BRUKSEL, 5 korrik /ATSH-MIA/ - Ministrja italiane e Punëve të Jashtme, Federika Mogerini theksoi dje në Romë se gjatë presidencës së radhës të Bashkimit Evropian do të vizitojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të nxisë procesin e zgjerimit të Unionit duke mbështetur përparimin e vendeve të cilat synojnë anëtarësimin, theksoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.
"Gjatë presidencës së radhës të BE-së, së bashku me komisionerin evropian për zgjerimin, Stefan Fyle, do të vizitoj të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të studiojmë se çfarë mund të bëjmë për procesin e zgjerimit. Nuk ka arsye që reformat në këto vende të mos njihen dhe të mos shpërblehen", theksoi Mogerini para një grupi korrespondentësh nga Brukseli, të cilët ndodheshin në kryeqytetin italian me rastin e marrjes nga Italia të presidencës së radhës së BE-së.
Italia mori presidencën e radhës të BE-së më 1 korrik dhe me programin e saj ajo e ka ngarkuar veten me thellimin e procesit të negocimit me Malin e Zi dhe Serbinë.
Shqipëria, që fitoi statusin e vendit kandidat muajin e kaluar, pritet gjithashtu për të përparuar, së bashku me Maqedoninë, statusi i së cilës është bllokuar nga Greqia për vite me radhë mbi mosmarrëveshjen për emrin, ndërsa Bosnje-Hercegovina ka ende për të përmbushur kërkesat për t'u bërë një vend kandidat. Kur bëhet fjalë për Kosovën, Italia, si bartëse e presidencës së radhës të BE-së, ka ndërmend të nxisë përfundimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA). /
/ec/