'SHBA dhe BE t’i bindin pesë vendet evropiane që ta njohin Kosovën', zyrtarja e lartë: Non-paperi 'slloven', i rrezikshëm!

'SHBA dhe BE t’i bindin pesë vendet evropiane që ta njohin Kosovën', zyrtarja e lartë: Non-paperi 'slloven', i rrezikshëm!

Flamuri i SHBA dhe flamuri i BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka refuzuar me të drejtë takimin e paralajmëruar për 11 maj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse palët duhet të jenë të përgatitura para secilit takim, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Engjellushe Morina, anëtare e lartë për politika në programin “Wider Europe” të Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), me seli në Berlin.

Megjithatë, ajo vlerëson se zvarritja eventuale e dialogut, “shkon në favor të lidershipit aktual në Serbi”.

Ndryshimet politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dhe në Kosovë, sipas saj ofrojnë një moment të ri dhe të rrallë për procesin e dialogut dhe integrimet evropiane dhe në NATO.

Këtë moment, Kosova duhet ta shfrytëzojë, thotë Morina.

Sipas saj, tashmë ekzistojnë sinjale për një koordinim ndërmjet SHBA-së dhe BE-së lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Morina këshillon që lidershipi i Kosovës t’i qaset me kujdes non-paperit që pretendohet se ka dalë nga Sllovenia, edhe pse autenticiteti i tij është hedhur poshtë nga autoritetet e atjeshme.

Zvarritja e procesit te dialogut i shkon në favor Serbisë

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të marrë pjesë në takimin më presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të paralajmëruar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell për datën 11 maj. Megjithatë, një takim tashmë është paralajmëruar për muajin qershor. A po blejnë kohë palët dhe pse?

Engjellushe Morina: Fillimisht do të doja të thosha që vizita në Bruksel ishte bukur mbresëlënëse, sepse delegacioni i Qeverisë së Kosovës kishte arritur të bëjë disa takime, për një kohë aq të shkurtër, për dy ditë. Natyrisht që tërë vëmendjen e mori, sidomos në ditën e parë, refuzimi i takimit të paralajmëruar për 11 maj. Unë mendoj që me të drejtë është refuzuar si takim, sepse sipas asaj që mësuam prej mediave dhe prej Qeverisë (së Kosovës), nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme me Qeverinë e Kosovës për takimin e paralajmëruar, të datës 11 maj. Mendoj që palët duhet të jenë të përgatitura para secilit takim.

A blejnë kohë apo jo? Unë do të thosha që institucioneve të Kosovës u nevojitet edhe pak kohë për përgatitje, sepse institucionet tash sapo i kanë marrë detyrat e tyre – do të thotë, nuk ka as dy muaj që janë konsoliduar institucionet e Kosovës – dhe u duhet pak kohë për përgatitje, sidomos rreth faktit, që e kanë deklaruar disa herë liderët institucionalë, që nuk do të vazhdojnë me programin e vjetër me të cilin kishte vazhduar dialogu prej paraardhësve të tyre, si dhe që nuk do të vazhdojnë aty ku ka mbetur dialogu. Kjo nuk besoj që vlen për palën serbe, sepse ata nuk besoj që kanë nevojë për ndonjë përgatitje shtesë. Po ashtu e pashë që një takim i radhës u paralajmërua për muajin qershor. Por, si takim, është lënë goxha hapur mundësia dhe ende nuk dihen modalitetet se kur dhe si do të planifikohet ky takim.

Radio Evropa e Lirë: Kemi pasur vlerësime nga njohës të zhvillimeve politike, në Kosovë dhe në Serbi, që një lloj kohe i nevojitet edhe presidentit serb Vuçiq. A qëndron kjo?

Engjellushe Morina: Unë mendoj që secila zhargitje e procesit të dialogut, në fakt, shkon në favor të lidershipit të tanishëm në Serbi e sidomos duke pasur parasysh faktin që ata do të përgatiten shumë shpejt për zgjedhje – diku në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Sidomos kjo lidhet me zgjedhjet presidenciale atje. Natyrisht që presidenti i Serbisë nuk duket që është i gatshëm që të arrijë deri te një marrëveshje me Kosovën dhe në këtë aspekt atij i shkon për shtati çfarëdo zhargitje e procesit. Por, a i duhet kohë për përgatitje? Nuk mendoj që i duhet. Qëndrimet e tyre e sidomos të presidentit të Serbisë, janë tashmë të ditura. Ka qëndrim destruktiv kundrejt procesit.

SHBA-ja, “e përkushtuar të punojë me BE-në”

Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga palët një zgjidhje kompromisi. Megjithatë, SHBA-ja e ka definuar një zgjidhje përfundimtare si “njohje reciproke ndërmjet dy vendeve”, ndërkaq BE-ja, e sheh zgjidhjen si normalizim marrëdhëniesh ndërmjet dy vendeve. A shihni koordinim ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për atë se kah do të shkojë dialogu?

Engjellushe Morina: Dinamikat e reja politike, sidomos prej janarit e tutje dhe sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe ndryshimet politike që ndodhën në Kosovë, e ofrojnë një moment të rrallë për procesin e dialogut dhe për shtytjen e Kosovës, por edhe të rajonit, drejt integrimeve të mëtutjeshme në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti (Joe) Biden e thanë disa herë që janë shumë të përkushtuar që të punojnë me Bashkimin Evropian për disa çështje. Njëra prej tyre është edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Unë e shoh që do të ketë një lloj përkushtimi më pozitiv sesa që e kemi parë në vitet e kaluara.

Në administratë (të SHBA-së) tashmë janë përmbushur pozitat që do të merren me Ballkanin. Janë të gjithë persona ose shumica prej tyre janë persona që e njohin rajonin shumë mirë dhe janë me qasje më pozitive sesa ajo që e kemi parë në katër vjetët e fundit nën administratën e kaluar (të SHBA-së). Unë besoj që do të ketë koordinim të qëndrimeve. Kjo tashmë ka filluar të ndodhë. Do të ketë po ashtu përafrim të qëndrimeve. Procesit të negocimit në mes të Kosovës dhe Serbisë i nevojitet shumë prezenca e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përshtypja deri më tash është që kjo prezencë do të jetë aty ku duhet dhe me intensitetin që i duhet procesit.

Edhe pala kosovare, do të doja të shtoja, duhet të jetë e gatshme që të punojë ose t’i elaborojë qëndrimet e veta shumë qartë karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së. Do të thotë, ta elaborojë atë se çka kërkojnë prej procesit, në mënyrë të qartë dhe eksplicite. Besoj që bashkëpunimi do të jetë shumë më ndryshe se ai që e kemi parë vitet e kaluara.

Kosovës i është dashur ta betonojë pozicionin

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, të dyja palët, Kosova dhe Serbia, vazhdojnë të ngelin në pozicionet e tyre të betonuara negociuese. A ka sinjale se kjo fazë e dialogut mund të jetë më serioze, në kuptimin e ecjes drejt një zgjidhje përfundimtare?

Engjellushe Morina: Unë, me aq sa kam parë deri më sot, nga ana e Kosovës, procesi përfundimisht do të kalojë në një nivel tjetër, në një nivel shumë më serioz, sepse tash, përshtypja është që institucionet e Kosovës dhe e kanë në fakt një lloj plani ose një lloj vizioni se kah duhet të shkojë ky proces. Besoj që, përveç do të jetë më serioz, ndoshta procesi do të shkojë edhe kah faza përfundimtare. Është e vërtetë që ka pasur pozicione të betonuara. Po besoj që pala kosovare nuk është për t’u fajësuar – nëse mund ta them kësi soji – sepse institucionet e Kosovës, viteve të fundit, kanë qenë në një modus më shumë mbrojtës dhe më shumë reaktiv.

Do të thotë është dashur ta mbrojnë procesin negociues prej intervenimeve destruktive që kanë ardhur prej Serbisë, prej kërkesave të shumta, në ato elemente, në të cilat Kosova tashmë i ka kryer detyrat e veta. Për shembull, për shumicën e aspekteve që u përkasin komuniteteve të ndryshme në Kosovë ose të drejtave të komuniteteve të ndryshme në Kosovë, për ato vetëm janë përkushtuar dhe janë edhe të mbrojtura me legjislacion të Kosovës dhe janë diçka që tashmë janë punë e kryer me Planin e Ahtisaarit.

Kërkesat e reja prej Serbisë gjithmonë kanë ardhur lidhur me atë që duhet të hapen disa elemente, ato që janë të përfunduara gjatë procesit të negociuar prej Ahtisarit, në vitin 2005 dhe 2007. Besoj që me të drejtë pozicionet e Kosovës kanë qenë të betonuara deri diku dhe besoj që institucioneve të Kosovës u është dashur që të mbrohen prej këtyre kërkesave të reja që kanë ardhur gjatë gjithë kohës prej anës së Serbisë.

Asociacioni me fuqi ekzekutive i izolon komunitetet

Radio Evropa e Lirë: Pala serbe insiston për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sa mund të jetë e gjithë kjo pengesë për vazhdimin e dialogut ose pamundësi për t’u zbatuar?

Engjellushe Morina: E vërtetë kjo. Qeveria e Serbisë gjithnjë insiston që të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe me fuqi ekzekutive. Është diçka që është refuzuar prej institucioneve tona, prej liderëve – jo prej atyre që i kanë nënshkruar këto marrëveshje më 2013 dhe 2015, por prej liderëve opozitarë (të atëhershëm)- dhe kritikëve të shumtë të këtij procesi.

Është refuzuar edhe nga Kushtetuta e Kosovës. Do të thotë, ky Asociacion, me fuqi ekzekutive, nuk do t’i përafrojë dhe integrojë komunitetet në Kosovë, por do t’i largojë dhe do t’i izolojë. Ky insistim i Serbisë, përmes Listës Serbe në Kosovë, përfundimisht nuk është diçka që i ndihmon procesit, por vetëm ka qenë si element destruktiv në procesin e dialogut. Tash, liderët institucionalë të Kosovës, presidentja dhe kryeministri, e kanë bërë shumë të qartë se nuk do ta përkrahin një Asociacion me këto elementet etnike dhe gjithmonë thirren në Kushtetutën e Kosovës.

Non -paperi “slloven”, më i rrezikshëm

Radio Evropa e Lirë: Ditëve të fundit, në media kanë qarkulluar dy të ashtuquajtura non-paper, në të cilat pretendohen zgjidhjet për kontestin Kosovë-Serbi. A po matet pulsi i palëve dhe aktorëve të përfshirë në dialog, apo ato duhet parë si të parëndësishme?

Engjellushe Morina: Në fakt, unë i kisha ndarë. Qarkullimi i të ashtuquajturit non-paperit të parë, që supozohet se ka dalë prej zyrës së kryeministrit slloven (Janez Jansha), është pak më serioz. Kjo sepse vjen prej një shteti që do ta marrë presidencën e Bashkimit Evropian në korrik dhe rreziku është që do t’i shtyjë këto ide tutje. Këto ide, të ndryshimit të kufijve në baza etnike, jo vetëm që janë të rrezikshme, por janë recetë për një dështim të radhës, që nuk do të përfundojë edhe aq mirë.

Përveç kësaj, nuk ka edhe aq shumë përkrahës kjo ide. Megjithatë, fakti se Sllovenia është shtet anëtar i bashkimit Evropian dhe ka potencial që t’i shtyjë këto ide tutje – së bashku me disa aktorë tjerë në Bashkimin Evropian, siç janë Hungaria, Polonia dhe të tjerë – kjo është çështje që nuk duhet ta injorojmë si të parëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, kryeministri slloven, Janez Jansha, e ka mohuar që ky non-paper të ketë dalë nga ai dhe nga zyra e tij.

Engjellushe Morina: Përfundimisht, në fakt, unë sa pashë, nuk e kanë mohuar dhe nuk e kanë pohuar. Do të thotë, e kanë lënë as kështu e as ashtu. Por, shumica e përcjellësve të këtyre ngjarjeve supozojnë që është kryeministri i Sllovenisë dhe i përmendin faktet që kryeministri i Sllovenisë, në fakt, nuk është që nuk e ka përmendur këtë temë, në disa takime të mbyllura me disa institucione të ndryshme në Bashkimin Evropian, por edhe në disa shtete të Ballkanit, në Bosnjë e Hercegovinë sidomos. Do të thotë, supozimi është bukur i fortë që shanset janë që ka dalë prej Sllovenisë, megjithëse autenticiteti i këtij dokumenti nuk është vërtetuar asnjëherë.

Unë do të doja të them që në krahasim me non-paperin e parë, non-paperi i dytë nuk duhet të merret seriozisht. Nëse lexohet pak me kujdes, shihet qartë që është tendencioz dhe nuk duket që vërtetë është i shkruar prej këtyre shteteve që pretendohet se është shkruar, prej Gjermanisë dhe Francës. Në fakt, Gjermania dhe Franca nuk i përkrahin disa prej elementeve që janë aty në non-paperin e dytë, që flet në mënyrë specifike për dialogun Kosovë-Serbi. Unë besoj që ai nuk duhet të merret seriozisht fare.

BE-ja është dashur të bëjë më shumë për Kosovën

Radio Evropa e Lirë: “Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi”, ka deklaruar shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. Një rregull i tillë, duket se vlen edhe për Serbinë. Por, deri më tash, përveç Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, Kosova nuk duket që ka ndonjë përfitim tjetër konkret tjetër në integrimet evropiane. A do të duhej të kishte një reagim nga BE-ja në kuptimin e stimulimit të palëve për dialog?

Engjellushe Morina: Unë besoj që Bashkimi Evropian është dashur të bëjë shumë më shumë për Kosovën. Nëse mundem këtu të ndërlidhem pak me faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë e kanë treguar një përkushtim shumë më të fuqishëm – kjo administrata e re. Pra, e ka treguar një përkushtim më ndryshe dhe më të fuqishëm për rajonin dhe për Kosovën. Pikërisht këtu do të thosha që tash është momenti që SHBA-ja, së bashku me BE-në të punojnë sa më shumë në përafrimin e qëndrimeve dhe sidomos në bindjen e pesë shteteve evropiane, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin sa më parë. Kjo, vetëm sa do t’ia lehtësonte Bashkimit Evropian, së pari, qëndrimin e saj kundrejt Kosovës dhe ta përafrojë Kosovën sa më afër integrimeve euroatlantike.

Këto pesë shtete, që nuk e njohin Kosovën dhe që janë anëtare të Bashkimit Evropian, në fakt, janë pengesa ndoshta më e madhe në relacionet e Bashkimit Evropian me Kosovën dhe e kundërta. Do të thotë, fakti që Bashkimi Evropian shihet që nuk ofron sa duhet – dhe unë mendoj që nuk ka ofruar mjaftueshëm sa duhet për Kosovën – është se pengesën e ka mu aty, brenda. Paralelisht me këtë, Bashkimi Evropian duhet sa më parë – sa më parë, kjo është urgjente – që t’ia heqë kufizimet e vizave Kosovës, sepse Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret, të cilat ishin dyfish më shumë se sa për shtetet tjera të Ballkanit.

Megjithatë, i ka përmbushur kriteret dhe ende pret heqjen e restrikcioneve të vizave për në Bashkimin Evropian. Sërish do të kthehem në atë që e thashë në fillim. Momenti është shumë i përshtatshëm që Bashkimi Evropian, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ta fuqizojnë shtetësinë e Kosovës ose të punojnë, t’i përafrojnë qëndrimet për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, së pari duke i bindur këto pesë shtete që ta njohin Kosovën dhe pastaj që ta përkrahin Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike./ REL

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike

Tiranë/ Shiste fishekzjarre nga bagazhi i makinës, në hetim të lirë 46-vjeçari! Policia shton masat kundër shitjes së lëndëve piroteknike