Moralin, apo pushtetin?!

Moralin, apo pushtetin?!
Zgjidhni! Kjo dilemë u ofrohet sot votuesve të Partisë Socialiste. Askujt tjetër. Vetëm elektorati socialist është thirrur, është vënë në provë. A do të zgjedhin ata, pas tetë vitesh opozitë, mundësinë më të madhe për të fituar mbi Sali Berishën me një të majtë të bashkuar, apo do të jepen pas emocioneve të ngrira prej kohësh në mërinë ndaj Ilir Metës? Opsioni i parë, i sjell në pushtet.

Pasi të sigurojnë këtë, pasi të sigurojnë mirë këtë, të gjithë bashkë njëzëri të ngrihen dhe të kërkojnë Rilindjen e vendit. Nëse pushteti “nuk u zë sytë” , le të kërkojnë moralin, ndershmërinë, prosperitetin, ecjen përpara të vendit. Atëherë mund të jetë edhe koha e “gjyqeve”. Por kjo është për pas 23 qershorit. Para 23 qershorit ka shumë kohë, megjithëse janë pak ditë.

Është kaq shumë kohë brenda pak ditëve, sepse përballë është Sali Berisha, i paepur në dëshirën e tij për të qëndruar në pushtet, dhe i paparashikueshëm në lëvizjet e tij për të mbajtur pushtetin. Përballë kanë një Parti Demokratike, të rreshtuar shumë mirë, pa përçarje të dukshme brenda, të fortë goxha edhe pas tetë vjet qeverisje (krahasoheni me “Nano 2005”), me të bëra e të pabëra, me një kryetar që emërues dhe kallzues ka fjalën “fitore”.

Si mund të fitosh përballë kësaj makinerie suksesi? Me ngjyrën e re të selisë? Me program laptopësh? Rama duhet ta ketë kuptuar më në fund, se përballë një kamioni, nuk mund të shkosh me Ferrari. E zgjedhjet shqiptare...janë akoma zgjedhje shqiptare.

Opsioni i dytë është të mbajnë mërinë ndaj Ilir Metës, duke ia mveshur këtë gjithë të majtës, sigurisht edhe vetes. Kjo zgjedhje nuk ka nevojë për analiza të gjata, përfundimi është një, sërish opozitë. Morali, që sot po ia përplasin turinjve elektoratit të PS-së, është i çuditshëm. Sepse ka pas egzistuar si fjalë edhe në vitet 1998-2005.

A mos vallë nuk duhen kujtuar (se janë harruar është e sigurtë), se çka ngjarë atëherë në kohën e qeverisjes së majtë? Edhe atëherë morali vihej në dyshim. Por nuk pati asnjë mëdyshje, edhe nga elektorati, madje më shumë nga elektorati (“nuk duam as ujë, as drita, vetëm ju bashkohuni”, thoshte dikush atëkohë).

Pushteti u zgjodh para moralit...dhe para frikës nga Berisha. Kur Fatos Nano, zgjodhi në 2005 (veç arsyeve të tjera) moralin (aq sa i kish mbetur dhe i kishin lenë), përveçse humbi, dhe jo vetëm zgjedhjet, edhe u mallkua e vazhdon të mallkohet si njeriu “që na hodhi në rrugë”.

Edi Rama bëri gjithçka për të rrëzuar Berishën. Po ashtu bëri gjithçka për të zhdukur politikisht Ilir Metën. Bëri gjith’ çkishte në dorë, deri në 2009 në mënyrën europiane, e pas saj në mënyrën shqiptare. Nuk ia arriti, madje u rrezikua edhe përçarja e PS-së (kërkesa e dy anëtarëve të kryesisë pas zgjedhjeve të 2005 për largimin e tij).

Sot ai kërkon ta mundë Berishën në mënyrë të kombinuar; në atë europiane dhe shqiptare së bashku. Çdo gjë e bërë në këto katër vjet nga Rama, e dënueshme, apo jo, ka qenë në emër të marrjes së pushtetit dhe realisht jo vetëm për vete (A ju kujtohet sa bërtisnin disa atëherë: ta hedhim Berishën, ta luftojmë, ta rrethojmë, ta dërrmojmë, ta zhdukim, të gjejmë një Avni Rustem, etj, të gjitha në emër të PS e Ramës).

E fundit që kish mbetur ishte marrëveshja me LSI. Jo pse dorën që nuk e kafshon dot, duhet ta puthësh, por sepse PS-së vërtetë “i duhet një dorë”... Nëse të dy bashkë humbasin ndaj Berishës, atëherë e majta duhet të rishikojë thellë, shumë thellë veten...

Kur afron data e zgjedhjeve, bëhet llogaritë. Berisha ka bërë të vetat. Meta të vetat. Rama të vetat. Të tjerët që shihni në TV të vetat. Bëni dhe ju tuajat. Nuk bëni dot revolucion. Atëherë bëni llogari...

Morali nga moralistët? Le të kujtojnë fjalët e Jezusit. E nëse të njëjtët moralistë, përmendin pa moral çështjen “21 janari”, mos vallë mendojnë se ajo do të gjejë më shumë zgjidhje duke qenë PS-ja në opozitë?! Nuk po bëj moral. Thjesht e vërteta. Nëse “fati” e do të vini në pushtet, nuk bëheni të pamoralshëm, por mund të kërkoni më shumë llogari. Atëherë do të shihej realisht morali që po shfryn sot.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës

GJKKO liroi Berishën, Bardhi: Fitore politike e tij! Iu pengua për 1 vit aktiviteti liderit të opozitës