Gjykata e Korçës ka caktuar masën ‘arrest me burg’ me afat 40 ditë për Alti Nallbati, vëllain e deputetit të PD Bledjon Nallbati.

Të njëjtën masë ka dhënë edhe për Marsel Buçin dhe Trajan Çelikun, të cilët së bashku me vëllaim i deputetit demokrat morën peng 32-vjeçarin Ilir Topçiun dhe e dhunuan fizikisht në Devoll.

Pala mbrojtëse kërkoi masë sigurimi më e lehtë, 'arrest në shtëpi' por kërkesa nuk u pranua. Në këto 40 ditë prokuroria do kryejë të gjitha hetimet.

Sipas informacioneve autorët dhe i dëmtuari kanë qenë miq. Gjatë seancës të tre pranuan faktin që e kanë goditur.

Avokatët mbrojtës kërkuan të faktohet që është kryer vepra penale e "heqjes së paligjshme të lirisë" pasi këta të fundit pretendojnë që është "plagosje e lehtë".

Ngjarja u regjistrua më 27 tetor ku sipas policisë të tre morën me forcë 32-vjeçarin nga banesa pasi ndodhej në arrest shtëpiak, dhe më pas e çuan në një biznes privat, ku e mbajtën për disa orë ku edhe e kanë keqtrajtuar. Shkak janë bërë konfliktet për prishje pazaresh për aktivitete të paligjshme, dyshohet kontrabandë.

 Alti Nallbati ishte protagonist edhe në sherrin e të vëllait deputet pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit. Dy vëllezërit më 3 maj u konfliktuan në Bilisht me një shofer kamioni, të cilin e dhunuan. Deputeti pretendoi se sulmi ishte politik, edhe pse në pamje shihej teksa, edhe në prezencë të policisë, ngjitet në shkallën e kamionit për të goditur shoferin.