Në një kohë kur prokuroria e Fierit është vënë në ndjekje të parave të biznesmenit të naftës Adrian Xhillari, ky i fundit dhe kompania e tij “Tea Construction&Petrol”, nuk po gjejnë rehat dhe nga përmbaruesit privatë.

Kjo pasi Xhillari dhe bashkëshortja e tij Teuta, kanë marrë një kredi bankare prej 600 mijë eurosh nga e cila nuk kanë paguar shumën prej 510 mijë euro. Kjo shifër nuk është kthyer mbrapsht nga Xhillari, i cili ka zeruar llogaritë bankare dhe është larguar në drejtim të paditur. Tashmë përmbaruesit kanë vendosur të sekuestrojnë kompaninë “Tea Construction & Petrol”, vendim ky që është kundërshtuar me një padi civile me qëllim heqjen e masës së sekuestrimit.

Padia është depozituar në 29 dhjetor të 2015 në Gjykatën e Tiranës, 6 ditë pasi përmbaruesit kanë vendosur masën e sekuestros ndaj kompanisë së sipërcituar.
Biznesmeni i naftës Adrian Xhillari, i akuzuar për kontrabandimin e 4.4 milion litra naftë virgin, ka zeruar të gjitha llogaritë bankare dhe është larguar nga Shqipëria.
Xhillari, që administron nga arratia kompaninë “Tea Oil Italia” dhe “Tea Construction &Petrol” rezulton të mos ketë para në banka, pasi thuajse të gjitha llogaritë e tij i ka zeruar, duke i tërhequr kesh.

Një konstatim i tillë është bërë nga prokuroria e Fierit, e cila po heton Xhillarin për kontrabandë nafte dhe falsifikim dokumentash, njëherësh dhe për pastrim parash.
Në kuadër të këtyre akuzave njësia hetimore Task-Forcë pranë prokurorisë së Fierit ka kërkuar të dhëna nga bankat e nivelit të dytë, por përgjigjja nga këto të fundit ka qënë se biznesmeni Adrian Xhillari tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe nga zyra e Interpolit, ka tërhequr paratë kesh.

Pas marrjes së lekëve nga bankat, Xhillari ka humbur gjurmët duke mos u arrestuar sot e kësaj dite nga policia e Shtetit, megjithëse ka një urdhër-arresti ndërkombëtar për të.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)