Nga Elbasani, ku ka prezantuar kandidaten e Lëvizjes Socialiste për Integrim për qytetin, Klaudja Krasnika, Monika Kryemadhi ka akuzuar serish Kryeministrin Rama se qëllimin kryesor kur bëri ndryshimet në Kodin Zgjedhor kishte dëmtimin e LSI-së.
"Kur Edi Rama ndryshoi Kodin, mendoi që do ta dëmtonte LSI-në, por në fakt Kodi që u miratua i ka dhënë disa prioritete jashtëzakonisht të mëdha LSI-së. Renditja në LSI nuk ka të bëjë me numrin që ke në listë, se sa me atë se çfarë secili nga ne përfaqëson. Dhe një nga avantazhet e tjera ndryshe nga lista e Rilindjes, të cilët do të hanë kokat me njëri-tjetrin, në LSI nuk është çështja tek thyerja e listës, por është çështja tek shërbimi i njerëzve", tha Kryemadhi.
Sipas saj LSI synon t'i japë fund tranzicionit.
"LSI nuk po lufton për të bërë dy deputetë, apo pesë deputetë, apo edhe 3-4 drejtorë, të cilët abuzojnë me emrin e partisë politike, abuzojnë me votat e qytetarëve, pasurohen për veten e tyre dhe më pas ndryshojnë flamujt politikë. Për LSI-në është e rëndësishme për të ndryshuar sistemin. Kë quajmë ne ndryshim sistemi? Ne quajmë ndryshim sistemi, ajo që tha Klaudia pak më parë, për të gjitha ato gra që nuk kanë vëmendjen e shtetit, për të gjitha ato gra dhe kryefamiljare, që sot në Elbasan e kanë shumë të vështirë të rrisin fëmijët e tyre, sepse nuk kanë mundësi ekonomike", tha ndër të tjera Kryemadhi.