Monika Stafa: Ina Rama, asnjëherë si ajo më parë

Monika Stafa: Ina Rama, asnjëherë si ajo më parë

Ina Rama

E vërteta është vetëm një. Nuk është dogmë, as fe, as dëshir dhe as mendim. E vërteta është ngjarja, cështja, fakti apo ndodhia vetë. Sado e vështirë, e papërtypshme apo dhe e tmerrshme ajo të jetë.

Sa herë 21 janari vjen, e vetmja gjë që mendoj është se sa shpejt makina e kohës merr përpara të vërtetat e humbura të saj. Ato të cilat sot ngjajnë se po largohen gjithmonë e më shumë. Po si mund ta ndalojmë atë? Si t’i kthejmë ata njerëz? Atë kohë pas? Aq më keq kur e vërteta dihet dhe është frika ndaj saj që nuk i bën dot ngjarjet dhe protagonistët bashkë.

Cfarë nuk shkoi si duhet në atë cast?

Ngjarjet që ndodhën gjatë këtyre dekadave në Shqipëri thuajse nuk i lanë njeriut shqiptar asnjë shteg mendimi për të besuar se shteti i tyre nuk po sillet si bandit. Ndodhën shumë ngjarje si shpërthimi i Gërdecit dhe askush s’u kallëzua për faj! Humbi jetën i vetmi dëshmitar i procesit të ndërkombëtarizimit të krimit dhe me të drejtë, të gjithë thamë atëherë se “Të paktën shpëtoi qeni i gjahut!”.

21 janari 2011. Njëjtë. Edhe sot ndodhia qëndron pa autor.

Të gjithë ata që sadopak kanë studiuar historinë e përhapjes së pushteteve kriminale në botë e dinë mirë se mafia nuk bëhet vetëm dhe nuk ka karakter kombëtar. Mafia bëhet kur krimi ndërkombëtarizohet.

Ngjarjet që morën përmasë ndërkombëtare te ne, si Gërdeci apo dhe 21 janari janë dy akte të së njëjtës tragjedi, dy anë të së njëjtës medalje. Duke përmendur vazhdimisht dhe një “përmasë atlantike” të krimit, atë kohë ata që donin t’i ndërkallnin frikë publikut, shtypit që heton, dëshmitarëve, dikujt tjetër i nisnin mesazhe, gjithashtu.

Cili ishte ai?

Në të vërtetë, kush nuk ka kuptuar se Gërdeci dhe 21 janari që vazhdojnë sot të mbajnë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë, qenë një sfidë poshtërimi ndaj drejtësisë, nuk ka kuptuar asgjë nga gjithë historia që ndodhi.

Ne qemë dëshmitarë, të verbër a me sy nuk e dimë ende, të kërcënimit të shtetit ndaj drejtësisë. Ina Rama ishte ajo që u ndodh ndoshta në provën më të vështirë të karrierës së saj. Me këto dy ngjarje. Me këto dy krime. Shtetërore dhe njerëzore gjithashtu.

Çfarë i ndodhi asaj?

U komanduan të gjitha veglat e shtetit, vullnetare e zyrtare, për të marrë pjesë në provën gjenerale të ushtrimit se “si i tregohet vendi drejtësisë”. Truproja, policë, gazetarë, deputetë, ministra e mbiministra u rreshtuan në operacionin e përgjithshëm për ta vënë institucionin e akuzës fillimisht në gjendje amnezie dhe pastaj edhe më keq, në karrigen e të paditurit.

“Ligjin e bëjmë ne!” – të gjitha veprimet e këtij egërsimi të pabesueshëm të shtetit atë kohë vetëm këtë kuptim kishin. Dëshpërimisht ishte pranuar se Ina Rama dhe institucioni që ajo kryesonte kishin mbetur i vetmi institucion shqiptar që mendonte. Përtej kësaj, një institucion që riktheu frymëmarrjen në këtë vend.

Kishte mbetur vetëm Ina Rama. Dhe asaj i duhej treguar vendi. I duheshin prerë krahët. I duhej tharë ajo buzëqeshje e kursyer që më së shumti u duhej shqiptarëve që rrethrrotulloheshin e akoma e bëjnë, në një ankth politik prej më shumë se tri dekadash. Ajo buzëqeshje që fliste më shumë se deklaratat e saj. Optimiste apo të trishtuara sic ishin.

“Këtu jemi ne dhe këtu ligjin doemos duhet ta bëjmë ne”! Dhe e bëjmë, thoshin ata. E bëjmë si një makinë ndërkombëtare që të gjen kudo që të jesh!

Ina Rama ishte sigurisht në provën më të vështirë të karrierës së saj. Ajo ishte në provën për të dëshmuar nëse kishte pranuar të hynte në orbitën e “shefit të madh” apo, përkundrazi, kishte gjetur brenda vetes gjithë dinjitetin e nevojshëm për të mos e lënë kandilin e shpresës në drejtësi të shuhej.

E lodhur nga sabotimi, e shkurajuar nga komploti i vetë shtetit, ajo klithi sa mundi për drejtësi. Burrave shqiptarë që qeverisnin, qeverisin apo presin të qeverisin do t’u duhet të rriten shumë për të mbërritur deri tek ky dinjitet gruaje!

Në të vërtetë, çfarë bënë burrat shqiptarë të politikës ndërkaq?! Shumë thjesht: vetëm retorikë, domethënë vetëm dredhira të mjeshtërisë. Ndërsa autoriteti më i lartë qeverisës, propozoi marrëzinë më të dashur për vete dhe jo për popullin, për të dalë faqebardhë në një hetim ndërkombëtar për shkeljet e prokurorisë, opozitarët atë kohë u morën me zjarrmi me dinjitetin e shtetit që po njollosej, por aspak me vetë këtë zonjë dinjitare që po terrorizohej, sic tha dhe avokat Ngjela, nga morsa vrastare e mërisë së njerëzve të trembur nga kallëzimi.

Në të vërtetë që kur u emërua në atë post kam dashur ta shoh portretin e saj përmes “ikonës” së Silvia Conti-t, ashtu sikurse kreu i ekzekutivit Berisha e përvecoi denjësisht. E vetmja gjë me të cilën rashë dakord, aherë kur e tha. Dhe jo vetëm një herë.

Në fakt, në Shqipëri, një vend ku “shteti i së drejtës” janë aq larg jetës së vërtetë sa qendron idealizmi me realitetin, edhe ndonjë gabim i madh të krahasosh një figurë artistike me një tjetër figure, të gjendur brenda përditshmërisë nuk është. Vetëm se, si të gjitha çuditë e tjera të kësaj bote, në Shqipëri, gabimi ndodh në të kundërtën: këtu jo arti, por realiteti ia kalon të pabesueshmes (fiction).

Kur e vërteta del dhe është shumë e dhimbshme, e vetmja gjë që na mbetet për të bërë është të gjejmë prehje tek ata që na duan. Sepse të besosh është një ndjenjë kaq e brishtë… Besimin mund ta fitosh por dhe mund ta humbasësh në çast. As besimi, as dashuria dhe as arsyetimi ndonjëherë nuk mund ta zbusin dot dhimbjen që mbart e vërteta.

Kështu na mbetet vetëm të presim. Të presim që koha të kalojë dhe plagët të shërohen. Dhe e vërteta të vijë. Ashtu e druajtur, pak e fshehur jo pa qëllim prej pushtetit të më të fuqishmëve. Por të paktën të vijë e të na rrëfejë se nuk ka asnjë të vërtetë që gënjeshtra e fsheh për një kohë të gjatë.

Ashtu si vrasja e katër shqiptarëve mu si zogj, në mes të bulevardit të kryeqytetit, atë mesditë janari të ftohtë e të thatë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori