Zeqo në librin më të ri përshkruan miqësinë mes nobelisit italian Salvatore Quasimodo dhe poetit antifashist shqiptar Dino Kalenja.
Moikom Zeqo shprehet se lidhja mes dy poetëve të cilët përfaqësonin kampet e kundërta të dy vendeve që ishin në luftë, tregon se poezia është përtej kombeve dhe popujve.
Pse “Në anën e trilluar të kohës?”
Ç’është letërsia? Letërsia është një nga format e mëdha të intelektit njerëzor. Është një trillim. Duke filluar që nga Homeri. Ju mendoni se Odiseu ka qenë me të vërtetë në Had dhe aty u përqafua me hijen e nënës së vdekur? Apo mendoni se Don Kishoti ka qenë një qytetar real bashkëkohës i Servantes, apo është një trillim? Trillim në kuptimin për të cilin ka folur Dostojevski: Letërsia është një gënjeshtër që thotë të vërtetën më shumë se e vërteta. Në këtë kuptim edhe poezia e metaforat janë një lloj veprimtarie mendore që nuk ndodhen në natyrë, por në kokën e njerëzve. Dhe kjo bëhet për njerëzit sepse pasuron atë që quhet qytetërimi i kujtesës dhe pa kujtesë njerëzit s’mund të ekzistojnë. Le të kujtoj një mit. Zeusi kur donte të ndeshej më një kundërshtar i merrte kujdesën. Nëse do ta zhbësh një popull merri kujtesën. Letërsia është trillim që i shërben jetës.
Në libër megjithatë je mbështetur në dy personazhe, nobelistin italian Quazimodo dhe një luftëtar të Luftës Nacional Çlirimtare, dëshmorin Dino Kalenja, si e ke njohur lidhjen mes tyre?
Libri imi i dedikohet figurave të ndritura njëri është nobelsiti Salvatore Quazimodo, që për mua është poeti më i madh i Shekullit XX, dhe Dino Kalenja i cili ka qenë student në Itali. Ne e dimë që kanë pasur raporte miqësore por duhej dëshmia. Dëshmia ishte një kartolinë ku kanë dalë bashkë në një park të Romës në vitin 1941. Kjo dëshmi do të kishte humbur nëse Quazimodo nuk do ia niste Kalenjës me postë dhe me një shkrim dore. Dino Kalenja ka qenë student në Itali dhe ka shkruar poezi që herët. Poezia e tij është moderne, ai nuk ka shkruar për luftën ai ka një koncept estetik të lartë në poezi, ai ka gjasa të ketë shkruar edhe poezi në italisht sepse nuk kishte si të njihej ndryshe më poetin italian. Ne s’i dimë dorëshkrimet por dimë që ka pasur një të dashur italiane që i shkruante poezi dhe me Quazimodon mund të jetë njohur në fushën e dorëshkrimeve poetike. Dino Kalenja u vra në Shqipëri, është hero i popullit. Kjo miqësi mes poetësh ku njëri përfaqësonte Italinë që kishte pushtuar Shqipërinë në atë kohë dhe Kalenja që luftoi për të çliruar vendin nga fashizmi lidhet me faktin që janë të dy poetë. Kjo lidhje ka të bëjë me karakterin përtej kombeve e popujve që ka poezia në vetvete. Poezia është një shtegtim ndërnacional shpirtëror.
Si e zbuluat ju këtë kartolinë?
Në familjen e pasardhësve të Dino Kalenjës në Fier, njëri prej tyre më ofroi disa dokumente mes tyre edhe këtë kartolinë. Kishte edhe elemente të tjerë gjatë kohës kur ai studionte në Itali.
Janë këto elementë muzealë që i mungojnë një heroi të luftës?
Besoj se po, janë elementë muzealë që mund të ishin edhe në Muzeun Historik Kombëtar, jo thjesht në një muze ta zemë në Fier.
Të kthehemi te fryma e librit, realiteti letrar...
Eliot thoshte se Homeri e Shekspiri ekzistonin dikur ndërsa tani ekzistojnë metafizikisht. Kjo më ka bërë përshtypje dhe unë në këtë libër kam përsiatje të mëdha për atë që quhet metafizika e letërsisë. Shpresoj që nuk gaboj në idenë që letërsia nuk është një pasqyrim adekuat i realitetit, është diçka më shumë, më e abstraguar duke qenë e tillë është edhe më e fuqishme dhe më përfaqësuese sepse fiton simbolikë. Kam bërë me vetëdije një poezi që mund të cilësohet metafizike por jo jashtë realitetit.
Ka lidhje kjo edhe me individin tuaj?
Shpresoj se librat janë shkrimtari. Ne nuk dimë asgjë në mënyrë shqisore për Migjenin por nga libri është një fuqi e madhe e konceptualiteteit dhe ndoshta ai është shkrimtari më konceptual i të gjitha kohërave.
Çfarë ka tjetër në këtë libër që mund ta bëjë kurioz lexuesin, përtej lexuesit të kualifikuar?
Janë dhe format e poezisë dhe këtu për herë të parë kam bërë një gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në poezinë botërore. Shumë poezi brenda për brenda tyre kanë fraza muzikore të kompozitorëve që unë i adhuroj, si Bahu, Bethoven. Janë fraza muzikore që i di përmendësh dhe mund të krijojnë vështirësi në lexim, për t’i lexuar mirë duhet të njihet edhe pentagrami. Gjithmonë kam dashur të bëj një poezi që të mos ngjajë shumë as me kolegët e mi dhe as me poetët botërorë, i nderoj ata duke bërë diçka që nuk e kam parë.
Ju mbaj mend në rininë e hershme kur bënit poezi dhe kam parasysh që ju e keni shumë të lehtë ta ndërtoni rimën megjithatë nuk e aplikoni...
Kam botuar edhe poezi me rimë, por nuk besoj se rima është gjithçka. Rima është element muzikor, që e shpikën arabët, Eposi jonë nuk e ka. Mendoj që edhe poezitë me rimë, duhet të përkthehen pa rimë që të dalë ideja, ndjesia dhe kuptimshmëria e gjërave.
Po një libër i veçantë me poezi, që ka grafika dhe piktura tuat, ajo pjesa jote edhe e njohur edhe panjohur e pikturës edhe pse jeni autor i disa ekspozitave...
Të gjitha kopertinat e librave i kam bërë vetë. Ky libri “Anija misterioze” është një libër i kolanës sime që ka të bëjë me arkivin. Kam një bibliotekë të tërë me dorëshkrime që do mbeteshin të pabotuara që duhen zbardhur dhe nuk e ben dot tjetër njeri përveç meje sepse ka probleme të leximit të shkrimit, në fillim kam shkruar me shkrim shumë të vogël ndërsa tani me shkrim edhe më të madh sepse edhe nuk më shohin më sytë. Autori duhet t’i botojë veprat e veta sa është gjallë.
Ke përdorur këtu një poezi “Më sill një gotë ujë të ftohtë për etjen time të mijëvjeçarëve” dhe kjo më kujton ju me meditimin tuaj, dijet, tuaja...
Homeri është një njeri me etje të mijëvjeçarëve. Nga pikëpamja e konceptit universal Homeri s’ka dallim midis të gjallëve dhe te vdekurve. Pastaj Rilindja Eurpiane me Danten e Shekspirin. Ideja që njeriu duhet të ketë kulturë të përgjithshme nuk është thjesht ide librore. Njeriu i sotëm, është njeriu kibernetik. Kibernetika në fund të fundit është një lloj sinteze e arteve. Në letërsinë shqipe përveç Fan Nolit dhe Faik Konicës mungon kjo kulturologji. Nuk mund të ketë shkrimtar të paditur. Një shkrimtar që nuk njeh pikturën, muzikën, filozofinë është i mangët.
Keni krijimtari të madhe edhe të bukur që s’mund të kuptohet në një intervistë, ka edhe pak autorë të tjerë të këtij formati, ndërkohë që autorë të rëndomtë dalin në dritën e botimit, si duhet të ndahemi nga kjo?
Nuk ndahemi dot, mediokriteti do jetë gjithmonë. Letërsia nuk bëhet nga librat që botohen ajo përbëhet nga 2 lloj shkrimtarësh: të mëdhenj që janë pika referenca që ne nuk kemi shumë në Shqipëri, Migjeni është një nga këta, dhe shkrimtarë që janë të nivelit mesatar. Ne duhet të kishim një kritikë për të vlerësuar gjërat që janë vërtetë origjinale. Shteti ynë është shteti më antikulturë në Europë. Kam fatin e madh që kam botuar 2 libra në Amerikë dhe janë vlerësuar nga poetët më të mëdhenj amerikan. Libri im “Zodiak” është krahasuar me Eliot dhe autorë të tjerë të mëdhenj. Ne nuk kemi një mekanizëm shtetëror, për një kohë të gjatë kështu do të jetë përderisa në ministritë e kulturës që kemi apo qeveri askush nuk e kupton që letërsia është pjesa më përfaqësuese e një kombi, nuk është politika.
Libri juaj në sirtar?
Kam shumë libra. Janë disa libra që janë në prozë, i kam mbaruar. I kam çuar në shtëpitë botuese por ata duan lekë, unë para nuk kam. Është një libër që quhet “Sinaksarët e Bizantit”, kam disa vite që ua çoj disa shtëpive botuese me emër. Kam edhe një libër për mistikën dhe shqiptarët që nga periudhat antike deri në periudhën e sotme. Libri i arkeologjisë më ka mbetur pa botuar, do përgatis këtë vit. Unë kam punuar një periudhë shumë të gjatë si arkeolog, shpresoj ta botoj këtë vit atë libër.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com