TIRANE-Lirinë e kemi, por nuk e zotërojmë. Më mirë të themi sikur e kemi burgosur brenda disa kufijve që i kemi vënë vetes. Dhe ja ku vjen “Një ditë si Sofia”, një titull që ndoshta tremb për konotacionin filozofik, që vetë emri Sofia ka trashëguar ndër shekuj. Në të vërtetë Sofia është një ngjarje që mund t’i ndodhë secilit prej nesh, pavarësisht gjinisë. Në këtë intervistë me autoren e librit dhe gazetaren Monika Stafa, jemi përpjekur të mësojmë më shumë për këtë Sofi, që vjen në realitetin e brishtë shqiptar, aq më tëpër për një femër.

Monika, kur nise ta shkruaje historinë e Sofisë?
“Një ditë si Sofia” është shkruar në një periudhë pauze në një muaj e gjysmë, kur sapo kishte përfunduar emisioni “Kush e ngriti flamurin”. Mirëpo kjo pauzë nuk më shërbeu për pushim, pasi as vetë nuk më pëlqen të rri gjatë pa u marrë me diçka. Ndaj vendosa që këtë periudhë pushimi të shkruaja këtë novelë, e cila merr shkas nga një ndodhi që do të mund të ishte pjesë e jetës së çdokujt.

Çfarë ndodhie është kjo?
Është një ngjarje në një udhëtim Tiranë-Budapest, për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare mbi genocidin ndaj grave gjatë kohës së luftës dhe heshtjen që pason mbas saj. Zakonisht kemi dëgjuar për masakrat ndaj popullsisë, ndaj burrave, fëmijëve etj, por rrallë dëgjojmë të flitet për genocidin ndaj grave gjatë periudhave të luftës, e cila është një temë më vete psikologjikisht, filozofikisht dhe fizikisht. Kur masakrat bëhen ndaj grave krimi është dyfish më i tmerrshëm, pasi është përdhunuar barku pjellor i një kombi. Dhe më e rënda që vjen pas kësaj është heshtja… Ndaj, të kthehemi tek libri; ai nisi me peripeci që në çastin e parë, por me një vullnet të jashtëzakonshëm për t’ia dalë në krye dhe për të marrë pjesë në konferencë. Këto ishin vetëm peripecitë fizike, por mua më janë përkthyer si peripeci në trajta metapsikike. Lidhja ime mes konferencës, librit dhe peripecive që më ndodhën më krijonte një atmosferë të jashtëzakonshme për të tërhequr pas në çdo hap të papriturën.

Këtu u frymëzove për Sofinë?
Aty u frymëzova dhe nuk rrija dot pa këtë lidhje.

Pa e shkruar atë?
Absolutisht, sepse nuk ishte një ngjarje e zakonshme në jetën time. Ato tri ditë ishin të jashtëzakonshme. Misteri dhe energjia që udhëhoqi këtë udhëtim janë ato prej nga doli Sofia.

Titulli i librit është “Një ditë si Sofia”... si janë ditët e kësaj Sofie në realitetin shqiptar?
Unë dua që edhe ti përballë meje të jesh Sofia. Dua që çdo femër e kësaj bote, e shoqërisë ku jetojmë të jetë Sofia, sepse unë e personifikoj Sofinë me qenien grua, jo zonjë. Nuk kam asgjë me zonjat. Unë në shumë raste përpiqem të jem zonjë, ( duhet  “me zor”  të jem edhe zonjë ndonjëherë),  por në fund dhe mbi të gjitha dua të jem grua. Ka një dallim mes kësaj, nëse do të kemi parasysh edhe ku i ka rrënjët Sofia në mitologjinë greke. Aty do të gjejmë që ajo është personifikim i mençurisë; në traditën hebraike është Perëndesha e Diturisë; në kulturën egjiptiane është Perëndesha e Konceptit.

A mund të jetojë një femër si Sofia?
Mund të jetojë çdo femër si Sofia, nëse ka konceptin e lirisë në krye dhe që e udhëheq ky koncept. Është jeta e çdo gruaje që udhëhiqet sidomos nga liria e intuitës së saj.

E kemi ne  si femra në shoqërinë tonë këtë lloj lirie?
Është shumë e rrallë, por kjo s’do të thotë që mos të flasim apo mos të luftojmë për të. Unë me intuitë kam shkuar drejt kësaj rruge, po kam parë që me erën e mirë që mban Sofia, të shkojë drejt deodorantit të saj.

A ka pasur impaktin që prisje tek njerëzit libri? Aq më tepër një imazh i ekranit si ju, që vjen në këtë dimension tjetër, të themi?
Paskam qenë një njeri shumë i pakënaqur nga jeta.

Në ç’sens është kjo?
E mbaj mend që e vogël që edhe kur merrja notën 10 nuk isha e kënaqur asnjëherë. Vetja ime në pasqyrë nuk më ka pëlqyer asnjëherë. Ky sens i pakënaqësisë ndaj vetes më ka bërë që të vrapoj, që të gjej sa më shumë kënaqësi. Është shumë e thjeshtë; kur nuk kënaqesh, do të thotë që ti je në kërkim të kënaqësisë. Kjo pakënaqësi është në versionin më të mirë të saj; që do të thotë të qenit optimiste për të kërkuar gjëra të tjera, të reja. 

A jeton e lirë një femër e mençur?
Unë thashë që Sofia është e tillë. Një zonjë mund të jetë e mençur, por nuk është e lirë. Unë kam njohur gra të mençura, por që nuk janë të lira fare. Ndaj thashë që së pari duhet të jesh grua, jo zonjë, e cila ka ca rregulla, norma, limite që duhet t’i ndjekë; që e pengojnë të jetë një grua e lirë. Sigurisht që edhe mes të dyjave shpesh bëj gruan, por duhet të bëj dhe zonjën ndonjëherë, s’kam ç’bëj. Po kjo është një luftë e përbotshme. Nuk jemi vetëm ne kështu.

Mes princeshës dhe gruas, kë preferon?
Princesha i ka të gjitha gati. Preferoj të jem grua. Ajo që lufton për të arritur gjërat çdo ditë të jetës së saj.  Gjithçka për të cilën bëhet fjalë është sesi të dalim nga kurthi i palirisë, sepse është diçka që e ndesh çdo burrë, çdo grua, çdo individ, çdo ditë të jetës së tij. Dhe asgjë në këtë botë nuk është e gatshme. Duhet të marrësh rrugën për të shkuar diku!

Përse duhet që vajzat dhe gratë shqiptare ta lexojnë librin tuaj?
Unë dua  të takoj sa më shumë “Sofi” në Shqipëri. Ne pengesën e parë e kemi tek vetja. Duhet të çajmë hekurat e burgut në sytë tanë. Nëse ne nuk bëjmë këtë tek vetja, nuk mund të ndihmojmë tjetrin. Duhet të pranojmë që jemi të palira, sepse që këtej fillon lufta për lirinë. Megjithatë ne duhet të luftojmë të gjejmë Sofinë, në kuptimin filozofik të lirisë edhe tek burrat, pasi dhe ata  kanë probleme me lirinë e tyre.

Ka gra të forta pa burra të fortë?
Jo, nuk ka. S’besoj të ketë. Grua në qenien e vet dhe në konceptin për të cilin folëm jo, por zonja po, kemi sa të duash.

Nga cila femra je ndikuar apo frymëzuar ?
Më pëlqen shumë Elisabeta e Austrisë.  Është një grua e cila theu disa tabu në  monarkinë austro-hungareze. Unë e kam një imazh frymëzues sepse ishte një nga ato femra të gjithfarshme; donte artin, kulturën, historinë në një kohë kur monarkia e vet ia hoqi fëmijën nga prehri shumë shpejt, sepse kjo ishte tradita. Derisa ajo arriti të thyente rregullat dhe të merrte guximin ta rriste vetë fëmijën e saj. Mos të them për të tjera femra si Virxhinia Ulf, Simone dë Bovuar etj…

Ku beson Monika?
Unë besoj shumë tek energjia që marrim dhe japim me njëri-tjetrin. Besoj tek shpirti, i cili është në eter pa fund. Nuk shkrin dot. Nuk mund të humbasë.  Është energji.

Libri sot e ka më fuqinë të ndryshojë botën, apo imazhi është gjithçka?
Unë besoj te fjala e shkruar, edhe pse nuk duhet harruar që jemi në shekullin e 21, ku forcë ka imazhi, televizioni. Bota ka evoluar dhe media online madje po zëvendëson edhe televizionin. Rrjetet sociale kanë një impakt shumë të fuqishëm në ditët e sotme, ama unë besoj tek fjala e shkruar.

Cili është opinioni juaj për faktin se njerëzit që botojnë sot libra, letërsi, histori, ditar apo publicistikë janë kryesisht njerëz të medias? Duket se është bërë akses i figurave publike…
Ka një problem, sepse ne dëgjojmë vazhdimisht për shtypjen e librave nga këto figura publike, ndërkohë që në 300 shtëpi botuese që ka Tirana mund të kemi libra pafund dhe autorë të mirë, por që nuk promovohen aq sa duhet. Një problem i madh këtu është edhe mungesa e kritikës letrare, e cila nuk ekziston praktikisht.  
 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)