VLORE- Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim dy ish-përgjegjës të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Vlorës. Dy ish-zyrtarët Ruzhdi Zeneli, 48 vjeç, dhe Mario Kalus, 43 vjeç, të dy banues në Vlorë, akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë vepruar për prishjen e 65 moleve të paligjshme në zonën e Radhimës.

Zeneli dhe Kalus kanë ushtruar detyrën e përgjegjësit në INUV në Vlorë në vitet 2010-2013.
 
Hetimi i këtyre dy ish-zyrtarëve ka ardhur pas kallëzimit të bërë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit në Vlorë.

Gjatë muajit qershor 2012, nga Agjencia Rajonale Mjedisore (ARM) Vlorë janë konstatuar në zonën e Radhimës dhe Vlorës rreth 65 mole të vegjël, të përbërë nga materiale inerte, të hedhura nga persona, të cilët për ARM nuk ishin të identifikuar, me qëllimin e dukshëm të shfrytëzimit për përfitime materiale. Këto mole janë krijuar pranë lokaleve të ndryshme që veprojnë në këtë zonë.
 
Sipas Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjatë hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore në drejtim të përgjegjësisë së punonjësve që kanë pasur për kompetencë dhe detyrë që të kryenin veprimet përkatëse në rastet e mësipërme, si dhe në drejtim të personave që i kanë kryer punimet për krijimin e moleve të mësipërme.
 
 
“Nga dokumentacioni i administruar nga Agjensia Rajonale e Mjedisit të Qarkut Vlorë, rezulton se prej këtij Institucioni për periudhën 2010 deri në muajin Qershor të vitit 2012 janë vendosur 39 gjoba administrative ndaj subjekteve te ndryshme për hedhje te inerteve në det, dëmtim të bregdetit apo ndotje bregdetare, nëntë prej të cilave janë vendosur në vitin 2012. Me shkresë dt.08.06.2012 të ARM Vlorë është informuar Inspektoriati i Mjedisit se nga kontrollet në vijën bregdetare janë konstatuar 21 raste të ndërtimit të moleve, të cilat janë nga rastet për të cilat është dërguar referim penal nga ana e policisë gjyqësore.
 
Ekzistojnë gjithashtu edhe një sërë korespondencash të ARM Vlorë me Institucione të ndryshme si, Inspektoriati i Mjedisit pranë Ministrisë së Mjedisit, Bashkitë dhe Komunat e vijës bregdetare të Qarkut Vlorë, Prefektit të Qarkut Vlorë, si dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit Vlorë. Në këto shkresa janë vënë në dukje hedhjet e ndryshme të inerteve në vijën bregdetare dhe iu kërkohen këtyre Institucioneve marrja e masave për mbrojtjen e zonës bregdetare.
 
Me shkresën dt.10.02.2012, shkresë me lëndën “kallëzim” ARM Vlorë i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, duke vënë në dukje se në rastet e konstatimeve të moleve që nuk është bërë e mundur të identifikohet autori i tyre kanë njoftuar me shkresë me qëllim gjetjen e autorëve, por nuk kanë marrë përgjigje lidhur me këto raste.
Gjithashtu, me shkresën dt.04.04.2011 ARM Vlorë i drejtohet INUK Dega Vlorë si dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, duke i vënë në dijeni se në zonën bregdetare Vlorë-Orikum vazhdojnë hedhjet në det të interteve dhe gurëve me qëllim për të krijua mole, plazhe artificiale në det dhe në bregun e detit, pa qënë të pajisur me ndonjë lejë nga organet kompetente”, thuhet në njoftimin e policisë lidhur me hetimin e Prokurorisë.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)