Moody’s rishikon në rritje ekonominë shqiptare, nga 'pozitive' në të 'qëndrueshme'! Malaj: Ndikim ulja e borxhit, rritja e investimeve

TIRANË- Në “rishikimin e thelluar” të saj më të fundit të datës 18 Tetor 2024, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody's ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3 – e qëndrueshme” nga “B1 – pozitive”, duke theksuar përmirësim e profilit të kreditit të vendit si rezultat i forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve ekonomike dhe fiskale.

Moody’s parashikon një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme, të nxitur nga financimet e Bashkimit Evropian dhe zbatimi i reformave përkatëse. Investimet e huaja direkte, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe energjisë, pritet të luajnë një rol kyç, ndërsa transformimet sektoriale synojnë të nxisin produktivitetin. Këto ndryshime pritet të përmirësojnë ekonominë duke zhvendosur fuqinë punëtore nga bujqësia drejt sektorëve më produktivë, si turizmi. Për më tepër, një rritje e qëndrueshme e pjesëmarrjes në tregun e punës do të zbusë sfidat demografike të popullsisë.

Në një deklaratë për mediat, ministri i Financave Petrit Malaj tha se, rishikimi pozitiv për ekonominë shqiptare vjen në një moment kur ekonomia globale po kalon një sërë sfidash gjeopolitike, digjitalizimi apo kushtet klimaterike.

Sipas tij, ky vlerësim pozitiv konfirmon mbi të gjitha se Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur, sa i takon reformave në kuadër të integrimit, garantimit të mirëqeverisjes si dhe forcimit të mëtejshëm të financave publike.

“Përfitimet që vijnë nga ky vlerësim janë konkrete: Rritja do të sjellë vlerësim pozitiv sa i takon investimeve të huaja duke rritur besimin tek investitorët e huaj. Gjithashtu Shqipëria do të përfitojë nga tregjet ndërkombëtare duke siguruar huamarrje me kosto më ulët financimi”, u shpreh ministri.

Malaj tha se, “kjo do të thotë që ekonomia shqiptare do të jetë e qëndrueshme edhe në termat afatmesëm”.

Duke u ndalur në treguesit ekonomikë në rritje, ministri tha se, në harkun kohor të 10 viteve PBB është rritur më shumë se dy herë, nga 9,6 miliardë euro në 2013 në 21.4 miliardë euro deri në fund të 2024. Ministri u ndal në treguesit ekonomikë.

“Gjithashtu të ardhurat për frymë janë rritur nga 3 300 euro që shënonin në 2013 në 10 380 euro që pritet të jenë në fund të 2024. E ndërsa PBB në vendet e rajonit u rrit me 53% gjatë 10 vjeçarit të fundit, në Shqipëri ajo është rritur me 80 %”, u shpreh Malaj.

Vlerësimi i Moody’s thekson përmirësimin e pozicionif fiskal të vendit, të nxitur nga rritja e qëndrueshme ekonomike e kombinuar me një ulje të konsiderueshme të deficitit fiskal. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është ulur ndjeshëm që nga niveli më i lartë i regjistruar në vitin 2021 dhe parashikon një ulje të mëtejshme graduale në periudhën afatmesme, të mbështetur nga zbatimi i reformave fiskale. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra në 57.5% në vitin 2023, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2008. Agjencia parashikon një rënie të mëtejshme të raportit të borxhit ndaj PBB-së në 54.3% në vitin 2025 dhe, në mungesë të goditjeve, të zbrese nën 50% deri në vitin 2029.

Moody's thekson gjithashtu angazhimin e autoriteteve shqiptare për të respektuar rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat përfshijnë një bilanc primar jo negativ dhe një ulje të qëndrueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së çdo vit derisa të arrijë në 45% të PBB-së.

Agjencia vlerëson ecurinë e reformave fiskale, përfshirë miratimin e mundshëm të strategjisë afatmesme të të ardhurave deri në fund të këtij viti, si dhe përmirësimet në menaxhimin e investimeve publike.

Për më tepër, Moody’s vlerëson gjithashtu se financimet nga BE-ja dhe zbatimi gradual i reformave të mëtejshme të lidhura me procesin e anëtarësimit në BE do të kontribuajnë pozitivisht në profilin e kreditit të Shqipërisë. Ritmi i reformave ka të ngjarë të forcohet me përparimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, kontrollit të korrupsionit dhe llogaridhënies. Integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, pritet të përmirësojë potencialin e rritjes ekonomike në afatmesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Rasti Bove dhe kërkesa e Igli Tares, trondit mjeku në Itali: Në Serie A një lojtar është i papërshtatshëm për të luajtur

Rasti Bove dhe kërkesa e Igli Tares, trondit mjeku në Itali: Në Serie A një lojtar është i papërshtatshëm për të luajtur