Mori pjesë në aktivitetin e shoqatës që u gjobit për shkelje masash anti-COVID, Meta: Tërësisht politike, veprim skandaloz i qeverisë ndaj inxhinierit

Mori pjesë në aktivitetin e shoqatës që u gjobit për shkelje masash anti-COVID, Meta: Tërësisht politike, veprim skandaloz i qeverisë ndaj inxhinierit

Ilir Meta dhe Abdulla Deliallisi

Presidenti Ilir Meta, ka reaguar lidhur me gjobën që është vendosur ndaj Abdulla Deliallisit kryetarit të Shoqatës “Durrësi Autokton", pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me masat anti COVID, ku ka marrë pjesë dhe vetë kreu i shtetit.

Meta ka deklaruar se kjo sipas tij është një gjobë arbitrare dhe tërësisht politike. Sipas tij qeveria ka ndëshkuar pa të drejtë inxhinierin në pension, Abdulla Deliallisi, duke theksuar se ceremonia e organizuar pasditen e djeshme në Pallatin e Kulturës së Durrësit, që ishte me rastin e vlerësimit nga Presidenti i Republikës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” të arkeologut të mirënjohur, Profesor Vangjel Toçi (pas vdekjes) nuk ka shkelur regullat anti-COVID.

Lidhur me këtë gjobë Meta thotë se ka pritur sot në takim Deliallisin për t’u njohur prej tij me rrethanat e këtij veprimi, të cilin e quan skandaloz dhe të papranueshëm.

"Me një gjobë arbitrare dhe tërësisht politike, 5 milion lekë, Qeveria ka ndëshkuar pa të drejtë inxhinierin e shquar në pension, z.Abdulla Deliallisi, Kryetar i Shoqatës “Durrësi Autokton”, për gjoja shkeljen e masave antiCOVID, në ceremoninë e organizuar pasditen e djeshme në Pallatin e Kulturës së Durrësit, me rastin e vlerësimit nga Presidenti i Republikës me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” të arkeologut të mirënjohur, Profesor Vangjel Toçi (pas vdekjes). Lidhur me këtë gjobë të pastër politike, e prita sot në takim z.Deliallisi për t’u njohur prej tij me rrethanat e këtij veprimi skandaloz dhe të papranueshëm të Qeverisë.

Më informoi se ky aktivitet simbolik, me pjesëmarrje tepër të kufizuar, i zhvilluar edhe me rastin e 30-vjetorit të Shoqatës “Durrësi Autokton” dhe që kulmoi me ceremonialin zyrtar shtetëror të dekorimit nga Presidenti i Republikës të Profesor Vangjel Toçit, është kryer me dakordësinë e Bashkisë Durrës, që kishte vendosur në dispozicion Pallatin e Kulturës për zhvillimin e këtij aktiviteti", shkruan Meta.

Meta thotë se Institucioni i Presidentit do të jetë në mbështetje të plotë të inxhinierit dhe të shoqatës “Durrësi Autokton”, në të gjitha procedurat ligjore për kundërshtimin e kësaj mase.

"E gjithë ceremonia është organizuar duke respektuar masat e nevojshme, ku të gjithë të ftuarit, sipas ligjit, kanë qenë të pajisur me maska dhe kanë ruajtur distancat fizike.Të ndëshkosh me gjobë 5 milionë lekë inxhinierin e shquar në pension z.Abdulla Deliallisi është njësoj si të kesh ndëshkuar të gjithë ata, që mbrojnë kauzën e drejtë të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike e kombëtare, si dhe traditat më të mira të qytetarisë durrsake.

E garantova inxhinierin e shquar në pension, z.Deliallisi, se Institucioni i Presidentit të Republikës do të jetë në mbështetje të plotë të tij dhe të shoqatës “Durrësi Autokton”, në të gjitha procedurat ligjore për kundërshtimin e kësaj mase dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre, që funksionin shtetëror e përdorin për qëllime të ulta politike, shantazh dhe presion ndaj qytetarisë durrsake", shton Meta.

Sot është gjobitur me me 5 mln lekë edhe ish-deputeti i LSI Endrit Braimllari, pasi ka organizuar aktivitet politik në kundërshtim me masat anti-COVID në Maliq. Njëkohësisht është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratorja e lokalit e cila lejoi zhvillimin e këtij aktiviteti. Edhe 2 administratorë lokalesh janë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pasi lejuan zhvillimin e aktiviteteve politike të PD  në shkelje të masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit.

Kujtojmë se dje është krijuar një situatë e pakëndshme nga kryetarja e LSI-së e cila është shfaqur pa maskë në Elbasan, teksa po zhvillonte takimin me një grup qytetarësh, në një ambient të mbyllur, ndërkohë që efektivët e policisë kanë shkuar për ta gjobitur. Disa policisë i janë afruar kryetares së LSI-së, duke i kujtuar se nuk lejohen grumbullimet më shumë se 10 veta në bazë të protokollit anti-COVID. Por Kryemadhi nuk ka pranuar që të vendosë maskën, ndërkohë që u është drejtuar efektivëve që të merren me bandat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:17
Shkeli rregullat anti-COVID, gjobitet me 5 mln lekë përfaqësuesi i një shoqate në Durrës

Policia e Durrësit ka gjobitur shtetasin A. D. me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin A. D, pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ.

Policia njofton se shtetasi me iniciale A.D është përfaqësues i  një shoqate dhe masa ndaj tij është marrë për shkak se ka shkelur masat për parandalimin e përhapjes së Covid.

'Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin A. D. (përfaqësues i  një shoqate), pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633 datë 17.11.2020 "Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura".'- njofton policia.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?