modeli i “tokës së djegur”

Modeli i “tokës së djegur”
Lajmi se KQZ u përfshi në krizë politike besimi e përfaqësimi nuk është i ri dhe as surprizë në Shqipëri. Të gjitha institucionet kryesore janë në kriza të tilla besimi dhe integriteti.

Dy dekada pas rënies së komunizmit ende shqiptarët nuk kanë një ide të qartë ku ndahet shteti nga pushteti politik, ku ndahet partia në pushtet nga partia shtet, ku ndahet lideri i shumicës nga lideri i sistemit monist, sesi zgjedhjet nuk vendosen nga votimi por nga blerjet e minutës së fundit të mandateve parlamentare, sesi pronarët e ligjshëm, nuk marrin dot pronat e tyre kurse zyrtarët apo miqtë e tyre bëhen milionerë me 1 euro në pronat e tjetrit.

Dy dekada pas ndryshimit të sistemit, sistemi i ri nuk ka identitet, nuk përmbush shpresat e mëdha, nuk ka arritur ta bëjë demokracinë funksionale, dhe rrezikon të përsërisë mitin e Rozafës, leximin e çdo rotacioni politik si biletë për rikthim në pikën zero. Teoria e “tokës së djegur” vijon të jetë teoria dominonte mbi parinë aktuale politike.

Faktet janë mëse publike: Parlamenti funksionon si miting / antimiting i modelit të vitit 1991, qeveria vepron si mbledhje Byroje, Presidenti noterizon çdo akt të mazhorancës, gjykatat vijojnë të shpallin të pafajshëm politikanët në pushtet dhe të dënojnë ata në opozitë, prokuroria kujdeset ta ketë mirë me të gjithë, pushteti lokal kreu rotacion tërësor pa votim por vetëm mbi bazën e trafikut të ri midis koalicioneve, administrata shkon çdo ditë me listë në mitingjet e shefave politikë.

U bënë muaj që Ministria e Jashtme nuk mban qëndrim për ankesat e qytetarëve shqiptarë në Greqi apo gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, por ka zhvilluar dy konferenca shtypi të nivelit të lartë kundër një partie politike në Shqipëri. Ministria e Brendshme nuk ka folur ende për vrasjen e 3 komisarëve, lidhjet e krerëve të policisë me krimin apo raportet kritike ndërkombëtare, por rregullisht zhvillon konferenca shtypi kundër deputetëve të opozitës.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka folur ende për trafikun e armëve drejt Libisë, as përdorimin e trupave speciale ushtarake për biznese private, por është e rregullt në daljet zyrtare kundër partive opozitare. Ministri i Drejtësisë nuk ka folur ende për dështimin e të gjitha proceseve të bujshme ekstraduese, vrasjet dhe vetëvrasjet në burgje, por vijon të jetë në vijën e parë në retorikën denigruese ndaj kritikëve politikë të qeverisë.

Ministria e Integrimit ende nuk u ka thënë shqiptarëve nëse ka përgjegjësi për dështimin e premtimit të saj kryesor 4 vjeçar, integrimin në BE, por merret gjithë ditën me sulme verbale ndaj opozitës.
E njëjta sjellje reflektohet në KQZ (pjesën e mbetur) dhe në gjitha institucionet e tjera publike, shtetërore e kushtetuese. Mbi të gjitha gjendja e financave të shtetit është në ditën më të keqe, çdo financim me rëndësi është bllokuar, si dhe të gjitha paratë kanë kaluar për përurime elektorale.

Mijëra buxhetorë presin me ankth ditën e rrogave, çmimet në treg po rriten, qeveria po fal taksa në shkëmbim të ca votave ndërkohë që buxhetet vendore janë tërësisht jashtë funksionit. Në zyrat e shtetit nuk flitet më për ligje, etikë zyrtare, imunitet dhe as status, sa flitet për gjuetinë e përkatësisë partiake, shërbimet në mitingje apo abuzimet me tenderat e fundit.

Në shkolla e kopshte nuk ka më shfaqje as festa abetaresh, por përgatitje për vizitën dhe fjalimin e radhës të kryeministrit ku u bëhet thirrje fëmijëve të bindin prindërit për të votuar pro qeverisë. Në televizionin publik nuk sheh asgjë tjetër përveçse aktivitete në orë të zgjatura me fjalime patetike të militantëve të pushtetit, apo deklarime anonime denoncuese kundër çdo figure politike antiqeveritare.

E gjithë kjo ndodh në kohën kur Shqipëria ka kusht të panegociueshëm nga BE detyrimin për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale, të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të luftojë korrupsionin. Nevoja për më shumë vota dhe për garanci politike ka deformuar tërësisht sistemin qeverisës.

Lajmi i keq është se edhe pala e dytë alternative kritikon, por në fakt mendon njësoj si qeveria. P.sh, kanë qenë të shumta deklarimet politike të opozitës se sapo të vijë në pushtet do krijojë “policinë e vërtetë” të shtetit, do emërojë “mësuesit” e vërtetë, do ndryshojë “militantët” në institucione kushtetuese etj, apo premtimet e saj pafund për punësim në shtet, - vende që sipas ligjit, fitohen me konkurs të hapur publik.

Mjafton “incidenti i Vjenës” për të kuptuar se qeveria dhe opozita kanë humbur qetësinë, se gabon si diplomati i cili e nis protestën duke thënë se ambasadat nuk janë partiake dhe e mbyll letrën duke bërë thirrje të votohet kundër opozitës, ashtu siç gabon drejtuesi i opozitës i cili imiton të njëjtën sjellje militante dhe provokuese sa edhe pala tjetër.

Gabimi nuk sjell reflektim, por shërben si burim për një krizë të re, përderisa në të përfshihet MPJ me deklaratën se jemi të pavarur por duhet votuar kundër opozitës, dhe parlamenti, që refuzon komision hetimor për trafikun e armëve dhe krijon komision hetimor kundër dikujt që nuk merr rrogë dhe as punon në shtet.

Në këtë mënyrë teoria e “tokës së djegur” dhe e “rikthimit në pikën 0” rrezikon të na penalizojë jo vetëm në fushatën dhe zgjedhjet e radhës, por edhe në gjithë procesin e rotacionit politik dhe periudhën e administrimit pas saj. Shqipëria nuk ka nevojë të ndryshojë thjesht e vetëm një emër me një emër tjetër, një teserë me një tjetër, një parti me një tjetër, një ministër me një tjetër.

Mjafton të lexohen pazaret e fundit elektorale me koalicione emrash e trafikantësh politikë për të kuptuar nivelin e lartë të degradimit të institucionit përfaqësues dhe nevojën e madhe për institucione të besueshme, të moralshme dhe me integritet të lartë.

Ndaj nevoja jetike për Shqipërinë dhe demokracinë shqiptare është ndryshimi i sistemit politik, rrëzimi i piramidës korruptive dhe abuzive në qeveri, parti, parlament, gjyqësor, polici dhe administratë, dhe zëvendësimi i saj me një sistem vlerash, të bazuar në kritere aftësie, qytetarie dhe integriteti.

Qytetarët kanë nevojë të kenë një qeveri që sillet si qeveri evropiane, një parlament që sillet si parlament evropian, një administratë që u shërben qytetarëve dhe ligjit, një ushtri që sillet si ushtri e NATO-s, një polici që merret me kriminelët jo me deputetët e opozitës, një diplomaci që mbron interesat e shtetit jo familjen në pushtet.

23 qershor është stacioni i parë i vendimmarrjes, dita kur duhet të distancohemi me votë ndaj teorisë së “tokës së djegur”. Në zgjedhje dhe vetëm në zgjedhje ka vend për reflektim dhe konkurrim cilësor, ka vend për ide e projekte të reja politike jashtë kampit dypartiak të tranzicionit, siç ka vend dhe siguri se një votë e maturuar dhe cilësore do të mund të bënte diferencën nga modelet korruptive të tranzicionit.

A mundet kjo të ndodhë? Po, ka ndodhur në çdo vend tjetër ish komunist rreth nesh, ka ndodhur me rënien masive të votave për partitë e mëdha, me sondazhet publike të zhgënjimit të lartë qytetar nga politika e vjetër apo nga raportet perëndimore paralajmëruese për të ardhmen ekonomike e sociale në Shqipëri. Shqipëria nuk bën përjashtim.

Edhe këtu do të vijë një ditë kur politika nuk do shikohet si krim, por si shërbim ndaj qytetarëve, kur të zgjedhurit nuk do të sundojnë por do shërbejnë, ku rotacionet do të jenë normale dhe ku idetë e mira do të kenë shumë më tepër vlerë sesa çirrje baltosëse dhe konfliktuale që ofron lloji parademokratik i politikanëve të “tokës së djegur”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Daily Mail’: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare, destinacioni i ri i pushimeve me ujëra bruz dhe plazhe të pacenuara

Media britanike ‘Daily Mail’: Mirë se vini në Rivierën Shqiptare, destinacioni i ri i pushimeve me ujëra bruz dhe plazhe të pacenuara