Shumë zhurmë për asgjë. Kështu e sheh Sali Berisha takimin e një dite më parë të Ervin Salianjit me më të votuarit në primaret dhe listat e hapura në zgjedhjet e 11 majit në radhët e demokratëve, duke u shfaqur i pashqetësuar nga lajmet, se një grup i ri anti-berishist po shfaqet në horizont
E në fakt njëjtë si kreu i PD-së mendon edhe ish-kandidati Tedi Kopliku, i cili, si ndër më të votuarit në qarkun e Shkodrës, iu përgjigj dje pozitivisht ftesës për një takim mes demokratësh.
Ish-kandidati, aktualisht drejtues i departamentit Brain Gain në PD, kujdeset të thotë se takimi nuk ishte nismë e re politike, por diskutim që nuk synon një rrymë të re në Parti.
“Ky ishte një takim si dhjetëra të tjera, që demokratët bëjnë mes njëri tjetrit, për një kafe, isha thirrur nga Ilir Alimehmeti. Ishte një diskutim, bashkëbisedim mes njerëzve që kanë marrë më shumë vota, por nuk është e thënë që të jetë lëvizje. Lëvizjet dhe referendumet nuk bëhen me një takim në kafe, pavarësisht dëshirës së medias për të krijuar furtunë në një gotë kafeje”, tha Tedi Kopliku.
Kopliku thotë se selia blu e ka artikuluar zyrtarisht nevojën për një analizë të brendshme.
“Nuk mund të trajtohemi si grup, patjetër që ka nevojë për analizë, e ka artikuluar vetë PD”, thekson ai.
Megjithatë, takimi i një dite më parë, mes Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmetit me më të votuarit, qoftë për një lëvizje të re apo jo, vjen në klimën e një sërë kritikash publike të adresuara lidershipit demokrat për mungesën e një analize dhe reflektimit për forcimin e partisë pas humbjeve të njëpasnjëshme.
Komente












