Monumenti, Nimani: Të
skualifikohet gjermani

Monumenti, Nimani: Të<br />skualifikohet gjermani
TIRANE- Ne e njihnim se kush ishte Richard Serra", thotë njëri prej anëtarëve të bordit të jurisë në përzgjedhjen e bocetit fitues për ngritjen e Monumentit të Pavarësisë në Tiranë. Artisti dhe akademiku nga Kosova, Shyqri Nimani, ( ne foto) i cili është piktor dhe pedagog në Akademinë e Arteve, në intervistën për Shqiptarja.com nuk e kundërshton apriori mundësinë e plagjiaturës ose të vjedhjes së veprës,ndërsa komenton se secili krijues duhet të mbajë përgjegjësinë për origjinalitetin e veprës së tij. Ai shpreh mendimin se duhet të rishikohet nëse "ka ndikim, koincidencë apo plagjiaturë" dhe nëse kjo vërtetohet: "Diskualifikimi do të duhej të ndodhte paraprakisht. Ne kemi rezervën e artë: vendin e dytë në ranglistë e ka boceti i Thoma Thomait, i cili ka vetëm 4 njësi më pak se i pari.", thotë ai. Ndër të tjera akademiku Nimani rrëfen si u përzgjodhën veprat në këtë konkurs. Pse kanë të drejtë artistët që kërkonin të përcaktohej sheshi para se të bëhej vepra. Cilat janë pasojat e një konkursi të ngutur për një monument tjetër të pavarësisë dhe si i bashkohet ai mendimit të akademikëve që Ismail Qemali duhet të ketë një monument madhështor në Tiranë.

Si ka qenë për ju periudha e përzgjedhjes së boceteve. A pati debate për pesëshen dhe veprën fituese? A ishin prurjet në nivel të denjë për këtë ngjarje?
Nimani: -Organizatorët kishin rezervuar tri ditë të plota, të cilat ishin në dispozicion të jurisë për t'i studiuar, analizuar dhe përzgjedhur pesë bocetet nominuese për shpërblim. Kushtet që kishte ofruar Galeria Kombëtare e Arteve ishin optimale. Natyrisht, si domosdoshmëri substanciale, janë edhe shkëmbimet e mendimet. Por, s'mund të ketë imponime qëndrimesh. Juria përbëhej prej 9 (nëntë) anëtarëve, e përzgjedhur nga profesionistë me karakter ndërkombëtar dhe multidisiplinar, me profile skulptori, piktori, dizajneri, kritik artesh, kuratori… Procesi i punës pati mirëvajtje pa kurrfarë interferimesh. Për dy anëtarët e huaj të jurisë ishte siguruar përkthimi simultan. Juria aplikoi sistemin e vlerësimit në disa faza, duke e ngushtuar rrethin deri në pesë bocetet e fundit nominuese. Përfundimisht, pesë bocetet nominuese u vlerësuan me nga 1, 2, 3, 4 dhe 5 pikë. Kështu u përmbyll renditja, nga e cila rezultoi se boceta e dy bashkautorëve, Visar Obrija dhe Kai Kiklas, nga Gjermania, ngadhënjyen me 31 pikë. Ndërkaq, vetë fakti se në konkurs morën pjesë autorë të ndryshëm dhe nga vende të ndryshme, me rreth 60 zgjidhje ideore, flet mjaft se interesimi për pjesëmarrje ishte i kënaqshëm. Por, zakonisht, vëllimi nuk prezanton edhe cilësi të mjaftueshme. Megjithatë, unë mendoj se kishte edhe vepra të tjera të denja për respekt.

Si do t'i përgjigjeshit protestës së historianëve dhe akademikëve që Monumenti i Pavarësisë nuk duhet në Tiranë; një i tillë gjendet në Vlorë.... A i duhet vërtet Tiranës një monument për këtë ngjarje?
Nimani: -Kjo çështje është vërtet e diskutueshme. Sepse, meqë Vlora tashmë e ka Monumentin e Pavarësisë, është çështje sesi mund të inkorporohej edhe një Monument tjetër me subjekt të njëjtë në një mjedis të qytetit të njëjtë, ku dallon vetëm dita e shpalljes së Pavarësisë (28 nëntor, 1912) dhe 100 Vjetori i Pavarësisë (28 nëntor, 2012). A mund të qëndronin njëri pranë tjetrit? Përse nuk mund të vendosej Monumenti edhe në kryeqendrën aktuale shqiptare, si një diptik -Vlorë - Tiranë?

A mendoni se duhej të ishte ngritur më parë të paktën një bust i Ismail Qemalit në Tiranë si themelues i shtetit shqiptar? Në kryeqytet nuk gjendet asnjë gjurmë e këtij burri shteti...
Nimani: -Po, gjithsesi. Por, jo busti. Ai meriton Monument Madhështor në Tiranë. Ismail Qemali zë vend të amshueshëm me rolin e tij vendimtar në shpalljen e shtetit modern shqiptar. Unë do të preferoja për të një kompleks shumëdimensional, ku figura e tij, e shoqëruar me kontribuesit e tjerë patriotikë, do të kishte pozitë dominante. Le të na kujtohet në këtë kontekst, për shembull, Kompleksi i famshëm skulptural botëror në Oslo të Norvegjisë - Vigeland Sculpture Park (Vigelandsanlegget) dizajnuar nga Gustav Vigeland.

Ka pasur kontestime edhe për shpenzimet financiare. 35 mijë euro vetëm për konceptin fitues, ndërkohë fonde të tjera parashikohen për ndërtimin... . Ia vlen që për një ditëlindje pavarësie të bëhen kaq shumë shpenzime, për më tepër një monument që edhe po kritikohet dita-ditës nga opinioni, artistët dhe akademikët?
Nimani: -Keni të drejtë. Pajtohem se shuma e paraparë prej 35.000 eurove për shpërblimin e parë është mjaft e madhe. Sidomos për faktin se materiali i bocetit të dorëzuar nuk është punuar në përmasa aq të mëdha apo prej ndonjë materiali të atillë që të arrinte shpenzime aq të larta. Sa i përket shpenzimeve të përgjithshme të realizimit të Monumentit, mund të them se ato natyrisht duhet të sigurohen, por duke i shfrytëzuar në mënyrë racionale dhe me mbikëqyrje rigoroze.

Shumica e artistëve të njohur nuk morën pjesë në konkursin për bocetet, sepse nuk kishin idenë e vendit, ku do të ngrihej monumenti. A kanë të drejtë ata?
Nimani: -Ata mbase kanë pasur të drejtë së paku për dy gjëra themelore që nuk kanë marrë pjesë. E para për faktin se në konkurs nuk ishte caktuar lokacioni se në cilin qytet dhe në cilën hapësirë të atij qytetit do të vendosej Monumenti. Sipas konkursit hapësira do të vendosej më vonë. Pikënisje e çdo projekti ideor është hapësira. E dyta, për faktin se kohëzgjatja e konkursit ishte shumë, shumë e shkurtër. Sipas përvojave botërore, në raste të tilla do të duhej t'u jepej kohë krijuesve për të zhvilluar idetë e tyre për një kohëzgjatje optimale. Në rastin tonë mund të nënkuptohet se konkursi do të duhej të ishte shpallur disa vjet më parë dhe me të gjitha komponentët përcjellëse të domosdoshme.

I keni njohur ju vetë fituesit? Si anëtar i Jurisë, duke ditur se dy fituesit kanë një karrierë jo të pasur artistike, dhe paraqiten me begraundin e një arkitekti. A mund të garonin me artistët më të njohur. Cilat kritere u morën parasysh?
Nimani: -Konkursi nuk ka qenë anonim. Ne kemi kërkuar prurjet më të mira për të zgjedhur më të mirën. Kemi refuzuar çdo projekt i cili ka qenë konvencional, stereotipik, rutinor apo me ngjyrosje të soc-realizmit e antivlera të tjera. Jemi në Mileniumin e Tretë dhe duhet të aplikojmë vlerat më të mira estetike botërore.

Këto ditë u bë publike edhe ideja e plagjiaturës së veprës fituese. Kur ju dhatë pikët për veprën fituese, e dinit se cili ishte Richard Serra dhe që ai bënte në gjithë botën skulptura që kalonin njerëzit nëpër to?
Nimani: -Natyrisht, se e njihnim. Richard Serra është njëri ndër skulptorët dhe vizatuesit më të mëdhenj bashkëkohorë amerikan, shprehja artistike e të cilit është minimaliste. Ai është i njohur pikërisht për asambletë e mëdha prej fletëve metalike. Por, secili krijues e mban përgjegjësinë për origjinalitetin e veprës së tij. A ka ndikim, koincidencë apo plagjiaturë-përgjegjësinë e merr autori i dyshuar.

Nëse kjo vepër rezulton vërtet e vjedhur, a duhet lejuar ndërtimi i saj?
Nimani: Natyrisht, nëse një gjë e tillë dëshmohet të jetë e vërtetë, absolutisht në asnjë mënyrë nuk do të duhej të realizohej. Turpi do të ishte i pariparueshëm përjetësisht. Diskualifikimi do të duhej të ndodhte paraprakisht. Ne kemi rezervën e artë: vendin e dytë në ranglistë e ka boceti i Thoma Thomait, i cili ka vetëm katër pikë më pak se i pari.

Fillimisht u tha se Monumenti do të vihej në një shesh publik. Së fundi drejtori i Galerisë, Shima, kumtoi se do të vendosej në një park të gjelbëruar. Ju e keni vlerësuar për monument apo për skulpturë parku...?
Nimani: -Ne jemi pajtuar parimisht se hapësira ku do të vendoset Monumenti do të jetë çështje e autorëve dhe e Qeverisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Projekti 'Smart City' merr jetë, Balla me inxhinierët tek Salla Operative e Policisë së Tiranës: Monitorim me kamera e inteligjencë artificiale

Projekti 'Smart City' merr jetë, Balla me inxhinierët tek Salla Operative e Policisë së Tiranës: Monitorim me kamera e inteligjencë artificiale