Lionel Messi vazhdon të thyejë rekorde dhe të shkruajë historinë e futbollit botëror. Kapiteni i Argjentinës u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Kupës së Botës, pasi arriti kuotën e 18 golave, duke lënë pas legjendën gjermane Miroslav Klose me 16 realizime.

Ylli argjentinas ishte protagonisti absolut në fitoren 2-0 të Argjentinës ndaj Austrisë në Kupën e Botës 2026. Edhe pse humbi një penallti në pjesën e parë, Messi reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme duke zhbllokuar rezultatin në minutën e 38-të dhe më pas duke realizuar edhe golin e dytë të sfidës.

Me këtë paraqitje, 39-vjeçari arriti në kuotën e pesë golave në turneun e këtij viti dhe kryeson listën e golashënuesve të Kupës së Botës 2026. Për më tepër, ai është bërë futbollisti i parë që ka shënuar në pesë edicione të ndryshme të kompeticionit më prestigjioz ndërkombëtar.

Rrugëtimi i Messit në Kupën e Botës nisi në vitin 2006 në Gjermani, kur shënoi golin e tij të parë ndaj Serbisë dhe Malit të Zi në moshën 18-vjeçare. Që atëherë, ai ka qenë një nga figurat më dominuese të turneut, duke kulmuar me triumfin në 'Katar 2022', ku realizoi shtatë gola, përfshirë dy në finalen historike.

Golat e Messit në Kupat e Botës: 2006 - 1 gol, 2010 - 0 gola, 2014 - 4 gola, 2018 - 1 gol, 2022 - 7 gola, 2026 - 5 gola (deri në këto momente).

Pas ndeshjes, Messi u shfaq i kënaqur me rezultatin dhe kualifikimin e Argjentinës në fazën eliminatore.

“Ishte në planet tona t’i fitonim dy ndeshjet e para dhe e dinim se nuk do të ishte e lehtë. Në Kupën e Botës nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe Austria na vuri në vështirësi në disa momente. Megjithatë, më e rëndësishmja ishte fitorja dhe kualifikimi”, deklaroi kapiteni argjentinas.

Messi pranoi se humbja e penalltisë e kishte zhgënjyer, por theksoi se reagimi i skuadrës ishte vendimtar.

“Isha shumë i mërzitur që humba penalltinë, por për fat të mirë arritëm ta ndryshonim rrjedhën e ndeshjes dhe të merrnim tri pikët. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”, u shpreh ai.

Falë suksesit ndaj Austrisë, Argjentina siguroi kualifikimin në raundin e 1/16-ave me gjashtë pikë nga dy ndeshje.

Messi gjatë festës pas dopietës

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.