Agjencitë amerikane të inteligjencës dyshojnë se lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, mund të jetë homoseksual. Lajmi është publikuar nga media amerikane New York Post, e cila citon burime nga komuniteti i inteligjencës dhe nga Shtëpia e Bardhë.

Sipas raportimit, informacioni është konsideruar i besueshëm nga shërbimet amerikane dhe i është paraqitur edhe presidentit Donald Trump gjatë një raportimi të klasifikuar në Shtëpinë e Bardhë.Kur iu tha se Khamenei, mund të jetë homoseksual, Trump mbeti i habitur dhe shpërtheu në të qeshura.

Tre burime të ndryshme i kanë thënë gazetës se pretendimi nuk shihet si dezinformim për të diskredituar liderin iranian, por si një informacion që vjen nga një prej burimeve më të mbrojtura të qeverisë amerikane.

Dy prej tyre thonë se të dhënat e inteligjencës sugjerojnë se Mojtaba Khamenei mund të ketë pasur për vite me radhë një marrëdhënie me një mësues të fëmijërisë së tij. Një tjetër burim thotë se lidhja mund të ketë qenë me një person që ka punuar më parë për familjen Khamenei.

Sipas raportimit, dyshimet për orientimin seksual të Mojtaba Khamenei kanë qarkulluar prej kohësh në Iran, sidomos pas rrëzimit të helikopterit në vitin 2024 që vrau presidentin e atëhershëm Ebrahim Raisi, i cili konsiderohej pasardhësi i preferuar i liderit suprem Ali Khamenei.

Një kabllogram diplomatik amerikan i vitit 2008, i publikuar nga WikiLeaks, përmend gjithashtu se Mojtaba kishte marrë trajtim mjekësor në Britaninë e Madhe për probleme me impotencën. Dokumenti thotë se ai u martua relativisht vonë dhe iu deshën disa vizita në Londër për trajtim përpara se gruaja e tij të mbetej shtatzënë.

Sipas New York Post, inteligjenca amerikane nuk ka prova fotografike për këto pretendime, por burimet insistojnë se informacioni është i fortë dhe i mbështetur nga burime shumë të besueshme.

Ironia, sipas raportimit, është se në Iran marrëdhëniet homoseksuale janë të ndaluara me ligj dhe mund të dënohen edhe me vdekje. Në të kaluarën, persona të akuzuar për homoseksualitet janë varur publikisht si paralajmërim për të tjerët.

Edhe ish-presidenti iranian Mahmoud Ahmadinejad deklaronte në vitin 2007 se “në Iran nuk ka homoseksualë”.

Mojtaba Khamenei u zgjodh lider suprem më 8 mars pas vdekjes së babait të tij, Ali Khamenei, i cili kishte drejtuar Iranin që nga viti 1989. Ai konsiderohet një figurë shumë e fuqishme brenda sistemit iranian dhe shpesh është quajtur “fuqia pas petkut fetar”, pasi për vite me radhë kontrollonte aksesin tek babai i tij dhe vendimet më të rëndësishme të regjimit.

Megjithatë, jeta private e liderit të ri të Iranit mbetet një nga temat më të diskutueshme në qarqet politike dhe të inteligjencës ndërkombëtare.