Moisiu: Zgjedhjet në rrezik me
KQZ-në e çalë, Nishani të ndërhyjë

Moisiu: Zgjedhjet në rrezik me<br />KQZ-në e çalë, Nishani të ndërhyjë
VLORË - Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu jep alarmin se zgjedhjet e 23 qershorit janë në rrezik.

Nga porti i Orikumit në Vlorë, i ftuar në përvjetorin e Republikës italiane, Moisiu e ka komentuar situatën parazgjedhore "pesimiste", "shumë të ashpër", pasi sipas tij “KQZ nuk mund të funksionojë me 4 anëtarë, sepse kësisoj ajo është e njëanshme dhe e pabesueshme”.

Ish-presidenti kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të Presidentit të Republikës.

“Bujar Nishani të marrë rolin e arbitrit për politikanët kryeneçë”- tha ai.

Ish-presidenti, i njohur për qëndrimet e tij të vendosura, u shpreh nga Vlora, se "këto zgjedhje kanë një rëndësi vendimtare për vendin, ndaj kërkohet emancipim i elektoratit shqiptar, i cili duhet t'i kërkojë llogari politikanëve për çfarë kanë bërë për popullin përgjatë këtyre viteve".

Moisiu ka treguar një rast të ngjashëm, se si në vitin 2007 u arrit të shkohej në zgjedhje, duke i bërë bashkë politikanët për të ngrënë pica, pirë kafe dhe çaj. Moisiu është shprehur i befasuar dhe ka komentuar më gjatë edhe shkarkimin e 3 gjeneralëve në prag të zgjedhjeve, e teksa jemi një vend i NATO-s.

KQZ JOLIGJORE, JO E BESUESHME, E NJËANSHME
 
Ish-presidenti e ka quajtur joligjore situatën në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, "pesimiste", "shumë të ashpër", pasi sipas tij “KQZ nuk mund të funksionojë me 4 anëtarë, kur ligji e parashikon me 7 anëtarë, sepse kësisoj ajo është e çalë, e njëanshme, e pabesueshme”.

"Komisionin Qendror ligji e parashikon me 7 veta dhe me 4 jo vetëm që është i çalë, por është i pabesueshëm, i njëanshëm, pavarësisht se thuhet që këto do kompensohen në Kolegjin Zgjedhor. Kjo nuk është e drejtë në asnjë mënyrë, sepse në fund të fundit KQZ është një organ administrativ, ndërsa Kolegji Zgjedhor është organ gjyqësor. Pra nuk mundet, që një vendim që duhet ta bëjë organi administrativ të shkojë ta bëjë gjyqësori. Zakonisht gjyqësori është për të zgjidhur problemet, që nuk arrihen të zgjidhen në Komisionin Qendror. Por duke pasur një komision të njëanshëm është një defekt shumë serioz", analizon Moisiu, duke shtuar në fund se, "kjo situatë i rrezikon zgjedhjet tona”.

NISHANI DUHET TË MARRË ROLIN E ARBITRIT

Ish-presidenti Moisiu ka komentuar dhe rolin e presidentit të Republikës së Shqipërisë, i cili, sipas tij, "duhet të marrë rolin e arbitrit për politikanët, pasi ata janë kryeneçë".

“Duhet të vërë dorë, se për fat të keq politikanët nuk po merren dot vesh. Do apo nuk do, duhet të hyjë në rolin e arbitrit", ka propozuar ish-prersidenti për presidentin.

I PAJTOVA POLITIKANËT, DUKE NGRËNË BASHKË PICA, KAFE DHE ÇAJ
 
Moisiu ka rrëfyer se atij i ka ndodhur vetë një situatë e ngjashme ngërçi parazgjedhor: “Ka qenë viti 2007 dhe mund të dilnim shtet i falimentuar, nëse s’do të kishim zgjedhje. Arrita t’i mbledh krerët e partive parlamentare, i mbajta si në zbor; fjetëm bashkë, hëngrëm pica e kafe e çaj", ka rrëfyer Mosisiu.

Ai më tej ka shtuar se "e kupton dhe vështirësinë e presidentit për arsye se politikanët tanë janë shumë kryeneçë, por si do që të jetë, zgjedhjet kanë të bëjnë me unitetin e popullit, unitetin e kombit dhe presidenti nga ana e Kushtetutës përgjigjet për unitetin e popullit”, ka pohuar ish-presidenti Moisiu.

KËTO ZGJEDHJE, VENDIMTARE PËR TË ARDHMEN E SHQIPËRISË
Moisiu ka treguar se ai e kupton, që detyrat e partive politike janë të marrin pushtetin, "por për këtë ka ca rregulla loje". Për Moisiun, për fat të keq, gjatë këtyre viteve partitë tona politike nuk i kanë respektuar ashtu siç duhet këto rregulla dhe kjo na ka sjellë atë që deri tani kemi 23 vjet, që ende nuk kemi arritur të bëjmë zgjedhje të pëlqyera në gjithë zgjedhjet, kjo qoftë nga mendimet që janë dhënë nga analistët, politikanët tanë, qoftë dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të cilët thonë, "zgjedhje më të mira se të kaluarat", por kanë dhe këtë, kanë dhe këtë vërejtje".

Sipas ish-presidentit, "këto zgjedhje kanë një rëndësi vendimtare me plotë kuptimin e fjalës për të ardhmen e Shqipërisë".
 
Moisiu ka vërjetur se ka ca shenja, që atë si qytetar, si ish-kryetar i shtetit shqiptar e bëjnë që të mendohet, "se a do t’ia dalim dot" dhe kjo sipas Moisiut, ndodh për arsye se "politikanët tanë për fatin tonë të keq janë bërë materialistë dhe duan ta mbajnë pushtetin me çdo kusht".

Ai ka shtjelluar më pas edhe argumentin, që “tani që jemi në prag zgjedhjesh, zakonisht situata zgjedhore jo vetëm tek ne, por kudo klima mund të themi nxehet, ndërsa tek ne jo vetëm nxehet, por ashpërsohet dhe kjo është për të ardhur keq".

DUHET TË EMANCIPOHEMI SI ZGJEDHËS

"Pushtetin ta jep populli, ta jep vota e popullit, nuk mund ta marrësh ti si do. Zgjedhësit duhet të votojnë, por ne zgjedhësit shqiptarë përfshi dhe mua kemi një përgjegjësi dhe një defekt serioz; zakonisht në fushata thuhen shumë premtime, por ne shqiptarët deri tani këto 23 vjet nuk kemi dëgjuar të themi: "O zotëri këto që the, ku i ke, çfarë ke bërë?", shtroi pyetjet e tij për politikanët Moisiu. 

Fakti që shqiptarët nuk pyesin e bën ish-presidentin Moisiu të shtrojë nevojën se "kjo tregon, që ne vërtet duhet të emancipohemi si zgjedhës, pasi dita e zgjedhjeve është vendimtare për Shqipërinë”.
 
JAM BEFASUAR NGA SHKARKIMI I 3 GJENERALËVE

Moisiu është ndalur dhe te shkarkimi i tre gjeneralëve. “Jam befasuar shumë, në prag të zgjedhjeve e pa bërë të njohura arsyet, nuk është serioze e dinjitoze aq më tepër që jemi vend anëtar i NATO-s. Kjo nuk ndodh gjëkundi e duhet të ketë më shumë transparencë. S’ka asnjë prononcim seioz për këtë punë".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare