TIRANË, 11 Dhjetor/ATSH-Z.Tosku/- Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë ka organizuar ditën e sotme konferencën kombëtare me temë "Monitorimi qytetar i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe Udhërrëfyesit mbi pesë prioritetet e integrimit".
Për të rritur transparencën në politikëbërje dhe përmirësimin e procesit të informimit të qytetarëve, në bashkëpunim me një grup ekspertësh të pavarur, Fondacioni ndërmori projektin e monitorimit qytetar. Monitorimi konsistonte në planin e veprimit për luftën kundër korrupsionit, udhërrëfyesin për pesë prioritetet dhe monitorimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit për periudhën korrik 2012-korrik 2014.
Në takim ishin të pranishëm  Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, Gentian Elezi, Zv.Ministër i Ministrisë së Integrimit Evropian,
Elona Gjebrea, Zv.Ministre në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Andi Dobrushi Drejtori Ekzekutiv OSFA, Clive Rumbold, Shef i Delegacionit Evropian në Tiranë.
Sipas rezultateve të monitorimit,  lidhur me udhërrëfyesin mbi 5 prioritetet për periudhën janar-korrik niveli i zbatueshmërisë së masave të parashikuara është 47 %, 31 % zbatuar pjesërisht dhe 22 % nuk janë zbatuar, nga masat e parashikuara për këtë periudhë raportimi. Ndërsa sa i përket planit të veprimit për Luftën kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar në 14 çështje nga të cilat 6 janë zbatuar, 5 janë zbatuar pjesërisht dhe 3 nuk janë zbatuar. Kjo do të thotë që shkalla e zbatueshmërisë së planit është 43 % .
Dobrushi u shpreh se "mungesa e dialogut politik, krimi i organizuar si dhe ekonomia e dobët", janë sipas tij, faktorët kryesorë që kanë konsumuar kohën për t'u bërë pjesë e BE.
Sipas Dobrushit, mosrealizimi në kohë  ka ardhur si pasojë e moskoordinimit mes afateve të përcaktuara, burimeve njerëzore dhe financave të parashikuara. Pra, mungesa e buxhetimit  të masave ka qenë një problem në qëndrueshmërinë e 5 prioriteteteve dhe MSA. Plani Kombëtar kundër krimit të organizuar është i vetmi dokument publik konkret për masat e realizuara, ndërsa hapja e negociatave lidhet me mënyrën sesi Shqipëria ka performuar përgjatë gjithë kohës për plotësimin e prioriteteve".
Për Kryetaren e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, Majlinda Bregu,  roli i Kuvendit është parësor në zbatimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. "Ka një mundësi që e përshpejton procesin e Bashkimit Europian dhe kjo lidhet me masën e asaj, që qeveria mer në konsideratë nga opozita, nga zëri i opozitës së parlament".
Më tej, ajo vijoi se ' ky proces në thelb është politik, por është edhe teknik dhe shpeshherë ne ngelemi tek shifrat dhe kjo zgjidh situatën', por për Bregun së pari hapja e negociatave kërkon përmbushjen e kritereve.
Sipas saj, mosrespektimi i institucioneve të pavaruara, mosrespektimi i administratës publike, mosrespektimi i të drejtave të njeriut, lufta kundër krimit të organizuar dhe lidhjet e saj me politikën  si dhe mungesa e kompromisit mes qeverisë dhe zërit të opozitës, janë të gjitha elementë që ngadalësojnë procesin e negociatave.
Nga ana e tij, Gentian Elezi tha se "monitorimi që fondacioni "Soros" ka bërë është serioz dhe cilësor, duke përfshirë dhe kapituj të tjerë, përveç atyre politikë. Unë shoh përmirësim në mbikqyrjen që shoqëria civile po bën si dhe transparencës në ligjin për konsultimin publik".
Për Clive Rumbold, "gjetjet e këtij monitorimi qytetar janë pjesë e konsultimeve që po bëhen me BE dhe këto janë të nevojshme'. Më tej, ai shtoi se "qytetarët janë çelësi i një shoqërie më tepër sesa politika, ndaj BE-së i intereson cilësia e reformave dhe zbatueshmëria e tyre, sesa numri i reformave. Shoqëria civile ka një rol shumë të rëndësishëm dhe ka shumë organizata, por nuk janë funksionale praktikisht".
Ndërsa për Gjebrean, lufta kundër krimit të organizuar është parësore dhe është marrë një angazhim pasi janë ngritur grupet e punës për mbikqyrjen dhe për të sjellë rezultate".
/m.m/