Thuajse 90% e prodhimit të mollës në qarkun e Korçës ka mbetur pashitur për shkak të konkurencës nga vendet e rajonit, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Fermeret dhe grumbulluesit protestuan sot duke kërkuar nga qeveria të marrë masa lehtësuese për prodhimin vendas.

Fermerët dhe grumbulluesit e Maliqit protestuan këtë të shtunë pasi mollët kanë mbetur stok nëpër magazinat frigoriferike. Ata thanë se nga vjeshta e deri më sot kanë shitur vetem 20% të prodhimit, pasi po i konkuron molla e importit, kryesisht nga Greqia e Serbia.  Bujar Muco, nga Shoqata e Biznesit të vogël dhe te mesëm u shpreh se mbi 20 mijë ton mollë kanë mbetur pashitur në të gjithë qarkun e Korcës pa llogaritur sasinë e prodhimit nga fermerët e vegjël.

“Njëzetë mijë ton që janë në qarkun e Korçës janë të pa shitura, nëpër frigorifera të depozituar. Qeveria ka levat e saj për të kufizuar importin e jashtëm derisa prodhimi vendas të shitet”,- është shprehur Muço.

Fermeret kërkojnë nga qeveria të favorizojë prodhimin vendas, duke rritur taksën doganore për prodhimet e importit.

“Kam prodhuar 2 mijë kuintalë mollë dhe nuk kam shitur gati 20% të mollës, pjesën tjetër e kam në magazinë, se serbi dhe greku na kanë bllokuar në shitjen e mollëve dhe nuk po e shesim dot. Në qoftë se shteti të bllokojë doganat, të paktën një muaj sa të shesin prodhimin ton ne do të mblidhemi me gjithë familjet tona, me burra, me gra, me traktorë, me zetorë dhe do të  bllokojmë rrugën”,- tha një fermer.

Fermerët u mblodhën në fshatin Zviricinë dhe protestuan paqësisht, por paralajmëruan se do të bllokojnë aksin nacional Korcë-Pogradec nese qeveria nuk do t’i japë zgjidhje kërkesave të tyre.