"Monografia" e mjeshtrit kosovar
Simon Shiroka vjen në Kryeministri

Simon Shiroka vjen në Kryeministri">
TIRANË - Në hollin protokollar në COD është zhvilluar mbrëmë aktiviteti i titulluar “Jeta e sendeve në hapësirën mbarëshqiptare”, një prezantim i Monografisë së Simon Shirokës. Monografia është botuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Aktiviteti u çel me një performancë të Edona Vatocit, që shfaqi një video mbi Simon Shirokën. “Monografia e Simon Shirokës” në COD, u promovua si një përmbledhje e krijimtarisë së tij artistike.

Veç “Monografisë”, të strukturuar sipas një tematike interesante dhe shumëdimensionale në etapa të ndryshme të krijimtarisë Simon Shiroka njihet si mjeshtër i madh i artit të realizuar në teknikën e filigranit. I konkretizuar në figura, maska, ikona, skulptura, vizatime, folklor e ornament, arti i tij merr një dimension bukurie te njerëzit dhe jeta e përditshme. Krijimtaria shumë e pasur e Shirokës mbështetet në traditën popullore, të cilën e sjell me sukses në forma bashkëkohore.

Simon Shiroka u vlerësua për pasurimin dhe rikrijimin e traditës popullore. Nga tradita popullore ai nuk mori vetëm mjeshtërinë e përpunimit të argjendit dhe materialeve të tjera fisnike, por edhe figuracionin, ornamentikën popullore, etnografinë, ashtu si psikologjinë dhe besimin. Të pranishmit theksuan se nuk është vetëm totemia, folklori, mistika dhe ornamentika e shpirtit të kësaj treve e këtij populli ajo që e dallon krijimtarinë e tij, por edhe shpirti i veçantë i artistit, që me dashuri e fanatizëm të pazakonshëm digjej dhe jetonte për të. Për artin e tij, mjeshtri shprehej thjesht: ”Jam i lumtur kur pikturoj gjëra të bukura, kur me ngjyrat e përdorura jap diçka që kënaq syrin e njeriut dhe i futet në zemër, si diçka e ngrohtë dhe e dashur, e afërt dhe e gjallë. Në ato raste nuk më dhimbset të shkrij edhe argjendin e pikturën ta shndërroj në diçka të argjendtë...”, kujtoi Shkëlzen Maliqi. “Çdo punim më është i dashur... Një lindje e madhe që nuk përsëritet, jo në ato ngjyra, me ato dimensione, me ato nuanca.

Çdo punim imi është unikat, prandaj edhe i dashur, i ruajtur si sytë e ballit. Kurorë e vlerësimit të të tjerëve është edhe vlerësimi im, shumë modest... Çdo punim e kam një pjesë të zemrës, një ëndërr të madhe që dua ta shoh para vetes, gjithnjë”, thoshte Shiroka “Tërësia e opusit të Simon Shirokës zbulon një mjeshtër dhe art mahnitës, që na shtyn drejt rivlerësimit të vendit dhe rëndësisë së këtij krijuesi në artin kosovar e shqiptar. Ai ka bërë një sintezë origjinale dhe kreative të mjeshtërisë më të lartë të zejtarisë, të filigranit, me format e shprehjes së artit modern... Simon Shiroka ka qenë artist i lindur, ndër më të mirët që kemi, jo vetëm në brezninë e tij”, vë në dukje Shkëlzen Maliqi. Simon Shiroka (1927-1994) lindi në Prizren, në një familje të njohur në breza për përpunimin e metaleve të çmuara.

Ai mori dorë nga mjeshtrit, filigranistët më të shquar prizrenas. Me ambicien për t’u bërë artizan i mirënjohur, vazhdoi ushtrimin e shkollimin e mëtejshëm në Beograd e Zagreb, për t’u kthyer në Prishtinë e për të nisur një veprimtari tepër të pasur aplikative dhe artistike. Me veprat e tij origjinale ka lënë gjurmë të thella në artin kosovar e më gjerë. Gjatë karrierës së vet, Shiroka ka realizuar shumë ekspozita personale e kolektive në Kosovë e vende të tjera.


Redaksia Online
(E.Ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!

Ardit Bido: Vota e shqiptarëve ishte një sfidë për ty, Vangjel, Përgjigju!