21 të rinj, 4 prej të cilëve të mitur, përfunduan në pranga për sulmet e dhunshme në protestën e PD-së para kryeministrisë dhe Kuvendit. Si organizatorë të saj, dhe nxitës për t’i dhënë të miturve në duar gurë e molotovë ndaj forcave të policisë, po hetohen në gjendje të lirë, 4 deputetë të Berishës. Me dhjetëra molotovë u gjetën të pashpërthyer, ndërsa flakët e shumë të tjerëve që militantët lëshuan ndaj uniformave blu, lënduan 16 efektivë, njëri prej tyre me djegie të rënda.

***

Një i mitur, me pllaka guri në duar, ishte bërë gati për sulm, teksa Sali Berisha ishte ende në selinë blu dhe protesta kombëtare e PD-së para kryeministrisë, ende nuk kishte nisur.

Si ky fëmijë, janë 4 bashkëmoshatarë të tij, 17-vjeçarë, të arrestuar nga policia e Tiranës për dhunën që shpërtheu në protestë, sapo kryedemokrati Sali Berisha, i dha sinjalin në mbyllje të fjalës së tij. Katër të miturit sot në pranga, të cilët u vunë në vijën e parë të goditjeve me gurë, molotovë dhe fishekzjarrë ndaj forcave blu, si dhe në përplasje fizike me efektivët, akuzohen për 6 vepra të rënda penale, plagosje të rëndë me dashje, prishje të rendit dhe qetësisë publike, shkelje e rregullave për lëndët djegëse, shkatërrim i pronës me zjarr, dhe kundërshtim i policisë.

Ata që organizuan protestën dhe bënë të miturit pjesë aktive të sulmeve të dhunshme, demokratët e veshur me imunitet, po hetohen në liri. Katër deputetë, Belind Këlliçi, Klevis Balliu, Luan Baçi dhe sekretari i përgjithshëm i PD-së Flamur Noka, do të hetohen nga prokuroria e Tiranës për kundërshtim të policisë, dhe shtyrje të të miturve në krim. Për organizimin e tubimit, po hetohet Ervin Minarolli, sekretari organizativ i PD-së.

17 protestues të tjerë të moshave madhore, nga 18  deri në 36 vjeç, u prangosën, pjesa më e madhe e tyre përsëritës, të arrestuar më parë për dhunë në tubimet e PD. Mes tyre, edhe një militante aktive e PD-së, 42-vjeçarja, Suzana Demushi, e hetuar edhe për demonstratën e 8 dhjetorit të vitit 2015, ku u shkatërrua nga flakët edhe Bunkart2 pranë Ministrisë së Brendshme. Ata do të përballen me drejtësinë me të njëjtat akuza si të miturit. 

40 minuta pas orarit zyrtar të protestës që kishte shpallur në orën 17.00 Sali Berisha iu bashkua sheshit para kryeministrisë, me një grup sulmi nga pas. Të rinj të kamufluar me pankarta në duar, por fshehur pas kapuçëve dhe maskave në fytyrë, për të mos u identifikuar lehtë nga policia, për breshërinë e molotovëve dhe fishekzjarrëve që do të lëshonin ndaj uniformave blu sapo Berisha të jepte urdhrin.

Këtij sulmi para godinës së qeverisë policia iu përgjigj vetëm me hedhje uji nga autobotët.

Dhunën e përshkallëzuan kur u zhvendosën para Kuvendit, ku molotovët drejt policisë, u hodhën masivisht  

Në një rast të rëndë, duke humbur edhe shënjestrën, sic është momenti, kur një operator i një televizioni, përfshihet nga flakët e molotovit të hedhur nga militantët e papërmbajtur që gjithashtu pa kontroll ndezën edhe një sasi të madhe fishekzjarrësh.

Para Kuvendit forcave të rendit, iu desh të përdorin veç ujit, edhe gazin lotësjellës, për të shpërndarë turmën e dhunshme, e cila hera herës kur shmangte pasojat e gazit në shikim, rikthehej nën dirigjimin e deputetëve.

Si pasojë e sulmeve, 16 punonjës policie mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore në spital. Njëri prej tyre ka djegie të rënda që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.

22 molotovë të pashpërthyer dhe 3 shishe me benzinë të lidhura me fitil, u gjetën nga shërbimet e Policisë, afër Kuvendit.