Pas 40 ditëve në qeli, Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, dhe dy shtetasit e tjerë, Marsel Buçi e Trajan Çeliku, kanë lënë ambientet e burgut të Drenovës, pasi gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpie”.

Mësohet se në seancën gjyqësore, pas 40 ditësh që u lanë në masë sigurie “arrest në burg”, për arsye të mbledhjes së provave dhe veprimeve hetimore shtesë të prokurorisë, tre të arrestuarit që morën peng dhe dhunuan 32-vjeçarin Ilir Topçiu, janë lënë në arrest shtëpie. Ka qenë vendimi i gjykatës që ka nxjerrë nga qelia tre të dyshuarit e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja ka ndodhur më tepër se një muaj më parë në qytetin e Bilishtit, ku tre të arrestuarit kanë marrë me forcë 32-vjeçarin Ilir Topçiu, duke e çuar në magazinën në pronësi të njërit prej të arrestuarve, ku e kanë dhunuar dhe mbajtur për disa orë peng.

Ngjarja tronditi opinionin publik, ku një ditë më pas u shkarkua drejtori i Policisë së Qarkut, Erion Ahmeti, dhe u pezullua zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Hajri Kushe.

Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku u akuzuan për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “kanosje”, të dyja veprat të kryera në bashkëpunim. Ndërsa Marsel Buçi, krahas dy veprave penale të mësipërme, u akuzua edhe për “plagosje të lehtë me dashje”. Hetimet vijojnë për këtë çështje që prej momentit kur Ilir Topçiu denoncoi ngjarjen pranë uniformave blu.