Të mbetur pa parti politike (hapësirë përfaqësimi në pushtet) ky grup individësh në emër të moralit të ri synoi forcat e reja politike dhe të refuzuar prej tyre, vitin e kaluar gjetën strehë tek LSI. Kalimi u bë mediatik dhe bombastik, me një ceremoni live në media dhe me pjesëmarrjen e kryetarit të LSI. Kalimi edhe këtë rast u bë në emër të integrimit dhe moralit qytetar. Kontrata e re morale u dha frutet e veta brenda pak ditëve dhe të njëjtët persona u graduan në poste të larta të administratës shtetërore.
Dy muaj përpara zgjedhjeve të reja dhe shanseve reale për rotacion formal politik grupimi në fjalë, bashkë me partinë më të re ku bëjnë pjesë, vendosi të kalojë përkohësisht në opozitë. Edhe në këtë rast, në emër të moralit politik. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë me 24 qershor, por me siguri, në emër të moralit politik do të gjendet një strehë e re politike me një kontratë të re emërimi në hierarkinë e lartë të administratës publike.
Dhe në çdo rast shkarkimi i personit/personave është bërë për raste të dukshme korruptive, abuzim me postin dhe shërbime të palishme për selinë e partisë mbështetëse.
Rasti në fjalë është 100% i vërtetë dhe nuk është i vetmi, përkundrazi. Raste të tilla janë të panumërt në gjithë hiearkinë politike e administrative në gjitha nivelet e qeverisjes. Për pasojë palët politike krijojnë rrethe klienteliste, rrisin numrin e anëtarëve, ndajnë poste përkundrejt kontratës financiare dhe dhurojnë imunitete politike në shkëmbim të shërbimit ndaj arkës së partisë.
Në teorinë politike sisteme të tilla konsiderohen sisteme karteli, dhe kanë për bazë modele të njëjta të partive politike në Amerikën Latine në mesin e viteve 80. Fenomene të tilla u shfaqën në dekadën e kaluar edhe në Rumani, Bullgari, Serbi, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, etj, por rasti shqiptar është dhe mbetet unik për shkak të pafuqisë për reagim dhe shndërrimit të sistemit klientelist në sistem dominues në vendimarrjen dhe sjelljen politike.
Sistemi i shkëmbimit të vendeve të punës me vota është e mbetet oferta dominuese politike edhe në këto zgjedhje parlamentare. Media publikoi formularë të PD dhe LSI që premtonin punësim në shkëmbim të votës politike, dhe se vetë liderët e këtyre partive premtuan se do të punësojnë këdo që i voton. Të njëjtin premtim bëri edhe kandidati për kryeministër në hije me ish ushatarakët apo grupet militante të papuna.
Nuk ka rëndësi statusi i nëpunësit civil, i cili për ironi është një nga tre ligjet e pamiratuara në parlament; nuk ka rëndësi kushtetuta dhe as nevoja për administrim profesional e të pavarur të posteve/fondeve publike. Rëndësi ka vota dhe shkëmbimi i saj. Pra, rëndësi ka zëvendësimi i kreut të sistemit klientelist, për ta përdorur atë në favor të liderit të ri, partisë së re, siglës dhe teserës së re.
Ndaj edhe kalimi i LSI tek PS, ose i ndonjë partie të vogël politike tek PD ndodh për të njëjtën arsye: për të shfrytëzuar konjukturat e momentit për garantimin e sistemit klientelist dhe korruptiv. Fenomeni dhe kultura e qeverisjes klienteliste, tipike për provincat e perandorisë otomane në vitet e rënies së saj, dhe sot, tipike për vendet parademokratike dhe oligarkike, - vijon të mbetet tipari dominues dhe burimi kryesor i korrupsionit politik në Shqipëri. Pasojat janë të shumëfishta.
Psh, në besimin e publikut tek demokracia. Përsa kohë qytetarët binden se në sistemin e emërimeve dhe punësimeve nuk ka vlerë diploma ose shkolla, përgatitja profesionale ose përvoja në punë, por vetëm tesera partiake, ata duhet të zgjedhin midis refuzimit të politikës ose përshtatjes me të. Në dy rastet, qytetarët dalin të humbur, demokracia përfaqësuese bëhet më e dobët dhe vetë partitë klienteliste fitojnë më shumë terren.
Humbja e dytë është në potencialet administrative të strukturës shtetërore. Praktika e ndarjes së pushtetit në përqindje krijoi situatë absurde, sipas të cilës në buxhetin shtetëror paguhen dy administrate paralele, një që punon me kontratën e re klienteliste dhe një që është shkarkuar në rrugë të paligjshme për të mundësuar emërimet partiake. Kjo praktikë ka shumëzuar me zero investimet e shumta të BE në trainimin dhe përgatitjen e kapaciteteve administrative të nëpunësve civilë, ka krijuar situata paradoksale në qeverisje, ku në çdo 4-5 punonjës të një drejtorie të gjithë punojnë paralelisht për veten dhe asnjë nuk komunikon me njëri tjetrin, pasi të gjithë janë të deleguar të partive të veçanta dhe japin llogari vetëm para kryetarit të tyre.
Humbja e tretë lidhet me rënien e dukshme të integritetit dhe efektivitetit të institucioneve publike. Vetëm gjatë 2012 janë 205 punonjës drejtues të cilët janë ricikluar në pozita drejtuese nga një post në një tjetër, nga një ministri në një tjetër, sipas kontratës me partinë që e ka deleguar. Kështu, kur një zyrtar partiak përfshihet në një skandal publik zgjidhja është e thjeshtë: askush nuk përballet me drejtësinë, por zyrtari jep dorëheqje të përkohshme, dhe brenda pak javësh emërohet në një post të njëjtë në një tjetër dikaster, larg vëmendjes publike.
Sa më të korruptuar zyrtarët, aq më shumë rriten financiat e partisë deleguese, aq më shumë ata janë të bindur ndaj kryetarit dhe klanit të tij emërues. E njëjta gjë ndodh edhe me institucionet kushtetuese. Psh, në emërimet e fundit në gjyqësor të gjithë pamë se një kandidat erdhi nga partia kryesore e qeverisë, një tjetër nga partia e dytë e qeverisë, të dy me të njëjtin kriter: kanë dhënë prova të mbështetjes politike në vendime gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë të secilës parti mbështetëse.
Humbësja kryesore në të gjithë këtë proces janë vetë qytetarët dhe sistemi demokratik në vend. Kur një politikan tregton vendin e punës, nuk e bën këtë në firmën e tij private, por në shtet, pra në strukturën që ne mbajmë në këmbë me taksat tona, - faktikisht ka tregtuar gjithçka ne kemi, votën, besimin, demokracinë dhe të ardhmen tonë.
Kur flasim për korrupsion dhe sistem klientelist shpesh harrojmë se çdo rast cënon direkt qytetarët; vidhen e tregtohen paratë e taksat e tyre, investimet që bëhen në emër të tyre, anashkalohen premtimet për zgjidhjen e problemeve të tyre, dhe tregtohet, besimi e drejta e tyre kushtetuese e ligjore. Kur një populli i vidhet vota dhe ata e pranojnë si normalitet, çfarë vlere ka pasoja e vjedhjes: vjedhja e vendit të punës, parave publike, pronës private, lirisë së medias dhe sistemit të përfaqësimit politik?
Së fundi, humbje direkte kanë edhe partitë politike respektive që praktikojnë modele të tilla. Psh, Shqipëria ka rreth 220 mijë zyrtarë që paguhen me paratë publike dhe nëse ata do ishin besnikë militantë të partisë në pushtet atëherë zgjedhjet bëhen pa vlerë, sepse 220 mijë vota bëjnë diferencën, sidomos kur diferenca praktike midis partive të vjetra është ngushtuar në 10 mijë vota.
Një pjesë e madhe e tyre tradicionalisht janë të prirur të votojnë kundër, jo vetëm thjesht nga presioni dhe pakënaqësia, por edhe për shkak të shpresës për oferta të reja politike. Pra rreth 30-40% e tyre janë individë që lëvizin nga partia në parti, në kërkim të mbijetesës në post në strukturën klienteliste që kanë ngritur partitë tradiucionale politike. Ndaj shohim vazhdimisht se partitë në qeveri deklarojnë shifra të larta anëtarësie sa herë janë në pushtet dhe shifra dyfish më të ulta kur janë në opozitë.
Psh, PD me 2006 tha se ka 105 mijë anëtarë, kur më fillim të vitit 2005 pati deklaruar në Konventën Kombëtare vetëm 74 mijë anëtarë; PS në pushtet deklaronte 98-102 mijë anëtarë, kur në votimin 1 anëtar-1 votë nuk e kaloi shifrën 80 mijë, LSI deklaroi 80 mijë anëtarë, por në zgjedhje 2009 mori më pak vota (pra nuk votuan as anëtarët, nëse shifra ka qenë e vertetë) dhe se kur u bë votim kombëtar për kryetarin rezultoi një shifër 3.5 herë më e vogël.
E njëjta situatë me PR me 50 mijë anëtarë dhe vetëm 30 mijë vota, apo parti të tjera që përfitojnë vende pune nga qeveritë e majta/djathta. Duke pasur anëtarësi të paverifikuar, lëvizje masive hyrjeje-daljeje në varësi nga kontrata financiare që ofron partia, bie mundësia për një anëtarësi të qëndrueshme, shtrezim të anëtarësisë, identifikim me programin, ideologjinë apo alternativën politike të partisë.
Për më tepër, nivele të tilla të larta fiktiviteti shoqërohen me nivele shumë më të larta fiktiviteti në zgjedhjet parlamentare e lokale dhe në vetë raportet e anëtarëve militantë e të rinj, me strukturën publike e shtetërore, ku mungon kontrolli dhe llogaridhënia partiake.
E gjithë kjo praktikë negative, e lexuar në kontekstin e sotëm të aleancës “morale” midis PS e LSI, aleancës 4 vjeçare “integruese” midis PD e LSI, koalicioneve elektorale për “ecje përpara” midis PD dhe disa dhjetëra mini-ndërmarrjeve private partiake apo atij për “rilindje” midis PS dhe rradhëve militante që presin dyndjen në administratë, - përbën kërcënimin më të madh të integritetit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit dhe shanseve të vendit për daljen nga rrethi vicioz i tranzicionit.
Klientët e partive, ata që janë tashmë klientë në qeveri ose që duan të vijnë në qeverinë e re, janë pjesa më e madhe e komisionerëve të emëruar nga partitë respektive, pra edhe gardianët që paguhen me taksat tona për të numëruar votat dhe shpëtuar nderin e vendit që mund të bëjë zgjedhje demokratike. Sa absurd duket ky fakt aq paradoksale është shpresa se klientët e promovuar me sistemin e kontratës financiare do të mund të reformohen, të bëhen të moralshëm, të ndryshojnë dhe të pranojnë të numërojnë edhe votat kundër ambicjeve të tyre personale e partiake.
Kjo është trashëgimia kryesore që modeli klientelist i krijuar nga partitë e vjetra, dhe i kthyer në sistem nga LSI në vitet e fundit, u ofron shqiptarëve më 23 qershor. Një ditë që do të duhej të na ndante nga tranzicioni, të bindë partnerët tanë se demokracia funksionon dhe Shqipëria e meriton NATO-n dhe BE-në, të krijojë besim se edhe Shqipëria mund të bëhet dhe se qytetarët tanë, sidomos të rinjtë, kanë një perspektivë të sigurt.
Ndaj votimi më 23 qershor nuk është midis programeve, apo dallimeve në premtimet për taksa e vende pune; është votim politik, qytetar, civil, patriotik pro e kundër sistemit korruptiv e klientelist, pro e kundër shtetit të patronazhit, pro e kundër atyre që politikën e kuptojnë si mjet për tu pasuruar dhe atyre që edhe në këto kohë të vështira, kanë arritur të ruajnë moralin, integritetin, vlerat dhe shpresën për një Shqipëri tjetër, një sistem tjetër përfaqësimi, një politikë tjetër programore dhe parimore, një jete politike tjetër më të moralshme dhe serioze. A ka oferta të tilla? Unë besoj se po. Nëse jo, le ti krijojmë, le ti gjejmë. Si fillim, mjafton që ta mendojmë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 07.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)